RCCOLA

A edhe PTK-në doni me e falë, a?

/ 11 minuta lexim

Nga Flaka Surroi – Më mirë është të merret një kredi për paratë e ofruara, sesa të shitet aseti i cili çdo vit i prodhon së paku 50 milionë fitim të pastër…, apo është ky një kalkulim që nuk u konvenon atyre të cilëve nuk u pengoi falja e Distribucionit për 26 milionët e mjerueshëm.

Kaloi edhe një ditë historike, dhe kjo ishte e hëna për të martën, kur Serbia duhej të pranonte (ose jo) marrëveshjen e ofruar nga Brukseli, e të cilën duket se nuk e ka parë askush pos kryeministrit të Kosovës. Gjatë gjithë javës u dëgjuan deklarata të zyrtarëve serbë e kosovarë për marrëveshjen, të cilën Kosova është e gatshme ta pranojë, por që Serbia e refuzoi me unanimitet në nivel të Qeverisë dhe të Presidencës. Nënkryetari i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili përndryshe i mbetet në kujtim kompanisë mediale KOHA si ministri i informimit i regjimit të Millosheviqit, që urdhëroi mbylljen e gazetës, duke organizuar gjykimin kundër saj, në ditën e diel, më 21 mars 1999 – deklaroi se “Serbia nuk e kishte parë marrëveshjen, porse e refuzonte atë”.

Tipike për Serbinë për të refuzuar çfarëdo që vjen nga cilido ndërmjetës ndërkombëtar kur bëhet fjalë për Kosovën. Por, disa ditë më vonë, erdhi një deklaratë po aq e çuditshme nga ministri i jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj, i cili tha se “…ne nuk e kemi pasë mundësinë ta shohim marrëveshjen si të plotë”, porse në rastin tonë, shefi i tij kishte deklaruar se e kishte pranuar atë që nga data 4 mars 2013. Po e kam shumë vështirë t’ia gjej logjikën kësaj pune: njëra palë s’e ka parë marrëveshjen, por e refuzon, e tjetra nuk e ka parë, por e pranon… e qysh është pra kjo punë?Sido që të jetë, besoj se është mirë që nuk u arrit marrëveshja që nuk e ka parë askush, sepse nuk jam e sigurt se çfarë tjetër e paparë do të dilte nga ai dokument e që do të mund të na merrte edhe pak në qafë. E besoj se do të ishte mirë që të pritet pak, meqë tash do të kemi zgjedhje komunale, dhe të punohet në përcaktimin se çfarë saktësisht duam që të fitojë Kosova nga kjo fizkulturë politike. Ajo që duket se është shumë e qartë është se fundi i këtij procesi me marrëveshje nuk do ta sjellë njohjen e Kosovës nga të pesë shtetet e BE-së dhe pa kurrfarë dyshimi, nuk do ta sjellë as njohjen reciproke Kosovë-Serbi. Me gjasë do të mund ta sillte nisjen e negociatave për MSA-në ndërmjet BE-së dhe Kosovo*, që vazhdon ta bartë fjollën, e cila as pas dy pranverave nuk po shkrihet, ani që këtë na e kishte premtuar zëvendëskryeministrja Tahiri. Pra, do të jetë negociatë me një entitet e jo shtet dhe kush e di kur do të përfundojë.

Por, natyrisht se ky mendim imi është larg pretendimit të ndryshimit të bindjes së dikujt që tashmë i ka kthyer sytë nga Brukseli dhe se pret që të hënën ose të martën e ardhshme ta marrë konfirmimin pozitiv nga Serbia se e pranon marrëveshjen që nuk e ka parë. Kjo është thjesht shprehja e një lodhjeje me një temë që po na rraskapitë kolektivisht, e që këtij pushteti i shërben si paravan i mrekullueshëm për t’i kamufluar krejt problemet me të cilat ballafaqohemi dita më ditë. Për më tepër, i shërben si alibi e mirë për t’i dhënë shumë pak hapësirë debati shitjes së 75% të aksioneve të një aseti strategjik. Apo do të duhej thënë, për faljen, për interesa shumë të ngushta, e një prone që na takon të gjithë neve.

