ARKATANA

Remi: Koalicioni PDK-LDK, punë e kryer

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Rrustem Mustafa-Remi nga PDK-ja po dyshon në qëndrueshmërinë e koalicionit LDK-AAK-Nisma. Ai, gjatë një interviste për RTK , e ka bërë fakt të kryer koalicionin PDK-LDK, për të cilin tha se është negociuar. Mirëpo, Ismet Beqiri nga LDK-ja i ka quajtur absurde këto deklarime.

Megjithë deklarimet e vazhdueshme se blloku LDK/AAK/Nisma është i palëkundur, Rrustem Mustafa nga PDK-ja, vazhdon të besojë në krijimin e një koalicioni ndërmjet partisë së tij dhe të LDK-së.

Ai madje thotë se ky koalicion tashmë është punë e kryer dhe se kjo do të shihet në seancën e 12 shtatorit.

Mustafa gjithashtu ka thënë se negociatat për këtë koalicion, të cilit i referohet si koalicioni i madh, janë duke u zhvilluar ndërmjet udhëheqësve të partive.

UBT

Mirëpo, këto deklarime, për sekretarin e përgjithshëm të LDK-së, Ismet Beqiri, janë absurde.

Ai, gjatë një interviste për RTK3, i ka quajtur gënjeshtra deklaratat e Rrustem Mustafës, duke i cilësuar si propagandë e orkestruar me qëllim të hutimit të opinionit.

“Remi është simpatik më këto deklarata por janë rrena dhe propagandë”, tha Ismet Beqiri për RTK.

Beqiri u shpreh i sigurt se në seancën e 12 shtatorit, Isa Mustafa do të rizgjidhet kryetar i Kuvendit. Ai njoftoi gjithashtu se deputetët e Bllokut do të qëndrojnë në sallë edhe gjatë procesit të votimit për kandidatin e PDK-së, për të pritur, siç ka thënë, dështimin e këtij votimi, për të vazhduar më pas me propozimin e emrit të liderit të partisë së tij, Isa Mustafës, nga më shumë se 2/3 e deputetëve të Kuvendit. /rtk/