Ismet Beqiri: Deputetët e LDK-AAK-Nisma nuk shiten te Thaçi
Qeveria në largim po vepron në panik njësojë si Partia Demokratike e Kosovës. Asnjë deputetë i LDK’së, AAK’së dhe Nismës nuk shitet te Thaçi. PDK duhet të sillet si opozitë konstruktive dhe të pranojë se s’i ka numrat për të formuar Qeverinë. Pasi dolëm të dytët nominuam Haradinajn për Kryeministër për të mos lejuar Qeverinë Thaçi III. Pas formimit të Qeverisë dikur në vjeshtën e vonë do të mbahen edhe zgjedhjet e brendshme partiake. Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri, flet për Express.
Express: Dje Qeveria në largim nisi ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit. Cili do të jetë pozicioni i Qeverisë së ardhshme nëse ajo do të formohet nga LDK-AAK-Nisma?
I. Beqiri: LDK është që vendi të zhvillohet. Ne jemi edhe për projekte të mëdha, por në asnjë rrethanë nuk jemi për projekte të natyrës së tillë – jotransparente – aq më tepër kur projekti i tillë bëhet kur kjo Qeveri, realisht, nuk do të duhej dhe s’guxon të marrë asnjë vendim të tillë çfarë e kanë marrë. Edhe pse ata mund të tentojnë të arsyetojnë se kjo është nisë më herët, por duhet thënë se edhe kjo autostradë është vazhdimi i mostransparencës dhe i punëve për ne të paqëndrueshme, besa edhe që duhet me i shqyrtu se si janë bërë të gjitha këto veprime duke nisur kostoja edhe të autostrada e vjetër edhe autostradës së re. Të gjitha këto kanë krijuar mjegull saqë as deputetët e mandatit të kaluar dhe as qytetarët sot nuk dinë se si është nënshkruar kontrata e autostradës dhe sa ka kushtuar. Në këtë varfëri të skajshme që kemi në Kosovë, në vend që të stimulohet ekonomia, në vend se të përkrahet bujqësia jo me fjalë e me gënjeshtra siç ika thënë z. Thaçi në fushatë, por në realitet të shkohet në një projekt tjetër i cili është totalisht jotransparent, shumë i kushtueshëm dhe fatkeqësisht pak do ta ndihmojë zhvillimin e vendit. Thjesht, ne konsiderojmë se kjo Qeveri s’ka pasur të drejtë të bëjë këtë dhe duhet të rishqyrtohet se a është në interes të vendit të ndërtohet edhe një autostradë.
Express: Pal Lekaj i AAK’së tha se ka mundësi që Qeveria e re të rishqyrtojë kontratën e autostradës së re. A mund të rishqyrtohet kontrata e re nga një Qeveri LDK-AAK-Nisma?
I. Beqiri: Çdo Qeveri e përgjegjshme dhe ne mendojmë që në të ardhmen do ta ndërtojmë një Qeveri të përgjegjshme duhet t’i rishqyrtojë projektet e tilla dhe të shihet se çka në realitet ka ndodhur. Ne jemi të vetëdijshëm se nuk mund të zhbëhen projektet e ndërtuara, por së paku duhet ditur se çka ka ndodhur. Nuk është e mundshme që një kilometër rrugë të kushtojë 11 milionë euro. Do të duhej që organet e hetuesisë të merreshin me këto projekte.
Express: Sa i përket ndërtimit të Qeverisë nga partitë opozitare, a e keni gjetur zgjidhjen se si do ta merrni pozitën e Kryeparlamentarit, pasi kjo po thuhet se i takon partisë më të madhe?
I. Beqiri: As për çështjen e mandatarit dhe as të Kryeparlamentarit nuk ka ndonjë problem të theksuar. Edhe pse në Kushtetutën tonë nuk është shumë e specifikuar, por Gjykata Kushtetuese, në konsiderojmë se ka hapur rrugën dhe i ka dhënë mundësi diçkaje që është shumë e ligjshme dhe shumë kushtetuese. Pra, ata që i kanë numrat dhe që kanë grupin më të madh parlamentar edhe ta propozojnë dhe zgjedhin Kryeministrin dhe Qeverinë dhe ne besojmë se kjo do të ndodh nga koalicioni paszgjedhor mes tri partive dhe në koordinim me Vetëvendosjen. Sa i përket Kryetarit të Kuvendit është e qartë se e propozon Grupi më i madh Parlamentar dhe ne jemi grupi më i madh pasi kemi 47 deputetë.
Express: Sidoqoftë,po përmendet mundësia që PDK t’i bind disa deputetë të opozitës për të votuar përsëri z.Thaçi për Kryeministër?
