Ish-deputetja e VV-së kërcënon koalicionin e opozitës
Ish-deputetja e Vetëvendosjes dhe tash e LDK’së, Alma Lama, nuk po beson ende se LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje po merren vesh për koalicion dhe në këto marrëveshje s’po e përfshijnë asnjë grua të asnjërës parti.
Ajo ka kërcënuar se nuk do të jap votën këtij koalicioni nëse vazhdojnë takimet e partive politike pa pjesëmarrjen e grave aty.
Lexojeni të plotë kërcënimin e ish-aktivistes së Vetëvendosjes dhe deputetes Lama:
Ç’po më shohin sytë!
Në këtë tryezë ku bisedohet për marrëveshje në qeverinë e ardhshme, nuk po e shoh as një grua politikane nga ato që u angazhuan për të sjellë vota për partitë respektive e japin kontribut në politikë prej vitesh.
A thua nuk qenkan të denja gratë për këto tryeza? A mos është ende politika odë burrash?
Ju garantoj që jo. Si dikush që për të drejtat e grave ka ngritur zërin dhe rrezikuar jo pak, dua të tërheq publikisht vërejtjen që kjo të mos ndodhë më sepse mund të mos i marrin votat e grave në Kuvend.


