Një kolumne për Vlorën
Nga Mimoza (Kusari) Lila – Çdo fillim ka mbarimin e vet dhe çdo mbarim shënon një fillim të ri. Për ata të cilët e kanë përjetuar karrierën politike, e dinë se përkundrejt motivit dhe dëshirës për të ndryshuar, për t’u aktualizuar, për të quar përpara politikat dhe ideologjinë e partisë, vjen një moment kur gradualisht ndalen motorët dhe brendësia e njeriut e kërkon qetësinë.
Jo pa befasi na erdhi lajmi për largimin e Vlora Çitakut nga politika kosovare dhe angazhimi i saj në karrierën diplomatike jashtë vendit.
Dikujt ky vendim mund t’i duket i drejtë, dikujt i pavend, dikujt si exit strategy e mirë.
Unë personalisht pata ndjenja të përziera. E ndjeva mungesën e saj ende pa ikur, e kuptova deri diku që pas një dekade e gjysmë, Vlora e kërkon Vlorën. Por gjithashtu e di se Vlora do të lërë zbrastësi në skenën politike kosovare.
Ajo ishte shënjestër e lehtë për t’u gjykuar, për t’u sulmuar dhe jo rrallë për t’u banalizuar komentet për prezencën e femrës në skenën politike kosovare. Deri sot ende nuk kemi arritur të vlerësojmë afërsisht barabartë femrat dhe meshkujt në politikë. Standardi për ne femrat është shumë më i lartë, kriteret janë shumë më të rënda dhe gjykimet vijnë nga të gjitha anët.
Vlora ishte në një subjekt tjetër politik, në partinë më të madhe në Kosovë. Por Vlora gjithmonë e ruajti dhe e mbajti modestinë dhe komunikimin e drejtë me të gjithë.
Vlora ishte urë lidhëse për partinë dhe shoqërinë civile. Për bashkësinë ndërkombëtare ishte ajo e cila përkundrejt elegancës dhe brishtësisë e cila dukej në sipërfaqe, ka qenë gjithmonë e zëshme në parti dhe në qeveri për proceset dhe parimet. E vlerësoj se u bëri ballë shumë stuhive, ishte dëshmitare e shumë proceseve, ishte sakrifikuar për shumë gjëra dhe mbi të gjitha asnjëherë të vetme nuk e tradhtoi kauzën për të cilën besoi drejt dhe pa hile.
Unë nuk mund të mos i jem shumë mirënjohëse për bashkëpunimin, përkrahjen dhe gjithë atë ndihmë që ajo na ofroi jo vetëm mua, por edhe kolegëve të tjerë.
Bashkë kemi kaluar njërin prej proceseve më të rëndësishme të Kosovës, procesin e përgatitjes për marrëveshje të Stabilizim Asociimit. Ishim bashkë në Bruksel kur Komisionari i Tregtisë nuk donte as të dëgjonte për dërgimin e grupit vlerësues e lërë më fillimin e negociatave për Stabilizim Asociimin. Pas takimit një orësh, u bind të dërgonte ekipin vlerësues i cili pastaj dha vlerësimin pozitiv për fillimin e negociatave.
Përkundrejt gjitha spekulimeve, Vlora lëshonte rrugë. Ajo e respekton kolegun dhe kolegen dhe gjithmonë si ekip kemi punuar mirë. Rezultati është sot se Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e SA.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës është një parti që kaloi nëpër shume etapa të saja, në të gjitha këto etapa diku ishte prezente Vlora. Për ato qëndrime që ajo i mbajti dhe për refuzimet të cilat i bëri në partinë e saj, sikur të dëgjoheshin fjalët e saj, Partia do të ishte më mirë.
Unë dua t’i uroj shumë suksese në jetën e saj, dua ta mbështes Vlorën, por edhe të gjitha femrat tjera të cilat janë të ekspozuara në politikë dhe jetën publike. Dua t’ju them se duhet të jemi të forta, të mbështesim njëra tjetrën, ndërsa Vlorës i them, Do të na mungosh!
Ndërsa do të mbyll këto rreshta me thënien e Margaret Thaqer: “Nëse don diçka të thuhet, kërkoje nga mashkulli. Nëse don diçka të kryhet, kërkoje atë nga femra”.
(Autorja është zv/presidente e AKR-së. Kjo kolumne është shkruar ekskluzivisht për Tribunën)


