Vepra madhore e Autorit Afrim Mustafa vazhdon jehonën dhe promovimet
Promovimi i enciklopedisë kombëtare “Bardhësitë e atdheut” në vendlindjen e autorit. Në mesin e mysafirëve të shumtë në Promovimin e Enciklopedisë Kombëtare,” Bardhësitë e Atdheut”, merrnin pjesë edhe Komandant “ Sharri” ( Xhabir Elezi), Komandant Mala, shkrimtari i njohur, Mustafa Spahiu, komandanti i Policisë së Kaçanikut, Afrim Halili dhe shumë të therë
(Nga: Ekipi Promovues i Enciklopedisë Kombëtare,
” Bardhësitë e Atdheut”)
Prezantimet dhe promovimet e suksesshme të Enciklopedisë Kombëtare të Autorit, Veteran dhe Reporter i Luftës së UÇK-së po vazhdojnë me sukses. Kjo vepër enciklopedike, e cila përfshin 2225 Dëshmorë të të tri luftërave të UÇK-së tashmë ka bërë jehonë, jo vetëm në Kosovë, Kosovën Lindore, Maqedoni, por edhe në Shqipëri dhe jashtë trojeve shqiptare. Autori i kësaj vepre gjithprezantuese dhe gjithëpërfshirëse për Dëshmorët, z. Afrim Mustafa, gjatë promovimeve tregoi me respekt për nisjen, shkrimin dhe publikimin e enciklopedisë, të cilën ai e kishte nisur, qysh në frontet e luftës, ndërsa e përfundoi dhe e botoi pas një pune të pandalshme, plot 13 vjeçare.
“Bardhësitë e Atdheut” deri tash përjetoi 49 promovime solemne masive publike nëpër qytete e vendbanime të ndryshme, si në Ferizaj, Prishtinë, Shkup, Strugë, Dibër, Mitrovicë, Kumanovë, Tetovë, Mitrovicë, ndërsa autorit i kanë bërë pritje edhe nga disa institucione të ndryshme dhe liderë të tyre, si ish- kryeministri Sali Berisha në Tiranë, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë, z. Sylejman Rexhepi, kryetarët e Ferizajt, Bajrush Xhemajli dhe Agim Aliu, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, kryetari i Strugës, Ramiz Merko, kryetari i Çairit- Shkup, z. Izet Mexhiti etj. Në vazhdën e prezantimeve dhe promovimeve të Enciklopedisë, ‘Bardhësitë e Atdheut”, vepra e veçantë, e cila përfshin 2225 Dëshmorët e Kombit të luftërave të UÇK-së, në Kosovë, Kosovë Lindore dhe në Maqedoni, enciklopedia është promovuar në fshatin Elezaj të Kaçanikut, në ambientet e Shkollës Fillore,” Nazmi Osmani” të këtij vendi.
Para mysafirëve të shumtë, të cilët kishin ardhë nga anë të ndryshme të Republikës së Kosovës, akademia promovuese u hap me intonimin e himnave: Himnit Shtetëror të Republikës së Kosovës dhe Himnit Kombëtar Shqiptar. Të tubuarve të shumtë nga Ferizaj, Prishtina, Shkupi, Haraçina, Kaçaniku, Vitia, Lipjani, Prizreni, Shtimja, Podujeva, Kukësi, Hani i Elezit dhe vende të tjera, fillimisht, u foli vetë
autori i Enciklopedisë Kombëtare, “ Bardhësitë e Atdheut”, z. Afrim Mustafa, i cili bëri hapjen e manifestimit dhe ftoi të pranishmit që me një minutë nderim, të nderohen dhe përkujtohen dëshmorët dhe të rënët e filjuar për Lirinë dhe për Pavarësinë e Kosovës…
Pas hapjes dhe nisjes së akademisë promovuese nga z. Mustafa, para të pranishmëve referoi z. Ismail Selmani- Mala, njëri nga komandantët e njohur të luftës së UÇK-së, e që ishte pjesëmarrës në të tri luftërat çlirimtare. Komandant Mala, duke folur dhe lartësuar enciklopedinë e dëshmorëve të luftërave të UÇK-së dhe autorin Mustafa, tha se, Autori ka bërë një punë kolosale dhe të veçantë për kombin shqiptar.- “Vepra e Afrim Mustafës është enciklopedi, e cila duhet të gjendet nëpër të gjitha shtëpitë dhe familjet shqiptare, andaj ftoj për përkrahje të gjithë ata që kanë mundësi, institucionet dhe të gjithë dashamirët e përkujtimit dhe nderimit të dëshmorëve përmes kësaj vepre madhore”, tha komandant, Mala.