Dje u hapën dy ofertat për blerjen e PTK-së, në një proces që është cilësuar legal dhe legjitim dhe ku ofertat ishin shpallur të pranueshme. Puna që asnjëri nga ofertuesit nuk i takon ndonjë kompanie të madhe të telefonisë, siç është Vodafone a Deutsche Telekom apo mbase edhe Swisscom, a Orange, a ku ta di unë…, do të duhej të ishte tejet brengosëse dhe indikative, se mbase këtu kemi të bëjmë me një kurdisje, që, siç e kam thënë edhe shumë herë më herët, të shitet Posta për pak para, e që më pas të qarkullojë si mall, pasi t’i jetë shpërndarë pasuria nëpër “adresa” të caktuara të interesuarish… e që në esencë është në kundërshti me vetë objektivin e privatizimit të PTK-së.

Oferta më e madhe erdhi nga Axos GMBH, që ofertoi 277 milionë euro për t’u bërë me Valën dhe Telekomin, por që ofertën e kushtëzoi ashtu që ka kërkuar nga PTK-ja depozitimin, përkatësisht bllokimin e 35 milionë eurove në llogarinë e saj. Që përkthyer shqip i bie se nëse Qeveria e shpall fituese të tenderit, kjo kompani, që është një fond investiv pa ndonjë lidhje, për të mos thënë me asnjë lidhje me telekomunikacionin, do të bëhet me asetin e, më duket të parafundit, strategjik për 242 milionë euro.

Ka katër vjet që Qeveria përpiqet ta privatizojë Postën, qoftë me kontrabandimin e shitjes nëpërmjet ligjit, qoftë nëpërmjet marrjes së përkrahjes së partive opozitare, kinse parimore, në lidhje me Postën. Duhet rikujtuar se shumica e deputetëve të AAK-së e kanë përkrahur shitjen e PTK-së, kur e kishin votuar Ligjin për buxhetin e vitit 2013, që e përmbante linjën buxhetore prej 300 milionëve “si të hyra” (të paspecifikuara), e që nënkuptonte edhe shitjen e Distribucionit e edhe të Postës. E meqë u përmend AAK-ja në kontekstin e Postës, nuk kam sesi të mos e përmend një deklaratë të Ramush Haradinajt nga fillimi i javës së shkuar, që pak a shumë thoshte se çmimi i telefonisë nëpër botë po binte; se para një kohe Serbisë i ishin ofruar 1,2 miliardë për telefoninë e saj, kurse tash nuk i ofrohej as gjysma e asaj shume; se do të ishte mirë të mendonim çka me ba me Postën tonë tash, se kush e di sa pare do të na i jepnin vitin tjetër, nëse vazhdon trendi i rënies e që e dikton konkurrenca gjithnjë më e madhe…, pra me fjalë të tjera, “hajde ta shesim, del ku të del – le të paguajnë, sa të paguajnë”. Psenë e kësaj deklarate nuk po di ta gjej. Nga ana tjetër, nuk dëgjova reagim nga askush tjetër pos “Vetëvendosjes” dhe disa ekspertëve ekonomikë që i thonë “jo” shitjes së këtij aseti në këtë formë…. dhe kjo të bën të dyshosh dhe të jep hapësirë për kalkulime të nduarnduarshme.

Uji Dea

Prandaj, tash, në mënyrën e spekuluesit më të madh, do të doja të ndaja me ju këtë teori konspiracioni. Ligji për buxhetin ka kaluar. Është paraparë shitja e përgjithshme e Postës për rreth nja 300 milionë euro. Oferta më e lartë është 277 milionë – pra 23 milionë më pak sesa që është pritur, e që bën gati 10% të vlerës së ofertuar. Në ofertë kërkohet garancia prej 35 milionësh që do t’u mbeten në pronësi dhe menaxhim fituesve eventualë të tenderit. Kur të mblidhen krejt milionat bashkë, dalin rreth 60, që përafërsisht i bie 20-përqindëshi i vlerës së parashikuar të shitjes. Duke u mbështetur në praktikat e zbatuara në disa institucione e në lidhje me të cilat po zhvillohen procese gjyqësore, kjo shumë përafërsisht paraqet “përqindjen normale” të tallit që duhet paguar për t’u bërë me asetin. Athua, a bën edhe kështu?

Sepse është shumë vështirë të besohet sa ka çfarëdo argumenti tjetër të besueshëm dhe të qëndrueshëm që do të arsyetonte faljen e PTK-së me këso kushtesh, posaçërisht kur duhet të merren parasysh këto shënime, që janë zyrtare dhe të pranuara nga Administrata Tatimore. Në pesë vjetët fundit Posta ka realizuar fitim të pastër prej 280 milionë eurosh (2008 – 80; 2009 – 50: 2010 – 43; 2011 – 51; 2012 – 56 milionë), pra më shumë sesa ofrohen tash për ta blerë. Kjo do të thotë se PTK-ja, kështu qysh është, me të gjitha intencat për ta zhvlerësuar; me punësimin e të gjithë kushërinjve dhe të afërmve të politikanëve dhe me asnjë investim shtesë, për shkak të procedurave, qëllimshëm obstruksioniste të prokurimit, mund t’i nxjerrë këto para për katër vjet.

