Partitë, 56 takime publike me vetura zyrtare
Rrjeti i OJQ-ve, Demokracia në Veprim (DV), ka vlerësuar se subjektet politike gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e 8 qershorit kanë bërë shkelje të shumta ligjore.
Pjesëmarrja e organizuar e fëmijëve në tubime elektorale, përdorimi i aseteve publike dhe angazhimi i stafit civilë janë disa nga shkelje që i kanë bërë subjektet politike gjatë këtyre 10 ditëve të fushatës parazgjedhore. Kështu kanë vlerësuar zyrtarët e Demokracisë në Veprim në një konferencë për media.
Sipas zyrtarëve të DV-së, diskursi politik i përdorur në këtë fushatë ka avancuar krahasuar me fushatat e mëparshme. Sipas tyre nuk ka pasur gjuhë denigruese e fyese. Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim tha se kjo fushatë zgjedhore ka qenë më përmbajtjesore krahasuar me fushatat e mëparshme.
“Është vërejtur një avancim i gjuhës, nuk kemi pasur një gjuhë denigruese, gjuhë fyese, e cila ka mundur të ndikojë dhe të nxisë tensione mes qytetarëve. Apo nuk kemi pasur incidente, që janë përshkruar në fushatat zgjedhore të mëhershme të Kosovës. Ka qenë një fushatë mjaft intensive, mjaft konkurruese. Ka qenë një fushatë shumë më përmbajtjesore, e cila ka trajtuar zhvillimin ekonomik, ka trajtuar brengat e qytetarëve, për dallim nga fushatat paraprake”, është shprehur Kryeziu.
Megjithatë, ai ka shtuar se edhe në këtë fushatë kanë vazhduar të keqpërdoren asetet publike.
“Megjithatë, DV-ja vlerëson se resurset publike kanë vazhduar të keqpërdoren nga ana e partive politike. Kemi pasur së paku në 56 takime publike përdorim të veturave zyrtare nga subjektet politike. Normalisht, është vërejtur një numër i madh i shërbyesve civilë, të cilët kanë lënë punën dhe kanë marrë pjesë në këto takime publike edhe kanë ndikuar apo kanë bërë keqpërdorim të taksapaguesve të qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar Kryeziu.
Edhe Veton Muja nga DV-ja e ka vlerësuar si shqetësuese pjesëmarrjen e fëmijëve nëpër tubime elektorale.
“Praktikisht prej këtyre fushatave që ne kemi përcjellë, diku janë prej 400 e disa fushatave, afër 100 fushata janë ku ka pasur më shumë se 20 për qind fëmijë. Ky është një numër shumë i madh. Por në raste të caktuara, diku në 14 prej këtyre takimeve, kemi vërejtur që dhe në formë të organizuar kanë shkuar fëmijët ”, tha ai.
Në anën tjetër, Nenad Maksimoviq nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë ka thënë se fushata në komunat me shumicë serbe nuk ka qenë korrekte, pasi sipas tij Listës “Srbska” i është dhënë më shumë hapësirë në mediat serbe edhe pse ky subjekt e ka bojkotuar fushatën, por jo zgjedhjet.
“Fushata e bërë në mjediset serbe ka qenë jo tipike. Jo vetëm për kohën që ka zgjatur kjo fushatë, por edhe se në të partia kryesore ka bojkotuar fushatën, por jo edhe zgjedhjet. Kjo ka qenë pjesë e fushatës, me qëllim që të binden votuesit se ata janë të përgjegjshëm, që nuk janë të gatshëm të pranojnë çdo kusht dhe çka do që pritet të ndodhë në të ardhmen”, ka vlerësuar Maksimoviq./zeri/