Më tej, duke folur për vlerat e mëdha të kësaj enciklopedie, komandant Mala ka përgëzuar autorin dhe i ka premtuar atij se, shokët e tij të luftës e të idealit, do t’i ketë gjithmonë radhaz dhe do ta përkrahin, gjithherë, e në veçanti, derisa autori Afrim Mustafa ta ribotojë enciklopedinë në mijëra ekzemplarë dhe ta përkthejë veprën madhore edhe nëpër gjuhë të ndryshme të botës… Fjalët e Komandant Malës para shumë të tubuarve ishin shumë emocionuese dhe ato u mirëpritën me duartrokitje dhe respekt të gjatë, ndërsa më pas, fjalën e mori edhe z. Bajram Rama, luftëtar i UÇK-së, i cili erdhi këtu nga rajoni i Podujevës. Rama tha se, ka krenarinë që flet për një vepër të veçantë dhe një autor i cili e ka bërë enciklopedinë, falë punës së tij shumëvjeçare, të papritueshme dhe plot sakrificë. Autorin e njoh qysh nga raportimet e tij nga frontet e luftës, ku Afrimi ishte reporter i lavdisë, së pari nga Drenica legjendare, ku veproi nga viti 1998, por edhe nga Zona e Nerdoimes, nga e cila gjithashtu, ai raportoi drejtpërdrejt nga lufta.
Enciklopedia Kombëtare, “ Bardhësitë e Atdheut”, na duhet të gjithëve, andaj ftoj të gjithë ata që kanë mundësi që ta ndihmojnë autorin dhe punën e tij shkencore e hulumtuese, theksoi ndër të tjera, Bajram Rama, bashkëluftëtar dhe bashkëveprimtar i autorit Mustafa. Mysafirëve të tubuar në promovim, u ligjëroi edhe shkrimtari i njohur shqiptar nga Shkupi, por me prejardhje nga Kamenica e Kosovës, z. Mustafa Spahiu.
Në ligjërimin e tij tejet interesant, poeti dhe krijuesi, Mustafa Spahiu, tha se, Autori dhe kolegu i tij, Afrim Mustafa, duhet përgëzuar uruar dhe mbështetur në çdo kohë dhe në çdo moment… – “ Autori ka një elan të veçantë, ka energji qiellore dhe diellore, andaj duhet ta mbështesim dhe ta përkrahim … Jam i nderuar që marr pjesë dhe flas këtu, në këtë akademi për “Bardhësitë e Atdheut” dhe kjo vepër enciklopedike është dashuria, Shpirti dhe Krenaria jonë, të cilën me respekt dhe me punë të madhe na e ka sjellë autori nderuar në jetë. Të gjithë ata të cilët, kanë dëshirë ta njohin UÇK-në dhe dëshmorët, këtë mund ta bëjnë përmes leximit të veprës madhore të Autorit të çmuar, Veteranit dhe reporterit të Luftës, Njeriut të palodhshëm, kolegut tim, Afrim Mustafa, ka thënë ndër të tjera shkrimtari dhe publicist i njohur nga Shkupi, z. Mustafa Spahiu.
Për t’i nderuar të tubuarit dhe pjesëmarrësit e shumtë, në skenë doli edhe protagonist i akademisë promovuese dhe autori i Enciklopedisë,” Bardhësitë e Atdheut”, z. Afrim Mustafa. AI, pasi ka përshëndetur dhe falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe nderimin e thellë, ka treguar për nisjen, shkrimin dhe për publikimin e veprës gjithëpërfshirëse dhe gjithprezantuese me të gjithë 2225 Dëshmorët e Kombit të luftërave të UÇK-së. – “Jam i nderuar që gjendeni këtu dhe ju falënderoj që, bashkë po e nderojmë dhe promovojmë veprën time, e cila, tashmë nuk është veç imja, por e të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, në Kosovë dhe në trojet shqiptare… 49 promovime deri tash, ndërsa sot, jam krenar që promovimin e pesëdhjetë e bëjmë në vendlindjen time, në Elezaj, ku kam lindur dhe ku i kam marrë mësimet e para në këtë trevë dhe në këtë shkollë, ka theksuar ndër të tjera, autori dhe publicisti mbarëkombëtar, z. Afrim Mustafa. Mëtej,
Mustafa, ka falënderuar dhe nderuar disa bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë nga anë të ndryshme të Kosovës dhe Shqiptarisë me nga një mirënjohje për kontributin e tyre dhënë në kohë dhe rrethana të ndryshme për rritën, promovimet dhe ribotimet e enciklopedisë me përmasa mbarëkombëtare. Me mirënjohje u nderuan: Komandanti i UÇK-së, Xhabir Elezi, Komandant Mala, Bajram Mustafa ( Veteran i Arsimit), Afrim Halili, komandant I Policië Lokale të Kaçanikut, Bashkim Xhokli, veprimtar, Bashkëluftëtarët: Hizer Gashi( nga Shtimja) Fatmir Luzha, Muhamed Kuka, Ilir Cakaj (nga Podujeva), Xhevdet Avdyli, Xhelil Neziri, Fadil Emërllahu, Komandant “ Bokseri” nga Shkupi, por edhe veprimtarët: Gazetari shumëvjeçar, Berat Mustafa , arsimtari nga Vitia, Lazim Mema, Milaim Mjaku, ligjëruesi universitar, Astrit Mustafa, Valon Ramadani, Mehdi Rexhepi ( babai i martires, Sanije Rexhepi nga Ferizaj ), drejtoresha e Shkollës në Elezaj, Hanife Shorra. Pas akademisë promovuese, të pranishmit kanë marrë pjesë në një koktej, sponsoruar nga bashkëveprimtarët e autorit, z. Ilir Cakaj nga Llapashtica e Podujevës dhe z. Hizer Gashi ( “ Besimi Comerc”) nga Shtimja./rajonipress/


