ARKATANA

Familja Dibrani nuk është e mirëseardhur në Francë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Qeveria franceze ka përsëritur sot se nuk do të bëjë lëshime ndaj vendimit për familjen rome Dibrani nga Kosova, e cila është dëbuar kohë më parë nga Franca, dhe ka shtuar se ajo familje “nuk është e mirëseardhur në Francë”.

“Qeveria nuk do që në asnjë mënyrë të bisedojë për gjendjen e asaj familjeje, e cila është dëbuar në mënyrë ligjore dhe e cila duhet ta kuptojë se nuk është e mirëseardhur në Francë”, ka thënë në sot në Parlament sekretari shtetëror i Francës për marrëdhënie me Parlamentin, Jean-Marie Le Guen, transmeton Koha.net

Leonarda Dibrani, më 9 tetor të vitit 2013 u arrestua nga policia franceze para shokëve të saj të klasës dhe më pas u dëbua për në Kosovë së bashku me pjesëtarët tjerë të familjes së saj.

Në ndërkohë, pjesëtarët e kësaj familjeje kanë fituar pasaportat kroate me shpresën se do të kenë mundësi të kthehen në Francë ku kanë paraqitur më herët kërkesën për azil.

Meqenëse familja Dibrani ka fituar shtetësinë kroate, ata, në teori, kanë mundësi të shkojnë në Francë meqenëse tashmë Kroacia është pjesë e Bashkimit Evropian.

ARKATANA

“Edhe pse kanë pasaportat kroate, kjo nuk u jep të drejtën të qëndrojnë në Francë. Kujtoj se në kërkesën e tyre për azil askund nuk përmendet shtetësia kroate, vetëm përmenden Serbia dhe Italia”, ka thënë Le Guen, transmeton Koha.net.

Në muajin maj, edhe kryeministri francez, Manuel Valls, ka thënë se familja rome nuk do të kthehet në Francë.

“Familja Dibrani nuk ka se çfarë të kërkojë në Francë, prandaj nuk do të kthehen”, ka thënë Valls.

Rasti i dëbimit të familjes Dibrani pati nxitur protesta të shumta asokohe në Francë.