Eko Higjiena

8 qershori si rokadë e së njëjtes?

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Nga Shkëlzen Maliqi – Janë ngutshme parashikimet euforike se 8 qershori do të sjellë ndryshim të thellë politik. Me apo pa Hashim Thaçin, do të kemi vetëm rokada brenda të së njëjtës kastë politike, që vetëm pas këtyre zgjedhjeve elektorati do ta kuptojë se janë të domosdoshme ndryshimet më rrënjësore të protagonistëve dhe programeve. Sidoqoftë, edhe ky do të jetë një hap përpara.

Zgjedhjet e 8 qershorit janë të nëntat me radhë që nga viti 2000. Për një demokraci në zhvillim e sipër kjo mund të konsiderohet si përvojë domethënëse që çon drejt maturimit në demokraci. Por, për këtë në Kosovëka dyshime. Mjafton t’i kujtojmë problemet e mëdha me zgjedhjet e vitit 2010. Ato u manipuluan në përmasa shqetësuese, pastaj u arnuan disi me rivotime të pjesshme korrigjuese dhe marrëveshjen politike që pushteti i dalë nga ato zgjedhje të ketë mandatin vetëm për afatin sa kujtohej se do jetë i nevojshëm për të bërë reformën e sistemit zgjedhor. Por, reforma nuk ndodhi dhe mandati i qeverisë ishte pothuajse i plotë. E jashtëzakonshmja e këtyre zgjedhjeve është se ato nuk do të janë fare të jashtëzakonshme. Janë të masës dhe standardit të Kosovës.

Megjithatë, për partitë që prej kohësh kërkonin zgjedhjet e parakohshme, 8 qershori mund të duket si epilog ngushëllues. Por, lajmi i keq për to është se zgjedhjet do të mbahen me tërë bagazhin e problemeve që kanë mbetur pezull. Për më shumë, vetë partitë që kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme, tani lënë përshtypjen se janë të kapura në befasi dhe se në garë do të futen të papërgatitura. Kjo përshtypje ndoshta krijohet nga fakti se vetëm Kryeministri Hashim Thaçi kuptoi më seriozisht kahun e proceseve duke nisur një fushatë të dendur para-para-zgjedhore, ndërkaq që partitë opozitare vazhdonin të flinin gjumin e ariut.

Sa i përket dështimit të reformës zgjedhore, kjo nuk mund t’i atribuohet vetëm pushtetit. Në këtë kishte gisht edhe opozita. Zakonisht pushteti edhe e ka hak të bëjë obstruksione për të fituar në kohë. Ndërkaq opozitës i takon të reflektojë pse nuk qe në gjendje të ofrojë alternativat politike. Po kështu, ajo vepronte e përçarë pikë e pesë, duke e lejuar Hashim Thaçit që t’i ngrejë për hunde me premtime që nuk kishte ndërmend t’i realizonte. Kur të kihen parasysh këto rrethana, kritikat e sotme të zëshme mbi dështimet e Qeverisë së Thaçit, sigurisht se janë hipokrite. Sepse në dështimet bënë pjesë edhe vetë opozita. Madje, ajo nuk ka bërë asgjë të hajrit as në aspektin e reformave të brendshme.

Por, duke folur kështu për opozitën nuk dua t’i hyj në hak Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka mbajtur qëndrim të vazhdueshëm opozitar. Nuk po e vlerësoj këtë qëndrim, por vetëm po e konstatoj. Për më shumë, VV bëri edhe një reformim të dukshëm nga të qenit lëvizje rebele me preferencë “politikën e rrugës” në subjekt që gradualisht përvetëson, me disa shkarje të kuptueshme, rregullat e politikave parlamentare. Simbol i këtij transformimi është imazhi i ri i Albin Kurtit me kostum dhe kravatë. Ose vendimi i tij që të ftojë në parti Shpend Ahmetin dhe tani edhe Avni Zogjanin dhe Ilir Dedën, si dhe të bëjë kontakte me zyrat e mëdha perëndimore.

Por, kuptohet, opozitarizmi i Vetëvendosjes nuk e kishte fuqinë përcaktuese. Nuk mund të bëhej as strumbullari që bashkon partitë në një forcë që do ta përmbyste Hashim Thaçin.

Shtrohet pyetja pse nuk u bashkuan forcat opozitare nëse fronti kundër Hashim Thaçit ashiqare i kishte votat e mjaftueshme për ta rrëzuan nga pushteti?

