ARKATANA

A duhet të interpretohet “Pakoja”?

/ 6 minuta lexim
HIDROMORAVA

Nga Flamur Hyseni- Çdo përpjekje për zgjidhje tjetër jashtë qëllimeve të “Pakos” rrezikon me paraqitje të tensioneve politike dhe humbje të efekteve të vet kompromisit të madh të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare.

Zbatimi thuajse njëqind përqind i Planit të Presidentit Ahtisari nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës nuk lë mundësi interpretimi ndryshe të të ashtuquajturës “Pakoja e Ahtisarit”, sepse mund të krijohen situata ku tejkalohen arritjet e qëllimeve të vet “Pakos”, e cila tanimë do të jetë edhe pjesë e sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Në shtator pritet që edhe formalisht të përfundojë mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së kushtëzuar të shtetit të Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës janë në fazën e përgatitjeve formale të plotësimit të sistemit ligjor dhe kushtetues duke rregulluar bazën legale për bartjen e disa kompetencave nga ICO-ja tek institucionet vendore, ndërsa në anën tjetër kemi disa “lëvizje politike” se duhet shikuar nëse “Pakoja” ka ndonjë mundësi të fshehura e që duhet bërë përpjekje për t’ia gjetur apo interpretuar ndonjë pjesë të saj se a mund të kuptohet që del ndonjë zgjidhje lidhur me veriun tanimë si çështje aktuale e politikës kosovare, serbe dhe asaj ndërkombëtare?

Në këtë drejtim institucionet e Kosovës së paku me deklarata janë aktive dhe po e kundërshtojnë një zgjidhje eventuale për veriun jashtë qëllimeve tanimë të njohura të “Pakos”, që i bie se janë të gatshme të pranojnë çfarëdo zgjidhje që del nga “Pakoja”, por duhet pasur parasysh se në rast se faktori ndërkombëtarë deri në shtator ia ndërron qëllimin politik “Pakos” atëherë institucionet e Kosovës me cilën politikë duhet vepruar, me atë të qëllimeve që ka “Pakoja” momentalisht e të mbrojtura nga institucionet e Kosovës dhe vet propozuesi i saj, apo me politiken e krijuar në shtator pasi “Pakos” ti gjendet edhe ndonjë qëllim tjetër i cili mundet eventualisht të ndërlidhet me gjashtë pikshin e Banit?

Në këtë drejtim institucionet e Kosovës do të gjinden para një zgjidhjeje ose merre ose leje, që nënkupton gjendje aktuale pa zgjidhje ose zgjidhje të imponuar që do të jetë në kundërshtim me vullnetin politik, Kushtetutën dhe “Pakon”..

Zhvillimi i rundeve të bisedimeve mes përfaqësueseve të institucioneve të Kosovës dhe atyre të Serbisë me ndërmjetësim të Brukselit ishte një model tjetër i të bërit politikë duke filluar me bisedime teknike të cilat pas disa rundeve dhe arritjes së disa marrëveshjeve të cilat nuk po i përfill Serbia, nuk ishin bisedime që reflektonin frymën e “Pakos”, por tani me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare vërehet se procesi i bisedimeve po duhet të transformohet nga ato “teknike” në ato “politike” dhe si pjesë e këtyre bisedimeve politike do të jetë ekskluzivisht veriu i Kosovës tanimë i shndërruar në “çështje” si mosmarrëveshje politike mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa në fakt do të duhej të trajtohej si çështje e brendshme e Kosovës dhe institucioneve të saj të cilat mbi bazën e “Pakos” do ta bënin zgjidhjen e kësaj “çështje”, sepse Kosova me asnjë vend në rajon nuk ka mosmarrëveshje politike të njohura ndërkombëtarisht.

ARKATANA

Zgjedhjet politike që mund të ofrohen si alternativë për zgjidhjen e çështjes së veriut të cilat mund eventualisht të jenë si kompromise të reja politike mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim ndërkombëtar do të ishin në kundërshtim me projektin “Pako”, sepse Kosova ka bërë njëherë një kompromis të madh dhe ka pranuar planin “Pako” duke e ditur që në 2007 se Mitrovica do të ketë strukturë qeverisëse prej dy komunash dhe decentralizim me formën e krijimit të komunave të reja në disa pjesë të Kosovës, i cili do të ketë edhe efekte politike edhe administrative, ky ishte kompromisi i madh politik që kërkohej në atë kohë nga Kosova, u arrit, tani pas përmbushjes së qëllimeve të “Pakos” po tentohet të gjendej një lidhje prapë me “Pakon” e cila mundet vetëm ta dëmtojë procesin e suksesshëm të përmbushjes së “Pakos”.

Elemente për ndryshim të formës së rregullimit shtetëror

Ndryshimi i strukturës së Kuvendit të Republikës së Kosovës duke e rritë numrin me ulëse të rezervuara prapë është një devijim nga qëllimet e “Pakos” tanimë edhe të Kushtetutës, sepse është jashtë çdo standardi përfaqësimi i interesave të serbëve të veriut në institucione të Kosovës kur ata kanë përfaqësuesit e tyre në Kuvend dhe institucione tjera, kjo mund të jep edhe disa element – shenja të ndërrimit të formës së rregullimit shtetëror nga forma e shtetit të thjeshtë – unitar që kemi.

Nuk janë në interes të institucioneve dhe stabilitetit politik të Kosovës ndryshimet dhe zgjidhjet tjera të cilat bien ndesh me frymën e “Pakos” dhe Kushtetutës aktuale, sepse mund të na sjellin në situata të pa parashikueshme politike dhe mjaft provokuese në stabilitetin politik të vendit.

Çdo tentim për zgjidhje përmes fuqisë politike nga brenda me arsyetimin se duhet qeveri më unike, më e fortë dhe më gjithëpërfshirëse për zgjidhje të qëndrueshme në veri do të jetë një zgjidhje me pasaja politike për interesat afatgjata të Kosovës dhe institucioneve të saj, sidomos atyre të sigurisë të cilat do të jenë të sfiduara në afat të pacaktuar me problemet që mund ti sjell ndonjë marrëveshje politike përtej frymës së “Pakos” dhe Kushtetutës aktuale.

(Autori është asistent në Katedrën e së drejtës kushtetuese dhe administrative në Fakultetin Juridik të UP-ës, ka përfunduar studimet Master në të drejtën kushtetuese dhe administrative)