Eko Higjiena

Taktika vetëbllokuese e Koalicionit

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Nga Xhemal Ahmeti – Hashim Thaçi do qeveri gjithëpërfshirëse. Atë version, pra që ne muaj para zgjedhjeve e plasonim si «helvetizim të politikës kosovare» (15.05. 2014 në exilvox.org dhe Gazetablic: 15.06. 2014 dhe më herët) në favor të një stabiliteti afatgjatë e të nevojshëm për konsolidimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor kosovar.

Modeli i preferuar u huazua modifikueshëm (si kornizë) nga sistemi zviceran, i cili u mundëson të gjitha partive kryesore pjesëmarrje dhe përgjegjësi në pushtet.

Para zgjedhjeve, mirëpo asnjëra nga partitë e mëdha, e më hiç nuk dëgjonte/lexonte brigada kokëboshe e kryeneçe e kryeministrit në post, nuk kalkulonte për gjë tjetër veçse për pushtet. Tash? PDK-ja doli fituese e zgjedhjeve.

Jo me ndonjë dallim modest, por konform prognozave që parashihnin se votuesi do t’i lë kokë më kokë pozitën dhe opozitën, duke i detyruar të jenë përgjegjës për atë se a do të fundoset apo përparojë demokracia kosovare katër vjetëve të ardhshme. U formua Koalicioni postelektoral LDK, AAK, Nisma dhe bëri gabimin dramatik taktik po edhe kushtetutar. Pse?

Deri më tani u botuan mijëra tekste, plane, strategjira, kalkulime që tifozojnë o pro koalicionit o pro Hashim Thaçit. Se ligjet dallojnë nga emocionet sportive e dinë sidomos njerëzit që nuk anojnë politikisht.

Gjykata Kushtetuese gjendet përballë një presioni të paparë jo sepse nuk di se si të gjykojë (Kushtetuta nuk ndërrohet sipas interesave personale) por se i mveshën kompetenca që po t’i ekzekutonte do të përshëndeste jo shumë vonë burgjet. Çka thotë Kushtetuta? E ç’demokracie garantoi ajo?

Ligjet
1. Koalicioni shpërfilli Nenin 67, al. 2 që thotë: «Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhjet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit». Nga GRUPI e jo KOALICIONI pra. Me Grup Parlamentar nënkuptohet partia me numrin më të madh të deputetëve, për këtë arsye PDK-ja bëri koalicionet para e jo pas zgjedhjeve.

Exkurs:
Taktikisht gabim sepse Koalicioni duhej fillimisht të votojë kryetarin e Kuvendit të propozuar nga PDK-ja për mos e bllokuar sistemin dhe shtetin me rezervën për ta shkarkuar atë pas inaugurimit të Qeverisë. Ligjërisht sepse:

2. Kushtetuta nuk ofron kode multiinterpretative në këtë drejtim, d.m.th. Neni 67 nuk disponon ne nene apo alineje kontrafaktike që do të lejonte manovrime dhe do t’u lejonte gjykatësve mundësi të mos e shpallnin zgjedhjen e Isa Mustafës si akt të paligjshëm të Kuvendit.

3. Pas heqjes së kësaj bllokade të krijuar ligjore nga Koalicioni mund të hyjë në funksion presidentja, e cila «cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të PARTISË politike ose të KOALICIONIT, që përbën shumicën e Kuvendit» (Neni 84.14).

Demokracia

1. Legjitimitetin e Koalicionit për të krijuar qeverinë e jep Neni 4. Alineja 1 e Kushtetutës e cila determinon: «Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe të kontrollit e balancimit në mes tyre, sikurse është përcaktuar me këtë Kushtetutë».

