KKVITI

Zaptimi rrënon Rendin Kushtetues!

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Burim Ramadani – Rendi Kushtetues i Kosovës, në pikëpyetje”. Kështu e ka titulluar shkrimin për gazetën Tribuna, këshilltari i deputetit Hashim Thaçi, Adri Nurellari, të botuar më 20 shtator 2014.

Në fakt, me titullin nuk kam asnjë problem. Në të vërtetë, është më shumë sesa vënie në pikëpyetje. Ka qartazi veprime rrënuese.

Duket qartë se Rendin Kushtetues në Kosovë disa njerëz po tentojnë ta rrënojnë. Tashmë, këtë e kanë marrë vesh të gjithë. Edhe vetë rrënuesit. Pikërisht ata që rrënuan çdo gjë gjatë këtyre shtatë viteve të kaluara.

Rrënuan demokracinë, edhe ashtu krejt në fillimet e veta në Kosovë. Qysh me ardhjen në pushtet, në fillim të vitit 2008, filluan mega-korrupsionin dhe deri në mes të vitit 2014 arritën ta zaptojnë shtetin. T’i zaptojnë institucionet e pavarura, borde e çborde, shërbimin diplomatik, universitetet publike, byronë e sigurimeve, një pjesë të madhe të medieve, e çka jo tjetër.

Prandaj, edhe mund të pranohet si e qëlluar pikëpamja konstatuese që Adri Nurellari jep për vënien në pikëpyetje të Rendit Kushtetues në Kosovë. Kësaj duhet t’i shtohet edhe rrënimi! Kjo tendencë rrënimi të Rendit Kushtetues kishte filluar qysh në festimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008. Secilit na kujtohet se si buxheti për festimin e shpalljes së pavarësisë ishte vjedhur në mënyrë të tmerrshme. Dhe, po flasim për muajin e parë të qeverisjes gjysmë-autoritare të tashmë deputetit Hashim Thaçi.

Por, nuk do mend se argumentet të cilat Nurellari i rendit në shkrimin e tij janë plotësisht në kundërshtim të asaj që tenton të ndërtojë si ngjarje.

Në fakt, këshilltar i kujt është Adri?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje besoj se tregon qartë se ku jemi. Hashim Thaçi është deputet i Kuvendit të Kosovës. Mandati si deputet i ka filluar më 4 korrik 2014, në ditën kur KQZ ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 8 qershorit 2014. Pastaj, më 17 korrik 2014 ka dhënë solemnisht betimin si deputet i Kuvendit të Kosovës.

ARKATANA

Porse, edhe më tutje ka vazhduar të marrë vendime ekzekutive. Kjo, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, deputetët nuk mund as të ushtrojnë ndonjë funksion tjetër ekzekutiv, e lëre më të marrin vendime për punësime, sikurse ka qenë rasti me vendimin për Sekretarët e Përgjithshëm të disa Ministrive dhe kryeshefat ekzekutivë të disa Agjencive (shih informatën në http://www.kryeministri-ks.net/?page=1,9,4403).

Neni 72 [Papajtueshmëria] i Kushtetutës së Kosovës përcakton shprehimisht se: “Deputeti i Kuvendit të Kosovës nuk mund të mbajë ndonjë post ekzekutiv në administratën publike ose në ndonjë ndërmarrje në pronësi publike, dhe as të ushtrojë ndonjë funksion tjetër ekzekutiv, sikurse është përcaktuar me ligj”.
Pra, kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës së Kosovës nga ana e deputetit Thaçi dhe disa deputetëve tjerë të partisë së tij, të cilët po e bëjnë këtë për të sistemuar partizanët e PDK-së dhe njerëzit e afërt me ta.

Tentimi për rrënimin e Rendit Kushtetues shihet qartë kur përzihet ushtrimi i pushtetit. Kur një deputet (Thaçi) merr vendim për sekretar të Ministrive dhe kryeshefa të Agjencive, nuk ka sesi të mos konstatohet rrënimi i Rendit Kushtetues!

Besoj, që Adri (si këshilltar i deputetit Thaçi) e ka menduar më shumë këtë pjesë të rrënimit të Rendit Kushtetues. Pra, nuk ka vetëm vënie në pikëpyetje të Rendit Kushtetues, por edhe rrënim praktik të tij. Sepse, zaptimi i shtetit dhe i vendimmarrjes, sikurse edhe përzierja e pushteteve, është rrënues për Rendin Kushtetues!

Sidoqoftë, tashmë është e qartë se shumica parlamentare në Kosovë ka vendosur:
Rendi “Kushtetues” i PDK-së po merr fund, Adri!

(Autori është sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – AAK. Ky shkrim është bërë për gazetën Tribuna)