I. Beqiri: PDK është në panik dhe çdo gjë që përflitet është shenjë e panikut sepse e kanë kuptuar se duhet të shkojnë në opozitë. E meritojnë të jenë në opozitë si një opozitë konstruktive dhe jo të veprojnë me destruktivitete dhe jo të mundohen, ashtu siç po flitet, se po mundohen të marrin deputetë te partitë tjera. Jam i bindur se kjo nuk do të arrihet. As deputetët e LDK’së dhe as deputetët e tjerë nuk do të përkrahin në asnjë rrethanë një Qeveri Thaçi III. Deputetet e LDK’së, AAK’së dhe Nismës kanë aq dinjitet dhe atë dinjitet nuk e shesin për para. Por, kjo është një fushatë dhe tentim të krijimit të një opinioni. PDK nuk i ka votat dhe përmes mashtrimeve po mundohet të përhapë fjalë se i kanë votat. Kështu kanë vepruar edhe në vitin 2010 dhe kjo kurrë s’ka ndodhur.
Express: Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur disa kushte për të përkrahur Qeverinë e opozitës. Kushti më i ri është që në Qeveri të mos jetë asnjë zyrtarë i Listës “Srpska”?
I. Beqiri:Nuk do të flas se si do të jetë epilogu. Por, ajo që subjektet politike opozitare po bëjnë është se po i ofrojnë qëndrimet. Koalicioni gjithmonë nënkupton se ka edhe kompromise, por nuk ka ekskluzivitet dhe përjashtime. Të tilla kushte nuk mund t’ia vëmë njëri-tjetrit sepse i bëjmë shërbim në këtë rast z. Thaçi. Ne jemi në rrugë të mirë edhe me Vetëvendosjen. Është duke u biseduar dhe është në përgjegjësi të liderëve t’i përafrojnë qëndrimet.
Express: Ka pasur kritika për LDK’në se pse e nominoi Ramush Haradinajn për Kryeministër dhe nuk u nominua z. Mustafa për këtë pozitën. A ka pasur zgjidhje tjera LDK që të merr pozitën e Shefit të Qeverisë?
I. Beqiri: Në momentin, fatkeqësisht, në koalicionin që u krijua prej subjekteve tjera dhe dolën të parë dhe ne kemi thënë se është lehtë të vërtetohet se PDK pa koalicionet që i ka bërë para zgjedhjeve do të dilte e dyta. Vet fakti se ne nuk arritëm të jemi subjekti i parë politik dhe t’i fitojmë zgjedhjet. Ne nuk i dhamë diçka AAK’së që e kishim vet sepse ne nuk dolëm të parët. Po të ishim të parët, në asnjë rrethanë pozitën e Kryeministrit nuk ka mundur të jetë i negociueshëm. LDK ka hyrë në marrëveshje dhe ka bërë kompromis dhe ky kompromis është që është gjetur rruga që të mos ketë Qeveri Thaçi III. Të gjitha të tjerat janë llogaritur se janë më pak të dëmshme se sa të krijohej edhe një herë një Qeveri nga PDK’ja. Thjesht, LDK e ka parë të arsyeshme për momentin që të shkohet kësisoj dhe kjo zgjidhje padyshim se është në të mirë të vendit.
Express: Isa Mustafa ka humbur zgjedhjet më 2009, ka humbur zgjedhjet për Kryetar të Prishtinës dhe tash ka shënuar humbjen e tretë duke dalë partia e dytë. Cili është vlerësimi juaj që Mustafa s’mundi ta rikthejë LDK’në si parti të parë?
I. Beqiri: Varet se si shikohet kjo, por duhet thënë se LDK e ka stabilizuar elektoratin. Kemi vota të konsiderueshme. Të gjithë kemi pasur dëshirë t’i fitojmë zgjedhjet në nivel lokal në shumicën e komunave. Duhet përmendur se kemi kthyer një numër të konsiderueshëm të komunave të mëdha. Edhe në këtë prizëm duhet shikuar gjërat se diku kemi humbur dhe dihet se si kemi humbur në Prishtinë. Mirëpo, është shumë e qartë se në udhëheqjen e z. Mustafa i kemi kthyer shumë komuna dhe po ashtu në nivelin nacional e kemi stabilizuar elektoratin e LDK’së. Megjithatë, janë procese që ndodhin dhe përgjegjësia jo gjithherë duhet adresuar vetëm në një njeri e edhe merita. Ne mendojmë se janë edhe sukseset e konsiderueshme të LDK’së në kohen e udhëheqjes së z. Mustafa.
Express: A do të mbahen sivjet zgjedhjet në LDK?
I. Beqiri: Sipas agjendës dhe Statutit të LDK’së zgjedhjet parashihen të mbahen këtë vit ose në vjeshtën e vonë të këtij viti. Ne tash jemi të fokusuar në zhvillimet aktuale dhe pas kësaj do të marrin vendim organet e LDK’së dhe do të mbahen zgjedhjet e brendshme partiake.


