ARKATANA

Carolan s’mund të rikthehej

/ 11 minuta lexim
Fundamenti

“Gjykatësi i Gjykatës Kushtetutare, sikundër këtu në vendin tonë, ashtu edhe gjetiu, mund të ushtrojë vetëm një mandat dhe kur njëherë në çfarëdo baze t’i këtë pushuar mandati, i njëjti – as në procedure të rregullt nuk mund të riemërohej. Kjo klause është e shprehur në mënyrë eksplicite edhe me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Smaka

Kthimi i gjyqtarit Robert Carolan në Gjykatën Kushtetuese, pas dorëheqjes paraprake, sipas dispozitave juridike nuk është i lejuar dhe as i rregullt, vlerëson Riza Smaka. Sipas këtij eksperti për çështje kushtetuese, Carolan do të mund të kthehej vetëm në procedurën e përcaktuar me dispozitën e nenit 84, paragrafi 19 të Kushtetutës dhe të nenit 6 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

Në një intervistë për gazetën Tribuna, Smaka ka thënë se mjafton të apostrofohet vetëm dispozita e nenit 9 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese sipas të cilës gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i pushon mandati para skadimit të kohës së rregullt për të cilën është zgjedhur në rast të dorëheqjes. Smaka në intervistë flet edhe për rolin e presidentes në tejkalimin e situatës aktuale politike.

Tribuna: Zoti Smaka, javën që e lamë pas e patëm një rikthim të gjyqtarit amerikan, Robert Carolan, në Gjykatën Kushtetuese. Sa mund të konsiderohet i ligjshëm një rikthim i tillë pas një dorëheqjeje paraprake?

Smaka: Kthimi i z. Carolan në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës pas dorëheqjes së tij, ad hoc, sipas dispozitave juridike valide në aplikim nuk është i lejuar pra as i rregullt. Anash respektit që e meriton z. Carolan si person dhe ekspert për tematiken kushtetutare e ligjore si dhe për proveniencën e tij, në aspektin kushtetues e ligjor, pas dorëheqjes personale, në të njëjtën Gjykatë do të mund të kthehej vetëm në procedurën e përcaktuar me dispozitën e nenit 84 par. 19 të Kushtetutës dhe të nenit 6 të Ligjit 03 – L – 121 për Gjykatën Kushtetuese, aq më parë kur në procedurë dhe baza kushtetuese në bazë të me nenin 152 të Kushtetutës së RK-së, është konkluduar përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të vendit tonë. Bile, lë anash dispozitat e sipërme, mjafton të apostrofohet vetëm dispozita e nenit 9 par. 1 al. 1 e Ligjit për Gjykatën Kushtuese sipas të cilës gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i pushon mandati para skadimit të kohës së rregullt për të cilën është zgjedhur në rast të dorëheqjes! Dihet fare mirë se kur gjykatësit apo cilitdo funksionar tjetër kur i pushon mandati nga cilado bazë ligjore, në këtë rast përmes dorëheqjes, i njëjti person do të mund të rimandatohej vetëm në procedurën e përcaktuar me ligjin aplikativ në këtë rast me atë të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Vlen për të theksuar edhe paragrafi 2 të nenit 9 të të njëjtit Ligj, në saje të së cilës eventualisht do të mund të absolvohej kthimi i z. Carolan në Gjykatën në fjalë. Gjykatësi i Gjykatës Kushtetutare sikundër këtu në vendin tonë, ashtu edhe gjetiu mund të ushtrojë vetëm një mandat dhe kur njëherë në çfarë do baze t’i këtë pushuar mandati, i njëjti – as në procedurë të rregullt nuk mund të riemërohej. Kjo klause është e shprehur në mënyrë eksplicite edhe me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.
Ndryshe kontributi dhe figura e z. Carolan ishte dhe mbetet relevante për seriozitetin dhe profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese.

Tribuna: Çfarë procedurash është dashur të ndjekë Carolan për rikthim në Gjykatë?
Smaka: Një funksionar publik çfarë është rasti referuar z. Carolan kur jep dorëheqje nga pozita që e ushtron, në të njëjtin post do të mund të riemërohej vetëm në procedurën e caktuar me ligj përkatësisht Kushtetutë, por kurrsesi jo në shpërfillje të saj, procedurës së caktuar.