Mobi Casa

Exkurs II – interpretim:

Për Kushtetuesen dhe presidenten është irelevante (ligjërisht) se kush i troket në derë me numrat në xhep për të krijuar qeverinë PDK apo KOALICIONI. Për komandanten e Forcave të Armatosura dhe garantuesen e funksionimit të institucioneve të shtetit (84.2) vlen vetëm «shumica e garantuar dhe e qartë» në përputhje me Alinenë 14 të Nenit 84 si dhe përgjegjësia për të mos e përmbytë vendin në vakuumin deinstitucional.

Po ky përcaktim kushtetutar identifikon demokracinë kosovare si të «shumicës» ku të gjitha variantet e sundimit janë të mundshme; një parti me shumicë absolute sundon pa asfare koalicioni (Brunswick 1987 dhe gati rregullisht në Meksikë); si koalicion pa partinë me shumicë votash (Britani 1951, 1978, 1981, Zelandë e Re dhe Quebec 1998 e në shumë vende tjera të demokracive perëndimore).

Një segment tjetër më se i rëndësishëm që sugjeron/obligon drejt helvetizimit është edhe interpretimi sekondar (primar ai i ndarjes së legjislativit, ekzekutivit, etj.) i Nenit 84, respektivisht ai i semifjalisë: «ndarjes së pushteteve dhe të kontrollit e të balancimit në mes tyre». Për nga praktika demokratike e dimë që pushtetet e kontrolluara nga një parti apo ideologji të vetme nuk arrijnë dot të garantojnë kontrollin dhe balancimin e nevojshëm, përkundrazi implikimi i mekanizmave të tillë i ofron vetëm një kombinatorikë shumëpartish dhe e detyruar në kompromise, konsensuse, konkordanca dhe evoluime publike.

Çka (nuk) duhet të ndodhë?

Çdo vendim ndryshe i Kushtetueses do të ishte antikushtetues. Po që se koalicioni do t’i rezistonte në ndonjë formë verdiktit të institucionit më të lartë ligjor të vendit, duke mos e njohur vendimin e tij do ta bënte gabimin e dytë të radhës dhe ndoshta edhe me konsekuenca edhe të më të rënda për veten dhe për stabilitetin e shtetit.

PDK-ja nëse nuk arrin me kohë të krijojë shumicën e nevojshme për të shkuar tek presidentja duhet të heqë dorë nga kamuflimet dhe veprimet destruktive dhe të lëshojë me dinjitet institucionet për koalicionin legjitim në çdo version të demokracisë si sistem politik.

Alternativa

Hashim Thaçi dhe Qeveria e tij do të jenë sjellë tepër arrogantë, të korruptuar (edhe pse brenda koalicionit ka edhe maratonistë në këtë drejtim) dhe sidomos intrigantë e bukëshkelës ndaj ish-partnerëve të tyre që të shkaktojë një aversion kaq të rëndë në gjithë spektrin e gjerë politik përtej klikës së ngushtë.

Ministrat, këshilltarët dhe varësit e tij do të hyjnë në politohistorinë kosovare si divizioni më i kotë i kohës së re. Veçanërisht, pas faktit se vetëm Hashim Thaçi e shpëtoi PDK-në dhe atë duke e mbrojtur atë gjithandej nga dëmi i të vetëve ia mbyll udhën çdo komenti të mëtejmë. Ndoshta do të lëvizë diçka në drejtim të një «qeverie gjithëpërfshirëse», pra drejt një «helvetizimi të domosdoshëm e konstruktiv» për interesa të vendit, mirëpo kjo i ngjan sikur t’i besosh ndonjë mrekullie që parakushtëzon një metanojë me varikinë të Thaçit dhe kompani.

Megjithatë, përbashkimi i të gjitha forcave në një qeverisje do të ishte njëkohësisht edhe pajtimi më sensacional ndërshqiptarë me përmasa më të mëdha sesa ai i gjaqeve. Sido që të jetë, me apo pa Thaçin demokracia kosovare jo se ka ecur në krahasim me të tjerat, por ka kërcyer shumë shkallë përnjëherë: helvetizimi do të ndodhë si më stabili në historinë e demokracive në një vend foshnjë në lirinë e tij.