Ja numrat e subjekteve politike në zgjedhjet e 8 qershorit
Sipas shortit, LDK – 54; Nisma Për Kosovën – 59; Aleanca Kosova e Re – 40; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 44, Lëvizja Vetëvendosje – 35, Partia Demokratike e Kosovës – 58, Lista Srpska – 38, Partia e Ashkalive të Kosovës – 49…
Në një organizim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësues të subjekteve politike kanë tërhequr numrat me të cilët do të radhiten në fletëvotime. Në garë ishin 18 parti politike, 7 iniciativa qytetare, një kandidatë i pavarur dhe 4 koalicione.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizoi tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime. Në hapje të kësaj ceremonie në emër të KQZ-së, Betim Gjoshi ka shpjeguar përgatitjet që po bëhen nga KQZ për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
“Aktualisht KQZ është në fazën e përgatitjeve të mëtejshme të zgjedhjeve të 8 qershorit. Deri më tani janë bërë punë të mëdha në organizimin e këtyre zgjedhjeve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. KQZ ka ndërtuar komisionet komunale zgjedhore në 38 komuna të Kosovës, jemi në proces dhe shumë shpejt do të emërojmë edhe këshillat e vendvotimit. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e një numri të madh të punëve që janë rreth 300 aktivitete që ka ndërmarrë KQZ”, tha ai.
Pas kësaj punonjës të Administratës kanë tërhequr plikot e subjekteve politike, pastaj janë ftuar përfaqësuesit e tyre për të tërhequr numrin, raporton rtk.
Numrat të cilët i kanë tërhequr përfaqësuesit e subjekteve politike kanë nisur nga numri 32. /Telegrafi/


