Hidromorava

Promovohet libri me poezi “Përtej poleve të jetës” i Fehmi Korçës

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – “Përtej Poleve të jetës”, është vëllimi poetik i autorit, tani më të ndjerë”, Fehmi Korça, që është përuruar para gjilanasve, dashamirë të fjalë poetike. “Murlani i jetës” ishte poezia e cila hapi këtë ngjarje kulturore në Gjilan, e cila u deklamua nga Gentjan Banaj, poeti Fierak, për të vazhduar me refleksionin “pasaporta e pasjetës e Fehmi Korçës”, mbi këtë libër, që e paraqiti Valentina Dafa, redaktore e librit.

Dafa tha se koha dyvjeçare e ngjizjes së vëllimit poetik “përtej poleve të jetës”, dhe përfshirjes në veprimtarin kulturore (Gjermani-Shqipëri-Kosovë), na bënë të kuptojmë se Fehmi Korça filloi të mendojë se krijimtaria artistike ishte leva e Arkimedit për të mbushur shpirtin me një tjetër frymë, duke e ushqyer me artë.

“Ai diti që me fjalën të përcjellë përvojën e qenies në trajektoren ekzistenciale që përshkon shtegtimin në kohë dhe në hapësirë, ai diti ti shpërthejë matricat e brendësisë shpirtërore që përplaseshin për sfidë”, ka thënë Dafa.

Ajo shtoi se në fizionominë e krijimtarisë së Fehmi Korçës, s’kemi të bëjmë me një rrjedhë të ekuilibruar në prurje, por me vrulle klithmash që ndërtonin dhe përsosnin unin e tij, në art, unik lirik, që tani po dukej qartë duke u larguar gjithmonë e më shumë krijimtarisë formale dhe përsiatjeve.

“Në vëllimin e parë “Nuk jam larg”, dukeshin rrënjët e brishta të krijimtarisë , një krijim i kërkuar që nuk kishte të bënte me dhunti, por me mendim të kultivuar sipas rrethanave jetësore, pra thjeshtë, poezi e rrethanave. Ndërsa në këtë vëllim i ndeshim më të përzgjedhura ekstraktet jetësore, ndeshim motive reale, të cilat trajtojnë aspekte të ndryshme sociale, historike, të shprehur shumë thjeshtë, ndaj dhe rryma lirike e Fehmi Korçës bëhet tërheqëse e gjithëpërfshirëse”, ka thënë ndër tjerash redaktorja e këtij libri Valentina Dafa.

Hidromorava

Ndërsa, krijuesi Sarë Gjergji ka thënë në fjalën e tij se Fehmi Korça përmes një shprehjeje të sinqertë e toni kritik, vjershat e tij vijnë si një reagim ndaj dukurive destruktive e johumane të kohës, që për bazë kanë referenca, para se gjithash, të karakterit politik.

“Në këtë kontekst poezia e Fehmiut ngreh shqetësime, dilema e pikëpyetje të rëndësishme, që lidhen me ekzistencën dhe fati ne njeriut tonë. Në këtë frymë poezia e tij është një rrëfim, një dramë mbi fatin e njeriut të “ikur” (detyrimisht), nga vetvetja, siç është edhe fati i mërgimtarit”, ka thënë Gjergji.

Për autorin përkatësisht për librin e tij “Përtej poleve të jetës folën edhe Don Lush Gjergji e Tahir Arifi”, ndërsa poeti fierak Gentjan Banaj, që njëherësh është edhe recensentë i librit, përveç deklamimeve të disa poezive të Fehmi Korçës, ka shpalosur disa mendime rreth krijimtarisë së Korçës, por edhe ka prezantuar biografinë e autorit.
Ndërkohë që është thënë shkurtimisht edhe ajo se si e kanë parë të tjerët krijimtarinë përkatësisht librin në fjalë të Fehmi Korçës, që janë mendime pjesë e librit, si Don Lush Gjergji, Petraq Kote, Fran Ukcama, Hasan Bunjaku, Faton Bislimi e të tjerë.

Një mirënjohje postmortum për autorin Fehmi Korça, iu nda nga komuna e Gjilanit përkatësisht nga kreu i komunës Lutfi Haziri, që nga drejtori i Kulturës Bujar Haziri iu dha bashkëshortes së poetit të ndjerë./rajonipress/