A është politika kurvë apo politikanët janë kurvarë?!
Nga Behxhet Sh. SHALA -BAJGORA – Zgjedhjet e parakohshme, më 11 qershor: Kohët e fundit fort po flitet për zgjedhje të parakohshme. Prijatare për këtë ka qenë opozita e cila po vlerëson se janë krijuar kushtet e favorshme që ta rrisin përqindjen e votave kurse në çaste të euforive partiake mendojnë se edhe mund të dalin fitues. Çështja e ëndrrave është punë interesante, të çojnë atje ku, në rrethana normale nuk keni gjasa.
Edhe sondazhet e paguara janë pjesë e ëndrrave. Për këtë arsye janë formuar koalicionet parazgjedhore sikur koalicioni i mbijetesës AAK – Nisma. Vetëvendosje po regjistrohet si parti politike për të bërë koalicion me ata që e kanë përkrahur tërë kohën në emër të shoqërisë civile dhe anal-istëve të pavarur. PDK-ja duket se mund të ketë lidhur kumbari me koalicionin e mbijetesës, kurse LDK-ja ka mbetur e hutuar duke besuar se do ta çojnë mandatin deri në fund. Prandaj edhe ka kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme duke besuar se Gjykata Speciale raciste do ta luajë rolin e votuesve të saj që duket se nuk do të dalë ashtu. Në politikë është sikur në shah, nuk është me rëndësi se çfarë lëvizje e tërheq t’i po është me rëndësi ta kuptosh se çfarë lëvizje e tërheq kundërshtari!
PDK-ja e ka vlerësuar se pikërisht tash është koha e saj për t’i fituar edhe këto zgjedhje të parakohshme dhe me këtë konfiguracion kushtetues thuaja e ka të garantuar të mos kalojë në opozitë! Nuk dua ta paragjykoj rezultatin e zgjedhjeve e as koalicionet dhe prapaskenat që janë luajtur, po luhen dhe do të luhen edhe në të ardhmen. LDK-në e kanë mbështetur për muri për faktin se po e fajësojnë për këmbët e Arushës (Hashimit) që ia kanë lënë në duar.
Isa Mustafa nuk e ka konstruktin fizik t’u përballojë këmbëve të Arushës – Hashimit, prandaj është zënë në befasi sikur Shpendi kur ishte befasuar me borën që ra në pikë të dimrit! Opozita luajti me kartën e demarkacionit duke u mbështetur në grupin rebelues brenda LDK-së që demarkacionin e përdori si shkas për ta minuar Isën për shkak të koalicionit me PDK-në. Këtu, edhe rryma e Fatmir Sejdiut dhe roli destruktiv i Fatmirit ishte krah i opozitës dhe partnerit të koalicionit – PDK-së. Kur demarkacioni po konsiderohet si armë që nuk vret më, në lojë doli varianti i AKR-së, me Ibrën që kërkuan mocion për mosbesim të Qeverinë e atëhershme pjesë e së cilës edhe ishin që nënkupton se e rrëzuan veten. Tash, këtë rol e mori krahu i ndarë nga PDK-ja i cili kishte qëndrim skajshmërisht armiqësorë ndaj PDK-së dhe krerëve të saj. Nisma për Malishevën i hyri kësaj loje me një siguri të madhe se do t’i sigurojë nënshkrimet sikur të ishte pjesë e subjektit politik nga i cili u largua, me njëqind mijë fjalë! Po ky është morali ynë politik dhe jo vetëm politik! Pas këtyre zhvillimeve mund të thuhet se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme dhe se më nuk ka hapësirë për lotët e LDK-së e as dyfytyrësitë e disa prej atyre që po shesin moral politik në kohën që vendin e kanë në burg!
Në jetë sikur edhe në politikë duhet të ekzistojë një standard minimal i moralit ndryshe nuk do të llogaritshim se jemi pjesë e llojit njerëzorë! Mirëpo, dallimi midis njerëzores dhe jonjerëzores te ne është shkrirë sikur akulli i Arktikut si pasojë e ngrohjes globale që nënkupton se kemi të bëjmë me një dyfytyrësi të përgjithshme te ne! LDK-ja ia pa sherrin deputetëve të saj që, në emër të parimeve u shitën për pesë para me një post konsulli, sekretari ambasadash, ambasador, drejtor bordi të ndërmarrjeve publike. Të pafytyrët akuzonin, pa asnjë dëshmi partnerin e koalicionit për vrasje politike ndërsa shkërdheheshin me ta tërë kohën, madje me orar të zgjatur! Nuk e them se Qeveria Mustafa ka punuar më keq se qeveritë e mëhershme madje e them se ka punuar më mirë se të gjitha qeveritë e mëparshme mirëpo, kur i ke brekët e tuaja të palara, nuk mund të ankohesh për erën e keqe të brekëve të të tjerëve! PDK-ja e pati provuar vendosmërinë e LDK-së me rastin e Zanzibarit për t’ia ofruar tani perspektivën e Madagaskarit!
