Një njeri sikur Ramiz Kadriu
Kur përmendet emri i Ramiz Kadriut, mendja të shkon menjëherë në shumë drejtime. A të mendosh për këtë njeri si për një poet, një shkrimtar, publicist, si një mësues, një veprimtar të çështjes kombëtare, apo … Vështirë të përcaktosh dhe të theksosh vetëm njërin dimension për një njeri aq të madh.
Duke qenë se ishte edhe mësuesi im, Ramiz Kadriun e kam vizituar disa herë. Dhe, secilën herë që e takoj këtë njeri, vazhdimisht mësoj diçka të re nga ai. Dikur, nga ky mësues i mësoja shkronjat e para të alfabetit, kurse tash më vjen një mësim i ri: përvoja e tij e jetës.
Në të vërtetë, për kohë të gjatë, mësuesin Ramiz e kanë goditur shumë herë sfidat e jetës. Por, me gjithë vuajtjet e rënda dhe goditjet e jetës, ai ka gjetur durim dhe forcë për të vazhduar më tej. Urtësia e tij është evidente dhe pasqyrohet shumë mirë edhe në veprat e tij.
Siç na e sqaroi edhe neve, mësuesi Ramiz ka publikuar rreth 18 vepra të ndryshme, që nga librat me poezi e deri te librat e fundit – dokumentues të kulturës, traditës, veshmbathjes, e zakoneve të shqiptarëve të Medvegjës. Këto vepra, të shkruara përgjatë 20 vjetëve, do të jenë pasqyrim i jetesës së shqiptarëve të Medvegjës dhe krenari për të kaluarën në vendlindjen tonë të dashur. Pa dyshim, përmbajtja e këtyre librave do të shërbejë si pikë orientuese për studime të ardhshme dhe si dokumentim të jetesës së shqiptarëve në Medvegjë.
Në librin “Veshje nusërie nga Medvegja”, mësuesi Ramiz na e paraqet një pasqyrë shumë të vlefshme të veshjes kombëtare – unike dhe shumë të bukur të nuseve të Medvegjës. Kjo veshje, me gjithë elementet përkatëse kombëtare, dallon me specifikat e saj nga të gjitha veshjet e qyteteve tjera shqiptare. Për këtë arsye, dokumentimi i kësaj veshje me anë të fotografive të bëra në të kaluarën, është i një rëndësie të veçantë.
Ndërsa, në librin e fundit të publikuar nga mësuesi Ramiz: “Nënëloket tona nga Medvegja”, po ashtu nëpërmjet fotografive të ndryshme, është paraqitur dukja, veshmbathja, si dhe karakteri i nënave nga Medvegja. Këto nënëloke, siç i quan mësuesi Ramiz, kanë qenë shtyllë e fortë e familjes shqiptare. Vuajtjet, durimi dhe qëndresa e tyre është e jashtëzakonshme. Për këtë arsye, në shenjë të mirënjohjes për kontributin e tyre, mësuesi Ramiz i ka paraqitur ato në një libër të veçantë dhe shumë domethënës.
Ky libër është shumë domethënës, ngase shumë medvegjas aty mund të gjejnë fotografi të familjareve të tyre. Dikush në këto fotografi mund ta sheh nënën e vet, dikush motrën, gjyshen, apo edhe të afërm të tjerë.
Në këtë kontekst, gjeneratat e reja do të mund të shohin për së afërmi se kush ishin paraardhëset e tyre, si kanë jetuar ato dhe çfarë pamje kanë pasur.
Natyrisht, të flasësh për veprat e Ramiz Kadriut, do të duhej bërë studime më të thella. Përveç kuantitetit të veprave të tij, duhet pasur parasysh edhe ndjeshmëria e tematikave, si dhe rëndësia e tyre artistike dhe shkencore.
Prandaj, me shpresë dhe me bindje se në të ardhmen do të flitet më shumë për këtë mësues të madh, e përfundoj këtë opinion timin me mendimin se: “veprat e njeriut janë pasqyrim i shpirtit të tij”, prandaj edhe veprat e mësuesit Ramiz, tregojnë shumë për shpirtin e tij human dhe dashamirës./Shkruan: Mr.Sc. Gëzim Zeqiri-medvegja.net/


