Celami: Të hapet proces kundër Dicky Martyt dhe Del Pontes për dëmtim imazhi
Kryetari i komunës së Gurrës në Mat të Shqipërisë, Mustafa Celami, ku ndodhet e ashtuquajtura ‘Shtëpia e Verdhë’, në një intervistë për Radio Kosovën, ka deklaruar se e ka mirëpritur faktin që prokurori Williamson nuk ka gjetur prova për akuzat e Dicky Martyt për trafikim organesh nga UÇK-ja dhe është shprehur i bindur se nuk do të gjenden kurrë provat e tilla, pasi nuk ka pasur diçka të tillë.
Madje ai ka kërkuar që paralelisht të hapet një proces, ku do të jepnin llogari edhe personat që kanë aplikuar akuza, sepse sipas tij dëmtimi i imazhit që i është bërë një komuniteti dhe një familjeje, e cila prej 15 vjetësh po përgojohet në gjithë botën, në të gjitha mediat, është i pakompensueshëm.
Zoti Celami, si duket më në fund i erdhi fundi ankthit disa vjeçar të hetimeve që prokurorët dhe hetuesit e EULEX-it, kanë nisur mbi bazën e akuzave të Carla Del Pontes dhe Dicky Martyt, se në komunën tuaj është bërë transplant organesh të ushtarëve serbë. Cili është komenti juaj pas deklaratës së prokurorit Wiliamson, se deri më tani nuk ka gjetur pohime të mjaftueshme për pohimet e Dicky Martyt për trafikim organesh?
Mustafa Celami: Unë e kam përcjellë deklaratën e z. Williamson, me kuriozitet të shtuar, pasi që ne kemi qenë të bindur shumë më herët, që këto akuza kanë qenë në tërësi fallco, tërësisht të manipuluara dhe të bëra qëllimisht kundër UÇK-së, por edhe kundër popullit shqiptar në përgjithësi. Këto akuza janë iniciuar nga persona si Dicky Marty, i cili ka treguar bindshëm njëanshmëri në favor të Beogradit dhe për më tepër akoma, ka vazhduar edhe me mbështetjen e Carla Del Pontes, e cila ishte prokurore e Gjykatës së Hagës, që të mos merret drejtpërdrejt me këto akuza, por që në fakt ajo preferoi të merrej me komentet e tyre, ose më mirë të them, ajo preferoi të nxitonte për të nxjerrë përfitime nga këto akuza. Ajo botoi edhe një libër, i cili me siguri është shitur në shumë kopje dhe ajo tenton për përfitime në kurriz të dinjitetit të ushtarëve të UÇK-së, në kurriz të dinjitetit të shqiptarëve në përgjithësi dhe atë të Gurrës në veçanti, të cilët jo vetëm që nuk e çuar ndërmend të bëjnë ndonjëherë vepra të tilla të transplantit, por në një vend si Gurra, që unë jam drejtues i pushtetit vendor prej disa vjetësh, pa i vënë re për një vepër të tillë, ku atje nuk ka shkelur këmbë ushtari dhe ne jemi ndjerë veçanërisht të thyer. Po shfrytëzoj nga rasti, t’i bëj apel Qeverisë shqiptare, të cilës edhe më herët i kemi kërkuar që të çohet në vend dinjiteti i nëpërkëmbur i UÇK-së, por edhe i banorëve të Gurrës edhe i familjes së Avdullah Katuçit, të cilët për neve janë të respektuar dhe padrejtësisht të akuzuar me shpifje montruoze, e atij karakteri që janë ngjarje vërtetë të kobshme. Mendoj, që një gjykatë si kjo, domosdoshmërisht duhet t’i adresojë përgjegjësitë e këtyre akuzave atje ku e kanë edhe origjinën. Specifikisht, Dicky Marty dhe Carla del Ponte, të cilët janë edhe fabrikues të këtyre akuzave.