Mobi Casa

Tribuna: Kush duhet të japë përgjegjësi, në rast se rikthimi i tij është i kundërligjshëm?
Smaka: Në këtë rast nuk aludoj në përgjegjësi sa për përgjegjësi të tipit “L Art Pour L Art”, por ne insistim konsekuent për përfillje të normave juridike aplikative, të atyre çfarë janë në zbatim “Dura Lex Sed Lex”. Veçanërisht kur është në pyetje Gjykata Kushtetuese e cila në çdo nivel, formë dhe nivel do të duhej të ishte shembull për të mirë, konsistencë e konsekuencë legale.

Tribuna: Ju edhe më herët keni qenë kritik për vazhdimin e mandatit të gjyqtareve ndërkombëtarë. Pse e keni bindjen se vazhdimi i mandatit të tyre është antikushtetues?
Smaka: Gjykatësit nga komuniteti ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, referuar meje dhe bindjes sime, ishin dhe vijojnë të jenë të dobishëm madje të nevojshëm veçanërisht përderisa jo pak gjykatës vendor Nolens Volens në masë të caktuar ishin dhe mbeten nën influenca të politikave ditore të cilat për aq sa ushtrojnë impakte në bindjet personale të tyre, drejtpërdrejt e dëmtojnë Kushtetutën dhe kushtetutshmërinë në vendin tonë. Në anën tjetër edhe gjykatësit ndërkombëtarë në rrethana të caktuara mund të afektohen nga presione të fuqishme të autoriteteve vendore por gjithsesi në masë të konsideruar më vështirë dhe më pak sesa në të njëjtat kushte kolegët e tyre vendorë. Megjithatë, ky postulat nuk absolvon kërkesat për përfillje të dispozitave juridike valide referuar procedurave legale për emërime e pushime të mandateve të tyre.

Tribuna: Si njohës i çështjeve Kushtetuese, a mendoni se duhet reformuar Kushtetuta e Kosovës?
Smaka: Për modifikim dhe plotësim cilësor të Kushtetutës së Republikës së Kosovës kam një ese të publikuar vite më parë dhe këtë e kam shprehur disa herë kur më është dhënë oportuniteti i përshtatshëm. Gjithsesi se do të duhej që Legjislatura e Pestë ndër temat më kryesore të rendit amendimin, modifikimin, nivelizimin dhe përmirësimin e caktuar të Kushtetutës së vendit tonë. Kjo pikëpamje ndër të tjera u reflektua edhe përmes përplasjeve politike përkitazi me zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit të RK-së e rrjedhimisht edhe të formimit të Qeverisë së Kosovës. Në dispozitat kushtetuare referuar themelimit dhe funksionalizimit të atyre dy institucioneve publike relevante ndër të tjera janë manifestuar definime të mangëta madje edhe të paqarta mjaftësisht. Ndaj reformimi kushtetuar me bazë mund të pritet se do të ndodhë në etapën e parë të funksionimit të Kuvendit të RK-së.

Tribuna: Pika 127, a i mundëson LVAN-it zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe a mundet LVAN, pa PDK-në dhe kryesuesen Brovina ta zgjedhë kryeparlamentarin?
Smaka: Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetutare mjerisht, pos trajtimeve në vend kushtetutare – politike është i mëngët edhe për kah forma. Dihet fare mirë se sikundër aktgjykimi ashtu edhe aktvendimi por preambulës duhet të kenë diapozitivin, arsyetimin e udhëzimin juridik si dhe disa elemente tjera. Të gjitha elementet konstitutive të aktgjykimeve dhe të aktvendimeve bëhen dhe vihen në funksion të diapozitivit i cili i vetmi është obligator dhe i zbatueshëm. Askund dhe asnjëherë nuk praktikohen komponentë të diapozitivit të aktgjykimit në sferën e arsyetimit të tij sikundër në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetutare. Në anën tjetër edhe ajo pikë nuk është formuluar juridikisht sipas standardeve elementare juridike por në kontekste të postulateve politike ditore! Për aq pika 127 e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetutare, është problematike në formulim abstrakt ekuivokal!
Edhe pse në Kushtetutë nuk theksohet eksplicite as koalicioni parazgjedhor as ai paszgjedhor por grupi kuvendor më i madh në Kuvend pra i formuar në Kuvend e jo në zgjedhje, në kontekstin e rrethanave shoqërore e politike aktuale në vendin tonë Gjykata Kushtetutare do të zgjidhte këtë çështje kontestimore ndërmjet atyre koalicioneve madje edhe në frymë me Kushtetutën sikundër të kishte stipuluar klausën…përparësi në propozim të kandidatit do të këtë koalicioni parazgjedhor e nëse do të dështonte në sigurimin e së paku të shumicës absolute pro, atëherë në të njëjtat kushte dhe kërkesa do të vepronte koalicioni paszgjedhor. Në atë mënyre do të kënaqej fryma kushtetutare tokë me aspiratat dhe tendencat politike aktuale, mjerisht, të konfrontuara ashpërsisht pa gjasa reale për harmonizimin e tyre.

