Shkullaku: Arrestimet ishin të koordinuara me CIA’në
Arrestimi i 40 kosovarëve të dyshuar për terrorizëm në Kosovë vjen pas aksionit të policisë së Shqipërisë, ku ishin burgosur 13 persona. Dy aksionet ishin të koordinuara mirë me shërbimin Inteligjent Amerikan (CIA).Veprimi i Policisë së Kosovës nuk ka qenë i papritur, por i mirëllogaritur që të japë efektet e duhura në frenimin e një fenomeni që mund të dilte jashtë kontrollit. Sidoqoftë, Lufta kundër terrorizmit nuk duhet të shfrytëzohet për përfitime politike. Analisti Armand Shkullaku, flet për Express.
Express: Në Kosovë ka nisur një aksion i madh i policisë së Kosovës ndaj të dyshuarve për përfshirje në organizata terroriste me seli në Siri dhe Irak. Si e keni parë ju këtë aksion të Shtetit të Kosovës?
A.Shkullaku: Ka qenë një aksion i pritshëm, pavarësisht se për publikun u duk i befasishëm dhe disi i papritur. Mendoj se ky aksion ka lidhje me vizitën para do kohëve të zyrtarëve të rëndësishëm amerikanë, (mes tyre dhe drejtues të CIA-s) të cilët erdhën edhe në Shqipëri, me shqetësim kryesor izolimin e elementëve radikalë islamikë. Atëbotë, numri i shqiptarëve që shkonin apo mund të ishin potencial për forcat terroriste në Siri, ishte shqetësues. Jo aq për numrin e tyre, që duhet thënë se është modest, se sa për rrezikun e përhapjes së një fenomeni që mund të dilte jashtë kontrollit. Kushtet e varfërisë ekstreme, depërtimi i rrymave ekstremiste islamike dhe ndikimi i tyre veçanërisht në zonat rurale, përbënin një potencial që mund të shpërhapej si virus në masë duke rrezikuar që numri i besimtarëve që shërbejnë si mish për top të rritej.
Kështu që ky aksion i shtetit të Kosovës është zhvilluar në këtë kuadër parandalues dhe si pjesë e një plani më të gjerë. Ai nuk ka qenë i papritur, por i mirëllogaritur që të japë efektet e duhura në frenimin e një fenomeni që mund të dilte jashtë kontrollit. Duke qenë pjesë e një plani të studiuar, nuk mendoj se ka qenë i papritur apo një lloj demonstrimi force, por është ndërmarrë pas përgjimesh, vrojtimesh dhe koordinimesh me partnerët ndërkombëtarë.
Express: Si është situata në Shqipëri sa i përket luftës ndaj të dyshuarve për terrorizëm dhe përfshirje me elementët radikalë islamikë?
A.Shkullaku: Dua të kujtoj se edhe në Shqipëri është zhvilluar para pak kohësh një aksion i tillë i ngjashëm. Aksion gjithashtu i mbështetur në raportet e shërbimit sekret amerikan dhe atij të Tiranës. Pas takimeve të këtij niveli, edhe në Shqipëri u shpallën urdhër arrestimet për rreth 13 persona, tetë prej të cilëve aktualisht gjenden në burg ndërsa pesë të tjerë janë në kërkim. Kujtoj se mes tyre ishin edhe dy imamë të vetëshpallur që ushtronin aktivitetin e tyre jashtë juridiksionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe që janë të dyshuar se rekrutonin besimtarë për t’i dërguar në Siri. Në këtë aksion u arrestua në Turqi dhe u ekstradua në Shqipëri edhe imami Gert Pashaj, i cili akuzohet se stërviste rekrutë për luftën në Siri në një kamp në Turqi.
Nga tetë të arrestuarit, vetëm dy prej tyre kanë pranuar të mbrohen nga akuzat. Të tjerët nuk kanë pranuar avokatë mbrojtës dhe kanë deklaruar se nuk e njohin autoritetin e gjykatave shqiptare, por vetëm atë të Allahut.
