ARKATANA

A do të integrohet mësimi plotësues i gjuhëve amtare në Zvicër?

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Për herë të parë autoritetet zvicerane dhe përfaqësues të shoqatave u bashkuan për ta diskutuar në mënyrë të koordinuar gjendjen dhe problematiken aktuale.

Të shtunën më 18 janar, 2014, në Bernë u mbajt Konferenca e parë kushtuar mbështetjes së gjuhës amtare të fëmijëve emigrantë në Zvicër, e quajtur “E ardhmja e gjuhëve të para në Zvicër”. Qëllimi i saj ishte një shkëmbim përvojash dhe mendimesh në lidhje me temën e konferencës dhe me pjesëmarrjen e autoriteteve të larta në fushën e arsimit zviceran si dhe me përfaqësues të shoqatave më të rëndësishme të komuniteteve të huaja në Zvicër.

Në ketë mes Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër (LAPSH-i) është përfaqësuar nga kryetari i saj Nexhat Maloku (mësimdhënës në Cyrih).

Tubimi është organizuar nga “Bashkësitë e interesit të gjuhëve të para” (“Grupement d’intéret langues premières”) në bashkëpunim me: “SSP le Syndicat des serviles pubics”, Le syndicat UNIA” Bibliothèques interculturelles de Suisse”, Insitut suisse Jeunesse et Médias ISJM. Morën pjesë 200 pjesëmarrës, shumë prej tyre mësimdhënës të mësimit plotësues.

Në një fjalë hyrëse nga “Grupi i interesit për gjuhët e para” mbështetja e gjuhës amtare u cilësua si një pasuri gjuhësore dhe ekonomike e Zvicrës. Së pari, thirrja u drejtohej organizatorëve të mësimit plotësues, si një udhëzim që shkon në interes të fëmijëve dhe të rinjve, se me gjuhë amtare dhe kulturë të origjinës ka përshtatje, integrim, identitet dhe jo asimilim. Dhe së dyti, të nxiten autoritetet vendore që ta shtojnë përkujdesjen institucionale ndaj ”të tjerëve”, qytetarëve të origjinës me gjuhë tjetër gjithnjë në kuadër të te drejtës së tyre të kultivimit të gjuhës dhe të kulturës amtare, si pjesë e thesarit kulturor të këtij vendi. Dhe, duke iu referuar edhe këtyre fakteve të insistojnë në realizimin e integrimit të mësimin plotësues të gjuhës amtare në sistemin shkollor publik. Sipas autorëve të grupit të përmendur, mbështetja e gjuhës amtare duhet bërë nga cikli fillor deri në mbarimin e gjimnazit.

KKVITI

Në sesionin e paradites të kësaj konference u mbajtjen disa ligjërata të ekspertëve. Një ligjëratë me mjaft interes e ka mbajtur studiuesja nga Austria, Elfie Fleck me temën “Mësimi i gjuhës amtare në Austri”. Ajo në këtë ligjëratë ka bërë fjalë për mbështetjen, mësimdhënien, ndihmën orientuese dhe financimin e mësimit plotësues në 23 gjuhë sipas modelit austriak. Referimi i saj u përcoll me shumë interesim nga të pranishmit.

Ligjërata e dytë është mbajtur nga Rosita Fibbi, Universiteti i Neoshatelit, me temën “Rezultatet e anketës studimore rreth gjendjes së mësimit plotësues të organizuara në Zvicër”. Në këtë studim që ajo e ka realizuar së bashku me studiuesen tjetër Ruth Calderon ka ardhur në disa përfundime. Mes tjerash, se aktualisht mësimi në gjuhët e prejardhjes, në Zvicër organizohet përmes ambasadave apo shoqatave të ndryshme. Ai është i organizuar në 15 gjuhë si: shqip, italisht, spanjisht, arabisht, kinezisht, kroatisht, serbisht, koreane, finlandeze, kurde, portugalisht, rusisht, turke, tamile, hungarisht.

Pasdite janë mbajtur dhjetë punëtori, të ndara sipas temave, që kishin të bënin me qasjen didaktike, me tekstet mësimore, specifikat e mësimit plotësues të komuniteteve të ndryshme, etj.

Në përfundim të Konferencës, në një debat në podium u dhanë vlerësime nga Ministrja e Arsimit të kantonit Jura Elisabeth Baume-Schneider, Kryetare e Konferencës ndërkulturore të arsimit publik në Zvicrën frëngjisht dhe italisht folëse, pastaj Katharina Prelicz-Huber (sindikata VPOD) Vania Alleva (sindikata UNIA), Heidi Mück (deputete e grupimit BastA në Parlamentin e Baselit) dhe mësuesja e turqishtes, Selin Öndül.

Me rëndësi ishte që për herë të parë autoritetet zvicerane dhe përfaqësues të shoqatave u bashkuan për ta diskutuar në mënyrë të koordinuar gjendjen dhe problematiken aktuale. Është më së e nevojshme që ky bashkëpunim të vazhdohet dhe që angazhimi duhet shtuar akoma në të ardhmen./Nexhmije Mehmetaj/albinfo/