Tribuna: Kur prisni të konstituohet Kuvendi dhe të formohet Qeveria?
Smaka: Edhe pse presidentja e vendit tonë sipas neneve 83 dhe 84 te Kushtetutës është e autorizuar për t’i ushtruar hiq më pak se 31 funksione, referuar rastit konkret të bllokimit të procesit të zgjedhjes së kryesisë së Kuvendit të RK-së, të cilin disa e quajnë gabimisht ngërç (term i huaj), nuk posedon asnjë fare autorizimi, ingerence apo juridiksioni konkret për të ndërmarrë ndonjë mase apo hap efektiv. Në instancën e fundit, presidentja mund të bëjë atë që e bëri – duke i ftuar në biseda konsultative liderët e subjekteve politike dhe duke ju propozuar që të gjejnë zgjidhje politike e cila në konstelacionin aktual rezulton virtuelisht i pamundur. Së paku zgjidhje politike nuk do të ketë ndërmjet koalicioneve politike në kompozicionet e konstelacionet ekzistuese. Ndryshimi i renditjeve eventuale të subjekteve politike në ndonjë kompozicion politik tjetër do të determinonte shpërbërjen automatike e imediate të koalicioneve veçanërisht te atij paszgjedhor gjë që nuk mund të pritet! Opsion i tillë në kushte të caktuara do të mund të ndodhte vetëm nëse faktori ndërkombëtar relevant për Kosovën do të ofronte vetëm një zgjidhje të tipit Take It Or leave It nëpërmjet secilës do të mundësohej zgjedhja e kryesisë se Kuvendit e me të e konstituimit të kompletuar të tij dhe të formimit të Qeverisë së Kosovës. Konstituimi përfundimtar i Kuvendit të RK-së, për formimin e Qeverisë së RK-së është “Conditio Sine Qua Non”, kusht pa të cilin nuk bën!

Tribuna: A mundet presidentja të ndërhyjë dhe duke u thirrur në daljen nga kjo bllokadë të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme?
Smaka: Përderisa për dështimin e zgjedhjes së Presidentit/es përkatësisht për dështimin e formimit të Qeverisë së RK-së, në Kushtetutë, ndër të tjera është stipuluar klausa për shpallje të zgjedhjeve të përgjithshme dhe për shpërbërje të Kuvendit, ajo klausë referuar dështimit të zgjedhjes së kryetarit përkatësisht të kryesisë së Kuvendit të RK-së nuk është stipuluar! Megjithatë në bazë të interpretimit logjik të rasteve te para Analogia Iuris, Presidentja, me justifikimin se kjo legjislaturë nuk ka kapacitet për t’u vetëfunksionalizuar, do të mund të shpallte zgjedhje të përgjithshme të jashtëzakonshme dhe kjo zgjidhje duket e pashmangshme e cila sa më parë aq më mirë do të praktikohej. Në këtë kontekst për t’u krijuar baza juridike eksplicite për shpallje të zgjedhjeve të përgjithshme nga Presidentja, nuk përjashtohet as varianti i konstituimit të Kuvendit në mënyrë që në bazë të më nenin 82 par. 1 al. 2 të Kushtetutës, që vetë Kuvendi në sajë të shumicës së kualifikuar pra të vetëshpërndahej e të shpalleshin zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme! Në rastin e fundit, fakultativisht, do të mbetej në diskrecionin e Presidentes që të shpërndante ose jo Kuvendin e RK-së ( n. 82 par 2 i Kushtetutës).