Veturat zyrtare s’ndalohen për qëllime private
Punëtorët e Autoritetit Rregulllativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), kanë pasur mundësi t’i përdorin veturat zyrtare të këtij institucioni edhe për qëllime private. Të paktën kjo nuk është ndalur nga rregullorja e brendshme e këtij institucioni. Raporti i Auditorit për vitin 2013 ka vërejtur se ARKEP nuk ka mbajtur evidenca të plota lidhur me menaxhimin e automjeteve.
Sipas raportit ky institucion nuk kishte përgatitur raporte mujore për kilometrat e kaluara për secilin automjet. “Në fund të muajit dhjetor 2013, ARKEP ka nxjerrë një rregullore të brendshme për menaxhimin e automjeteve zyrtare. Disa nene të kësaj rregullore nuk janë në pajtim më kërkesat për menaxhimin e pasurisë publike. Neni 3.5 dhe Neni 6 mundësojnë përdorimin e automjeteve jashtë detyrave zyrtare, përkatësisht për qëllime private ndërsa Neni 7 mundëson përdorimin e automjeteve për transportimin e personave që nuk janë zyrtar të autoritetit”, thuhet në raport.
Lidhur me këtë çështje auditori si rrezik e vlerëson se mos respektimi i procedurave për menaxhimin dhe përdorimin e automjeteve rrezikon shfrytëzimin jo racional të tyre. “Kjo mund të pasojë më kosto shtesë të karburanteve si dhe shpenzimeve tjera rreth riparimit dhe mirëmbajtjes se automjeteve”…( Tribuna).


