ARKATANA

Memli Krasniqi: Blloku të tërhiqet nga bllokada e panevojshme politike

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, thotë se është e papranueshme gjuha me të cilën disa parti dhe figura politike po e sulmojnë Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, të njëjtit, po këtë gjykatë, para disa javësh e ngritën në qiell me vlerësimet e tyre.

Krasniqi ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i drejtë dhe kushtetues, “jo pse e konfirmoi të drejtën e PDK-së për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, por sepse ia dha këtë të drejtë partisë/koalicionit që doli fitues nga zgjedhjet e 8 qershorit”.

“Si institucioni më i lartë përfaqësues, Kuvendi duhet të jetë pasqyrë e vullnetit të popullit e jo të degradohet në arenë të kalkulimeve politike paszgjedhore të partive humbëse të zgjedhjeve”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Krasniqi thotë se Gjykata Kushtetuese është shembull për punën e pavarur dhe prezenca e gjyqtarëve ndërkombëtar, sipas tij, e ka forcuar këtë pavarësi.

Hidromorava

“Fundja, vlerësime të larta për këtë gjykatë kanë dhënë edhe personalitete e institucione ndërkombëtare me renome.
Andaj, është e papranueshme gjuha me të cilën disa parti dhe figura politike po e sulmojnë Gjykatën Kushtetuese. Të njëjtit, po këtë gjykatë, para disa javësh e ngritën në qiell me vlerësimet e tyre. Si u bë që tash, vetëm disa ditë më vonë, po japin vlerësime diametralisht të kundërta?!”.

Memli Krasniqi thotë se frustrimet e momentit duhet t’i lëshojnë rrugë racionalitetit politik.

“PDK gjithmonë ka respektuar vendimet e institucioneve të pavarura, edhe kur ato nuk kanë qenë të favorshme për ne. Për PDK-në, gjithmonë në rend të parë do të jetë interesi shtetëror e qytetar dhe shpresoj se edhe akterët e tjerë politik dhe shoqëror do ta ndjekin këtë mendësi.
Gara politike në demokraci është e gjatë. Ndonjëherë fiton, ndonjëherë humb. Liderët e vërtetë dinë ta pranojnë edhe humbjen dhe ata do të duhej të shikojnë përtej interesave momentale personale e partiake. Të tillët, nëse ka ndonjë në bllokun opozitar, para së gjithash duhet të dëshmojnë respekt për interesat e vendit, të pranojnë vendimet e institucioneve të pavarura dhe të tërhiqen nga bllokada e panevojshme politike”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. /Telegrafi/