Kostoja e fushatës, sekrete
Partitë politike vazhdojnë ta mbajnë sekret koston e fushatës zgjedhore, ndonëse sot përfundon fushata për zgjedhjet e 8 qershorit.
Shkëlqimi që po përcjell tubimet e fushatave nga shumica e partive politike, po tregon se deri në fund të fushatës mund të arrihet dhe shifra milionëshe e shpenzimeve nga partitë politike. Partitë politike po mbyllen për çdo vit e më shumë sa i përket shpenzimeve të fushatës, përderisa vitin e kaluar shuma e deklaruar e shpenzimeve nga partitë sillej nga 250 mijë euro në 500 mijë euro.
Me arsyetimin e rëndomtë se shpenzimet “do t’i bëjmë publike në fund të fushatës”, partitë po u ikin publikimit të shpenzimeve të ndriçimit, fishekzjarrëve, buqetave me lule, transporti i militantëve nëpër tubime, posterët, reklamimet… Partitë nuk kanë folur as për donatorët që i mbështesin, përveç mjeteve që tashmë dihen se iu ndahen me Ligjin mbi Financimin e Partive Politike.
Basri Masmurati, sekretar i përgjithshëm në PDK, nuk ka bërë të ditur të dhënat rreth shpenzimeve të deritashme të fushatës. Sipas tij, nuk është e mundur të nxirren shpenzimet tash për tash kur fushata po vazhdon. “Jemi sa andej e këndej, në fund do të nxjerrim një raport, ashtu siç bëjmë zakonisht për t’ia dërguar KQZ-së”, ka thënë Musmurati. Ai nuk ka folur as për donatorët që e përkrahin PDK-në për fushatë. “Për krejt flasim në fund”, ka thënë Musmurati.
Shefi i shtabit zgjedhor të LDK-së, Agim Veliu, tha se nuk mund të japin të dhëna për shpenzimet e fushatës, pasi, sipas tij, këto të dhëna do të mblidhen dhe në fund do të përpilohen në një raport. “Nuk i kemi llogaritur. Ende nuk kemi të dhëna për shpenzimet”, ka thënë Veliu, duke shtuar se deri tash shpenzimet e LDK-së nuk janë të mëdha. “Nuk është duke u shpenzuar një shumë e madhe”, tha ai.
Valon Tolaj, përgjegjës për financa në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se AAK-ja do t’i bëjë transparente të gjitha shpenzimet në raportin që do t’i dërgohet KQZ-së në fund të fushatës. “Nuk është logjike t’i kemi shifrat sot para përfundimit të zgjedhjeve”, ka thënë Tolaj duke shtuar se gjithmonë kjo parti dorëzon raportin financiar në KQZ./zeri/


