A do t`i përkrah opozita në Gjilan ndryshimet e statutit

Gjilan – Lutfi Haziri ka paraparë reduktimin e pushtetit ekzekutiv në Gjilan, duke e ulur numrin e drejtorëve në dhjetë, si nevojë e harmonizimit me pushtetin vendimmarrës, që ka ndodhur si rezultat i regjistrimit të popullsisë, ku ka rezultuar se kjo komunë ka më pak se 100 mijë banorë.
Por, këto ndryshime varen nga votat e anëtarëve të Kuvendit, të cilët sot do ta kenë para vetes propozim-vendimin për ndryshimin e statutit të Komunës. Duhen 23 vota për miratimin e statutit të ri.
Lutfi Haziri ka paraparë reduktimin e pushtetit ekzekutiv në Gjilan, duke e ulur numrin e drejtorëve në dhjetë, si nevojë e harmonizimit me pushtetin vendimmarrës, që ka ndodhur si rezultat i regjistrimit të popullsisë, ku ka rezultuar se kjo komunë ka më pak se 100 mijë banorë.
Sipas këtij kriteri, komunat me më pak se 100 mijë banorë duhet të kenë një asamble prej 35 anëtarëve. Deri në këto zgjedhje, Gjilani kishte asamble me 45 anëtarë. Por reduktim i administratës duhet të paraprihet me ndryshim e statutit aktual të Komunës, që nuk është e sigurt nëse, të enjten (sot) do t`i marrë votat e mjaftueshme. Opozita (PDK) ka kundërshtuar reduktimin e ekzekutivit, por edhe ka thënë se është e gatshme t`i përkrahë ndryshimet, nëse ofrohen argumente bindëse pse është e nevojshme të bëhet kjo. Kurse VV, në parim, është shprehur kundër dhe nuk ka dhënë shenja se mund ta ndryshojë qëndrimin e saj, ndonëse në deklarim ka qenë më e butë se PDK-ja. Këto dy subjekte (PDK e VV) përbëjnë opozitën në Kuvendin Komunal të Gjilanit, me gjithsej 11 këshilltarë. Grupimeve tjera u takojnë 24 këshilltarë. Për të miratuar statutin nevojiten 23 vota, aq sa kanë partnerët e koalicionit së bashku. Vota e 24 i përket ish-këshilltarit të PDK-së, Bajram Hasani, që pas kalimit në Nisma, është i pavarur në Kuvend Komunal.
Por, edhe brenda koalicionit, ka mëdyshje, meqë njërin prej tyre e prek drejtpërdrejti ndryshimi. Një tjetër është vetëm përkrahës i heshtur i koalicionit, por nuk ka hise në qeverisje. Votën e tyre mund të kushtëzojnë edhe pakicat, serbët dhe turqit, që kanë dy vende. Megjithatë, Haziri është i vendosur ta qojë në Kuvend statutin, pasi që ndryshimi i tij është i domosdoshëm.
Risi është Komiteti për bashkëpunim ndërkufitar
Në statutin e ri është paraparë që numri i Komiteteve, si trupa të përhershme, profesionale dhe këshillëdhënëse të Kuvendit Komunal, të jetë 12. Pos atyre ekzistuese, janë shtuar Komiteti për barazi gjinore, Komiteti për bashkëpunim ndërkufitar dhe Komiteti konsultativ i ekspertëve të planifikimit hapësinor. Komitetet, në radhët e veta mund të kenë anëtar edhe jashtë Kuvendit të Komunës, por ata duhet të kenë përvojë adekuate profesionale, varësisht nga komiteti ku emërohen.
Ndërkaq te drejtoritë, si pjesë e pushtetit ekzekutiv, ka reduktime. Kultura shndërrohet në Njësi, ndërsa Inspekcioni bashkohet me drejtorinë e Urbanizimit. Të tjerat mbeten siç kanë qenë deri tani.
Numri i zyrave rritet në 12, meqë shtohet Kabineti i kryetarit, Njësia për Kulturë dhe Zyra për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Zyra e deritashme e Avokatit të Komunës bashkohet me Zyrën Ligjore. Përgjegjësitë e personalit të Kabinetit të kryetarit, përfundojnë baskë me mandatin e kryetarit. Deri tani nuk ka qenë kështu.
Shoqëria civile kërkon më shumë arsye pse duhet bërë këto ndryshime
Edhe shoqëria civile ka vërejte sa i përket procedurave të ndjekura deri këtu, për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të Komunës. Isa Shefkiu nga OJQ “Anamorava”, i cili monitoron punën e Kuvendit Komunal, thotë se ndryshimet në statutin e Komunës nuk janë arsyetuar sa duhet dhe sipas tij, kjo përbën shkelje të procedurave. Shefkiu thotë se para se të bëhet ndryshimi, duhet të thuhen të metat apo mangësitë që ka pasur statusi i vjetër. Herën e kaluar, statuti u hoq nga rendi i ditës, me arsyetim se duhej të harmonizohej edhe pak, meqë komisioni kishte ardhur në Kuvend me dy versione. Tani, dallimet janë harmonizuar dhe anëtarët e Kuvendit do të kenë para vetes një version të statutit të Komunës, të cilin mund ta miratojnë, ose jo. Bashkëpunëtorët e Hazirit thonë se votat janë të sigurta./rajonipress/