Mobi Casa

Ndërhyni s’e na mbytën!

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Lavdim Hamidi – Kosova nuk do të bëhet shtet më jodemokratik e as më i varur, nëse ndërkombëtarët do të ndërhynin në zgjidhjen e ngërçit politik në vend.

Në fakt ndërhyrja e ndërkombëtarëve do të ishte opsioni i vetëm në këtë situatë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për vendin, në kohën kur “komandantët e politikës” janë barrikaduar në qëndrimet e tyre, duke ia dhënë tatëpjetën shtetit.

Partinë e kryeministrit në detyrë, Hashim Thaçi, s’ka kush ta bindë se në demokraci flasin numrat e jo satisfaksioni që ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese se është partia më e madhe, ndërsa partitë e Bllokut si duket janë rehatuar me ndarjen e pushtetit, por faktikisht pa pushtet, sepse janë të vetëdijshme se çdo luhatje sado e vogël mund ta shkatërrojë një unitet të krijuar për katër muaj.

Pra, një situatë anormale, kur as katër muaj pas zgjedhjeve nacionale liderët politikë të Kosovës nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët për krijimin e institucioneve të reja qendrore, po shndërrohet në normalitet.

Po shihet qartë se liderëve politikë nuk po u bënë përshtypje interesi shtetëror, por vetëm interesi personal. Kjo gjë realisht nuk shihet prej aeroplani, por prej helikopteri “Po”, sepse parimet shtetëformuese ka kohë që janë thyer.

Asnjëri nga këta liderë nuk mund të amnistohet nga akuzat për bllokimin e shtetit, sepse secili prej tyre ka përgjegjësi ta ndërtojë shtetin e jo ta bllokojë atë. Fatkeqësisht, asnjëri nga ata që katër muaj nuk tregoi se është politikan i vërtetë dhe posedon kapacitete të nevojshme intelektuale që ta kapërcejë egon e vet.

Faktikisht, ata treguan qartë se kanë një ego të sëmurë për pushtet, të cilën dinë ta përkthejnë në para, sepse po të ishte e kundërta shumë më shpejtë do të ishte tejkaluar kjo situatë e ngërçit politik në vend.

UBT

Në një situatë kur liderët kryesorë politikë, edhe 15 vjet pas përfundimit të luftës, veprojnë me logjikën e barrikadave, atëherë padyshim se ndërhyrja e ndërkombëtarëve për ta zgjidhur këtë çështje është e domosdoshme, madje urgjente.

Mos të harrojmë se Kosova shtet është bërë me ndihmën e ndërkombëtarëve. Po mos të ndërhynin ushtarakisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ato të Bashkimit Evropian në vitin 1999, a mund ta imagjinoni se si e ku do të ishim?

Edhe pasi u çliruam nga një regjim i egër i Millosheviqit, këto shtete investuan miliarda euro për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit, prandaj s’kemi pse ta refuzojmë ndihmën e tyre në kohën kur kemi festuar 6-vjetorin e shtetësisë.

Fundja, Shqipëria po i bënë 102 vjet shtet, përderisa kryeministri, Edi Rama, këto ditë e propozoi ish-guvernatorin e Argjentinës, Mario J. Blejer, një prej ekonomistëve më të njohur në botë, për të udhëhequr me Bankën Qendrore të Shqipërisë, pas zbulimit të skandalit të vjedhjes së milionave nga kjo Bankë gjatë mandatit të ish-guvernatorit, Ardian Fullani.

Ky veprim i Ramës nuk e bënë shtetin e tij më të varur nga ndërkombëtarët, por synon që institucioni më i rëndësishëm në vend t’i besohet ekspertëve e jo politikanëve hajdutë, siç ishte rasti me Fullanin.

Për ta shpëtuar vendin nga më e keqja, është koha e fundit që të ndërhyjnë ndërkombëtarët. Sepse shumë shpejt do ta na kujtohen fjalët e Konicës, të cilat do t’ia përshtatim Kosovës. “Në qoftë se Kosova do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj duhet të shkruhet: “Lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”.