Express: Në Kosovë partitë politike kanë reaguar në mënyra të ndryshme, disa kanë përkrahur aksionin, disa kanë kërkuar të mos zhvillohen fushata kundër islamit. Reagimi i fundit ishte i Vetëvendosjes, e cila më shumë fajësoi mediat se sa që dënoi përfshirjen e shqiptarëve në luftëra sektare në Siri e Irak?
A.Shkullaku: Mendoj që kjo nuk është një fushatë, por një aksion i parapërgatitur dhe i koordinuar mirë me agjencitë e shërbimeve partnere. Si i tillë duhet mbështetur pa asnjë kushtëzim. Sa i takon Vetëvendosjes, mendoj që është nxituar duke i ndarë përgjegjësi mediave në këtë rast. Është një deklaratë e panevojshme, që vetëm sa krijon konfuzion. Duhet bërë kujdes që ndjeshmëritë elektorale të mos ndikojnë në tema të tilla delikate. Kujtoj se tre vjet më parë, Vetëvendosje patë lëshuar sallën e Kuvendit, ndërsa do të votohej për ndalimin e edukatës fetare në shkolla. Kjo forcë e majtë, pati deklaruar atëherë se secili individ do të duhej të ishte i lirë në zgjedhjen e vet se si të vishej, duke iu referuar ndalesës për mbajtjen e shamisë në shkolla. Atë kohë nuk munguan akuzat se lënia e sallës në VV u bë për arsye elektorale. Një shpjegim interesant për qëndrimet e VV kishte sot edhe Blerim Latifi në gazetën tuaj.
Express: Ish-Ministër i Punëve të Brendshme, Blerim Kuçi, aktualisht zyrtar i AAK’së, tha se Hashim Thaçi dhe PDK s’mund ta luftojnë ekstremizmin sepse falë tyre e kanë fituar pushtetin më 2010 si dhe kanë dalë të parët në zgjedhjet e fundit. Sipas jush, cila është e vërteta?
A.Shkullaku: Nuk mendoj se është mirë të bëhet politikë në çdo rast pa argumente logjike. Jo çdo gjë duhet shndërruar me agresivitet në kapital politik. Fakti që në një koalicion bën pjesë edhe një parti legale kosovare, nuk ka lidhje me luftimin ose jo të ekstremizmit fetar. Këto më duken deklarata naive. Aksioni i fundit është dëshmi se qeveria e Kosovës është në të njëjtën linjë me partnerët strategjikë në luftën kundër ekstremistëve islamikë. Nuk besoj se partitë e tjera në Kosovë i ka penguar koalicioni i Hashim Thaçit të shtojnë votat e tyre. E rëndësishme është që çdo lider politik të dëshmojë sinqeritet në distancimin ndaj elementëve radikalë dhe jo hipokrizi sipas interesave elektoralë.
Express: Si e keni parë reagimin e Presidentes Jahjaga ndaj arrestimeve të fundit dhe luftës kundër terrorizmit?
A.Shkullaku: Reagim normal zyrtar. Qëndrimi i Presidentes nuk përbën ndonjë çudi as edhe ndonjë lajm. Thjesht një përforcim më shumë i dëshmisë se shteti i Kosovës është i përcaktuar qartë drejt vlerave perëndimore.
Express: Ka pasur edhe reagime që kanë thënë se në Kosovë s’ka terrorizëm, por ka fukarallëk, skamje, papunësi e varfëri e korrupsion. Rrezikohet shteti i Kosovës nga terrorizmi më shumë apo nga faktorët tjerë që i përmenda?
A.Shkullaku: Janë të lidhura. Gjendja e rëndë ekonomike përbën një burim potencial që elementët ekstremistë ta shfrytëzojnë për të rekrutuar individë e për t’i përdorur më pas për akte terroriste. Por e rëndësishme mendoj se është kontrolli i vazhdueshëm i shtetit ndaj çdo financimi që futet në Kosovë nën mbulesën fetare dhe mbi të gjitha që Bashkësia Islame të jetë më aktive në rolin e saj. Kjo bashkësi duhet të ketë lidhje më të forta me imamët e saj dhe me besimtarët dhe të mos i përqendrojë energjitë në ruajtjen e ofiqeve të krerëve të saj.