Po çka sjellin zgjedhjet e parakohshme: Kur e pashë listën e të nënshkruarve për mocion mosbesimi ndaj qeverisë, nuk kam si të mendoj ndryshe përveç se kjo qeveri ka marrë fund. Prej ministrave ekzistues, më së shumti, në mos vetëm ai më dhimbet, ai i Leposaviqit që ishte kryetar paralel që e paska pasur këtë fatkeqësi të qëndrojë vetëm 2,5 muaj si pjesë i kabinetit qeveritar të Kosovës kurse ka mandat të plotë te zyra e Vuçiqit, çetnikut Mariq dhe psikopatit Vulin! Pata menduar ta propozoj për kryetar të Kosovës Kujtim Paçakun nëse Thaçi nuk e çon mandatin deri në fund por kam hequr dorë sepse Kujta po del të jetë i manipulueshëm. Se zonja Bontiq e nënshkruan mocionin gjithashtu është e kuptueshme por pse e bënë këtë gospodin Petroviq apo zotëri Danush Ademi nuk më duket e besueshme.
Aq fort është përzier leshi sa që nga kjo nuk mund të thurësh as edhe një palë çorapë për djalin e Dudes! Kam thënë edhe më parë se këto zgjedhje nuk do të prodhojnë asnjë ndryshim madje ka tendencë degradimi të skenës politike dhe proceseve parapolitike. Nëse “klani Pronto” e duket se po, do të kontribuojë në shembjen e qeverisë, atëherë si do ta pranojë dhe a do ta pranojë këtë fakt Vetëvendosje?! Pas këtyre zgjedhjeve as në variantin më të shëmtuar nuk do të besojë se mund të riciklohet kjo përbërje e Kuvendit një pjesë e së cilës do ta humb edhe njërin ndër privilegjet si përdorimi i WC-ve të Kuvendit për nevoja fiziologjike dhe intelektuale pa pagesë! Këto zgjedhje janë dëshmi se varianti titis i komunizmit dhe varianti enverist i komunizmit nuk mund të bashkëjetojnë për një kohë të gjatë dhe se varianti enverist i komunizmit është shumë më i sofistikuar se ai i çunave të Titos!
LDK-ja deri më tani gjithmonë është ndarë e lagur nga PDK e duket se edhe tani nuk do të ndahet e terur! Mendoj se kjo është mënyra më e keqe e prishjes së koalicionit dhe më e pandershme e mundur! Do të ishte shumë korrekte dhe e pritshme nga Kadriu ta thërras Isën dhe t’i thotë: “Isë bre burrë, se do të ndahem nga t’i nuk e kisha menduar kurrë, ulu këtu ta çojmë nga një “Haineken” të gjermanit, me do kuleç me miell të Devollistanit, me një dëshmitar të Kazakistanit, me këngët e Josip Brozit, hukamat e maliherit dhe pallavrat xhaxhi Enverit, me bejtet komuniste të mulla Naimit, me flluskat e rreme të Vatikanit të imzot Gjergjit, me tiradat fashisto-fetare të Amfillohije Radoviqit, me humanizmin gjenocidal të Tomislav Nikoliqit, me besën e pathyer të Hashimit , si trashëgimtarë të Skënderbe Kastriotit dhe në emër të Robit dhe Zotit, ta prishim këtë kumbari si burrat e motit dhe të mos të bëhemi horë para popullit dhe Zotit sepse edhe nesër nuk i dihet punës kur shumë të palara i bartë uji i Bunës, mos të ketë nevojë për emisarë dhe pleqnarë të cilët deri dje kanë tymosur në nargjilën e Hashës dhe Zhbokarit, që janë pshurrur nga hija e Dellit, që i kanë mikluar mbetjet e koqeve të Ahtisarit, që gjithmonë kanë qenë argatë të Luciferit dhe që Kosovën e shohin në perspektivën e Djallit dhe të Ferrit.
Gëzuar Isë, se me këtë ndarje miqësore po e lëmë derën e hapur në të kundërtën fort do të jemi të kapur nga këta që po e kërkojnë sot lëkurën tënde dhe që e kanë ngatërruar miellin me krënde!…” Kështu do të duhej të përfundonte koalicioni e jo të shkohej në mocion mosbesimi sepse as këtyre që po kërkojnë këtë mosbesim , askush nuk mund t’iu besojë! E nëse nuk bëhet kështu, LDK-ja, nëse ka vetëm edhe pak dinjitet do të duhej ta prishte koalicionin pa pasur nevojë për një seancë të mosbesimit parlamentar. Ta shohim, zaret u hodhën. Dikush do ta kalojë rubikonin, dikush do të mbytet në ndyrësirat që ia ka bërë vetes!


