Gjithçka në dorë të Kushtetutës, mund të ketë prapë zgjedhje
Analistët dhe njohësit e Kushtetutës së Kosovës, parashohin disa skenarë se si do ta sjell vendimin Gjykata Kushtetuese, përkitazi me ankesën e PDK-së për mënyrën e zgjedhjes se Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit.
Ata parashohin që të kthej çështjen në pikën zero duke mos njohur Isa Mustafën si kryetar i Kuvendit, me konstatimin se është zgjedhur duke shkelur procedurat.
Po ashtu Kushtetuesja mund të parashoh, eventualisht mund të konkludoj se seanca konstituive nuk ka pasur shkelje të procedurave. Derisa, të tjerët thonë se Gjykata mund të kontestoj vetëm zgjedhjen e Mustafës si kryetar i Kuvendit, dhe jo kthimi krejt në pikën zero.
Njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu thotë se gjykata Kushtetuese përgjigjen duhet ta jap meritore, të balancuar, pa bërë ndonjë shkarje, por në bazë të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.
Baraliu thotë se gardiani i Kushtetutës ka tri opsione për t’i dhënë në ankesën e PDK-së.
“Po, janë disa mundësi dhe opsione të cilat mund t’i ketë, apo përqafoj Gjykata Kushtetuese. Njëra prej tyre është mundur, natyrisht në qoftë se gjënë shkelje të parashoh masat paraprake të përkohshme të cilat janë që Kuvendi të mos ndërmarr asnjë veprim derisa çështja në Kushtetuese të mos merr epilogun përfundimtar. E dyta mund ta kthej çështjen në pikën zero, në start dhe prej fillimit të zhvillohen të gjitha procedurat dhe e treta mund të parashoh ose të konkludoj se nuk ka shkelje procedura, nuk mund të konstatoj Gjykata se është goxha diskutabile se disa procedura që janë ta natyrës teknike dhe politike a mund t’i interpretonte Gjykata Kushtetuese”, tha Baraliu për KosovaPress.
Madje, sipas situatës aktuale politike, as zgjedhjet e parakohshme nuk anashkalohen, pavarësisht se faktori ndërkombëtarë, por edhe vet partitë kanë deklaruar se nuk duhet të shkohet në zgjedhje, pasi janë ngarkesë edhe për qytetarët, por edhe për buxhetin e vendit.
“Mund të ketë zgjedhje të parakohshme, dhe në situata të tillat imponohen por nuk do të doja të kishte sepse tashmë janë deklaruar të gjitha subjektet politike në një mënyrë ose tjetër, edhe institucionet, por edhe serbët e listës serbe kanë deklaruar se nuk u konvenon zgjedhjet e reja, sepse zgjedhjet e reja janë shumë ngarkesë, me shumë pasoja, dhe me shumë shpenzime, por sidomos pasoja në konstituimin e institucioneve të reja”, thotë Baraliu.
Ndërsa, në tjetër Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, pret që Gjykata Kushtetuese të sjell një vendim i cili do të jetë i qartë, konkret që do të mundësonte daljen nga ky ngërç politik.
Por sipas tij, së pari Gjykatës do t’i duhet të artikuloj qartë nëse shkeljet e rregullores gjatë seancës janë objekt shqyrtimi apo jo.
Por ai thotë se Gjykata nuk mund të sjell seancën në pikën zero, ndonëse Selmanaj thotë se nuk duan të paragjykojnë vendimin, por duhet të dinë se kush është grupi me i madh,cili ka të drejt të propozoj kandidatin, kur konsiderohet i konstituuar ai grup.
“Unë nuk e mendoj që mund të kthehemi në pikën zero, sepse ngjarjet kanë ndodhur, por ajo çka mund të ndodh është se mund të përsëritet procedura e zgjedhjes, por gjithsesi unë nuk e them këtë që të kthehet në pikën zero, sepse kemi pasur një komision i themeluar për verifikimin e mandateve, kemi pasur një betim të deputetëve, tanimë kontestohet vetëm zgjedhja e kryeparlamentarit. Mund të kthehet zgjedhja e kryeparlamentarit në procedurë nëse eventualisht konsiderohet se zgjedhja e tij nuk ka qenë e ligjshme, por mendoj që disa procese kanë ndodhur dhe si të tilla duhet pranuar, por kontestimi që është bërë do duhej të jepte përgjigje në mënyrë që edhe këto dilema që janë krijuar të hiqen”, tha Selmanaj.
Sipas tij, nëse Gjykata Kushtetuese nuk jep një vendim që do të qartësoj gjithçka që është krijuar rreth seancës konstituive, atëherë jo që do të ketë ngërç politik, por do të kërkohen edhe zgjedhje të reja nga ndonjë subjekt, derisa ndonjë tjetër do të kundërshtoj, e madje dikush edhe mund t’i bojkotoj zgjedhje fare.
Edhe, njohësi tjetër i Kushtetutës Riza Smaka thotë se ai pret që Kushtetuesja të jap vendimin për përsëritjen e të gjitha procedurave të seancës konstituive.
“Unë pres përafërsisht këtë, që Gjykata do të jep opinionin se është e nevojshme për tu përsëritur procedurat edhe për t’iu dhënë oportuniteti koalicionit parazgjedhor, me pastaj eventualisht koalicionit paszgjedhor. Megjithëse koalicioni parazgjedhor sipas të gjitha gjasave nuk ka vota të mjaftueshme, atëherë mbetet që koalicioni paszgjedhor të bëjë tentativën e dytë nëse nuk ndryshojnë rrethanat ka mundësi ta ketë shumicën”, tha Smaka.
Edhe Smaka, thotë se zgjedhje të parakohshme mund të ketë, nëse dështon në raundin e parë dhe të dytë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.