FIDANISHTJA

Mendoj se nuk ka qenë vetëm dinakëria dhe mjeshtëria manipuluese politike e Hashim Thaçit faktori që kushtëzoi mbetjen e tij praktikisht të patrazuar në pushtet. Qeveria e Thaçit gjatë viteve të mandatit të arnuar pati edhe detyra dhe suksese madhore që tani nuk përmenden shumë, ose kapen vetëm nga pikëpamja e proceseve të papërfunduara, për arritjen e të cilave partitë të mëdha opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja, nuk kanë mbajtur qëndrime opozitare. Madje, mund të thuhet se këto dy parti ishin pjesë të pabëzana të sukseseve të Qeverisë Thaçi në afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe dialogun me Serbinë që solli marrëveshjen e Brukselit dhe mundësoi integrimin fillestar të serbëve të veriut në sistemin e Kosovës.

Kuptohet, LDK-ja dhe AAK-ja kanë bërë kohë pas kohe kritikë opozitare për disa aspekte të punës së Qeverisë, ku ajo ka shfaqur dobësi evidente (shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik racional, politikat e privatizimit dhe menaxhimit të ndërmarrjeve publike etj.) por në punët kryesore me të cilat është marrë Qeveria në katër vitet e fundit, nuk ka pas alternativa ose vërejtje thelbësore.

Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj kanë mbajtur qëndrime që objektivisht mund të cilësohen si ato të një koalicioni të madh të heshtur për çështje madhore. Tek ky koalicion i heshtur ata kanë llogaritur mbase se “kompromiset historike” me Serbinë do t’i bëjnë dëm të pariparueshëm Hashim Thaçit. Këto kompromise ishin të tilla, të imponuara edhe nga aleatët ndërkombëtarë, që pa asnjë dyshim do t’i bënin edhe Mustafa dhe Haradinaj nëse do të ishin në rolin e Kryeministrit, por ata e heshtnin “koalicionin e madh” sepse llogarisnin se në fund të baladës procesi çon drejt uljes së prestigjit dhe popullaritetit të Hashim Thaçit deri në masën që në zgjedhjet e ardhshme, pra këto të 8 qershorit, “froni” patjetër do të mbetet i zbrazët për njërin prej tyre. Në këtë bindje duhet kërkuar edhe motivin dhe prapavijën e deklarimit të Isa Mustafës se ai e pret fitoren “me duart ne xhepa”.

Sidoqoftë, 8 qershori, me shpresë se nuk do të ketë probleme dhe manipulime, do ta sqarojë raportin e forcave, gjë që edhe është funksioni dhe forca e demokracisë. Nuk e përjashtojë mundësinë që Hashim Thaçin vërtet ta ketë konsumuar pushteti dhe që ai të humbë më 8 qershor. Po të ishte opozita e bashkuar, qoftë edhe vetëm me qëllimin që ai të largohet nga pushteti, Thaçi nuk do të kishte gjasa. Isa Mustafa e ka përjetuar edhe vetë me rastin e humbjes së garës në Prishtinë se çka do të thotë kur të konsumon pushteti dhe kundër vetës e ke shumicën e votuesve të partive tjera. Por zgjedhjet e 8 qershorit nuk janë të tipit të balotazhit rezultati varet edhe nga votat e partive tjera, që në zgjedhjet lokale patën ndëshkuar praktikisht të gjitha partitë!

Ne ende kemi në Kosovë një raport forcash relativisht konstant ku mund të pritet gara e dy partive dhe liderëve për primat, dhe një garë po kaq e rëndësishme për vendin e tretë, që nxjerr pretendentin për rolin e king-makerit, të partnerit për koalicion qeveritar, nëse nuk do të ndodhte sërish koalicioni i madh. Duke pasur parasysh epilogun e tillë, mendoj se janë ngutshme parashikimet euforike se 8 qershori do të sjellë ndryshim të thellë politik. Me apo pa Hashim Thaçin, do të kemi vetëm rokada brenda të së njëjtës kastë politike, që vetëm pas këtyre zgjedhjeve elektorati do ta kuptojë se janë të domosdoshme ndryshimet më rrënjësore të protagonistëve dhe programeve. Sidoqoftë, edhe ky do të jetë një hap përpara.

Autori është këshilltar për rajonin i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.