Z. Celami, megjithatë pretendimet e z. Dicky Marty e kanë dëmtuar rëndë imazhin e shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës, UÇK-së, komunës së Gurrës, por edhe të familjes Katuçi. Është një gjë që ndoshta nuk mund të kompensohet?
Mustafa Celami: Në realitet, dëmi që ata i kanë shkaktuar imazhit të banorëve të Gurrës, forcave të UÇK-së, natyrisht që ato nuk mund ta kompensojnë. Por, mos të harrojmë një gjë që prokurorja Carla Del Ponte, e cila ka qenë në detyrë, ka bërë një botim, ka bërë një libër, libër i cili i ka sjellë përfitime të padrejta në llogaritë e kësaj prokuroreje, ndërkohë kur ajo ishte ende në detyrë. Çka kur familjen e Abdullah Katuçit, çka edhe ne si komunitet vazhdimisht jemi ndjerë keq, të thyer pa dyshim, por që edhe nuk i kemi kuptuar. Ndoshta, në ditët në vijim unë do të kërkoj një avokat, megjithëse Qeveria nuk është prononcuar, ndoshta për arsye politike, sepse ne e dimë shumë mirë që marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit, synojnë njëfarë normalizimi. Në qoftëse ushtarët e UÇK-së, luftuan për të drejtat e popullit shqiptar në Kosovë, i cili u uzurpua padrejtësisht nga kokat e Millosheviçit, japin disa arsye që ndikojnë për të bërë ca ligjërata të atij lloji, për akuza që përmenda më sipër, dhe për më tepër ato jo vetëm ta akuzonin politikisht Shqipërinë, por edhe Kosovën. Të marrin masa që për vetën e atyre, ato të kenë edhe përfitime, ndaj dhe ne ndihemi të fyer dhe është i pa përfaqësuar do të thosha. Dhe, në gjithë këtë maskaradë në atë shtëpi, ku kanë shkuar disa herë prokurorët atje, kanë hetuar dhe nuk kanë gjetur asgjë. Dhe, pas 15 vjetësh, Dicky Marty arriti që të frymëzonte edhe krijimin e një gjykate të posaçme, gjykatën që është ngritur tani për këto hetime dhe për prokurori ato nuk rezultojnë. Atëherë, kjo nuk duhet të jetë njëra anë për akuzë , por ata që po fabrikojnë akuzat, duhet të marrin përgjegjësi.
Z. Celami, çfarë do të bëni ju si komunë e Gurrës ndaj këtyre pretendimeve të pabazuara, duke pasur parasysh se edhe prokurori Klint Williamson, ka thënë se deri më tani nuk ka gjetur dëshmi të mjaftueshme për pohimet e Dicky Martyt për trafikim organesh?
Mustafa Celami: Prokurori nuk i ka gjetur provat për akuza dhe as që ka për t’i gjetur ndonjëherë. Ne kërkojmë që paralelisht të hapet një proces, që brenda këtij procesi të japin llogari edhe personat që kanë aplikuar akuza, sepse dëmtimi i imazhit që i është bërë një komuniteti dhe një familjeje, e cila prej 15 vjetësh po përgojohet në gjithë botën, në të gjitha mediat, është folur dhe po flitet për një gjë të tillë. Deri më tani, jo vetëm që i është bërë emri publik asaj familje, por edhe vazhdojnë akoma që të kërkojnë e të hulumtojnë me të gjitha mënyrat për të nxjerrë fakte që nuk ekzistojnë. Pra, ne po kërkojmë dhe do të kërkojmë edhe në vazhdimësi që të hapet çështja kundër Dicky Martyt dhe Carla del Pontes, për fyerje, për cenim të imazhit të komunitetit dhe familjes së Avdullah Katuçit. Ne jemi gjendur disa qindra kilometra larg vatrave të luftës dhe jemi të revoltuar për një gjë të tillë si komunë e Gurrës. Unë drejtoj një komunë, e cila nuk ka lidhje as me luftën, e as me diçka tjetër. /retklive.com/