Tjetër. Që nga viti 2008, PTK-ja ia ka paguar dividendin Qeverisë, si aksionarit në emër të shtetit, rregullisht, dhe në shuma matematikore i bie 460 milionë euro (demek gjysma e autostradës), që i bie rreth 70 milionë në vit. E tash, nëse ka kompani që me menaxhim super të dobët, por të imponuar politikisht, mund t’i prodhojë gjithë këto para; të krijojë rritje në të hyra dhe në numër të konsumatorëve në të gjitha vitet e kaluara prej se e kontrollojnë kosovarët, përse do të duhej të shitej ajo për kaq pak para, pos nëse dikush i ka mprehur dhëmbët për t’u bërë me ca miliona të lehta në emër të “facilitimit” të procesit. Madje, edhe shpenzimi absolutisht i paarsyeshëm më duket i 8 milionë eurove për “këshilltarin e transaksionit”, demek për dikë që kishe e ka bërë vlerësimin e më pas ka thënë hajde ta shesim me këto kushte, nuk arsyetohet, për shkak se apriori i kemi hyrë kësaj procedure, duke e ditur se nuk mund t’i realizojmë, apo nuk duam t’i realizojmë më shumë se 300 milionë. Sepse 300-milionëshi ka qenë cak i përmendur në të gjitha projektligjet për buxhetin dhe është përfolur aq gjerë e gjatë, sa tash përfundimisht mblidhet në kalkulimin që e paraqita më lart.

E tash, muhabeti i tretë ka të bëjë me rrugën për në Shkup. Nëse edhe kjo i ka nja 80 kilometra, dhe nëse rrugën prapë do ta ndërtojnë ata që i lypin veç nga 10 milionë për kilometër, paret e PTK-së do të mjaftojnë për 24,2 kilometra, që do të thotë se Kosova do të futet në borxh shumë të madh prej 55,8-milionësh për ta ndërtuar atë. Sepse, tash, në vend të, ta zëmë 50 milionëve dividendë, do t’i inkasonte vetëm 12,5 milionë, sepse me shitjen, përkatësisht me faljen e PTK-së, do t’i ruajë vetëm 25% të aksioneve, duke ua bartur njerëzve të huaj edhe të drejtën absolute të kontrollimit të kompanisë. Ndërkohë, do të vazhdojmë të ankohemi sesi nuk kemi para për t’i paguar viktimat e luftës, dhe sërish, të gjitha paratë do të na dalin jashtë, duke na lënë ne në duart e kamatarëve, që veç shpirtin nuk po na e hanë.

Pra, siç do ta përsëriste me shumë zemër miku im, Lumiri, Kosovës do t’i konvenonte shumë më shumë që ta merrte një kredi, nëse bash kjo rrugë paraqet prioritetin e vetëm të Kosovës në tre vjetët e ardhshëm, e ta paguante atë nga dividendi i PTK-së, sesa ta shiste atë me këtë çmim dhe në kushtet ku nuk mund të thuhet se gara ka qenë konkurrente. Përkundrazi, fort i ka ardhur era kurdisje.

Na e falët Distribucionin dhe na keni marrë në qafë, sepse pronën tonë ia keni dhënë në dorë dikujt që për shumë pak pare që ia ka ndarë buxhetit, ka me na fikë ne konsumatorëve, duke na i paraqitur kushtet e reja të një subjekti monopolist – dhe ne do të kërcejmë sipas muzikës që do të na e ekzekutojnë ata. Tash duhet pyetur nëse vërtet e keni përnjëmend dhe do ta shisni PTK-në për ca pare të mjerueshme veç pse dikush duhet ta marrë “hisenë e vet” të tortës? A përnjëmend do ta falni edhe PTK-në, a? A veç qekaq vlerë paska kjo Kosovë për ju – për t’u pasuruar brenda natës, e për ta lënë Kosovën edhe më të varfër seç ishte para luftës? Mjerim!

Por hala keni kohë të mendoheni e të mos gaboni…, sepse gjërat e këqija mbahen mend gjatë, posaçërisht në fushatë zgjedhore.