ARKATANA

Teuta Rugova: Babai im thoshte se LDK për popullin është shpresë e lirisë

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Teuta Rugova, e bija e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, edhe zyrtarisht iu bashkua sot Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo mori besimin e të gjithë degës së tretë të LDK-së, për të përfaqësuar të rinjtë, e në veçanti femrat e Kosovës.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, duke zyrtarizuar futjen e Teuta Rugovës në listën e kandidatëve të LDK-së për zgjedhjet nacionale, ka shprehur besimin e subjektit politik që ai drejton se do ta përkrahë Teutën në synimet e saj të mëtutjeshme.

Ndërkaq, Teuta Rugova është shprehur e lumtur që do të angazhohet në LDK, duke thënë “kam lindur në kohën kur është themeluar LDK-ja”, transmeton KP.

“Siç ka thënë babai im, Ibrahim Rugova, LDK-ja për popullin është shpresë e lirisë “, ka thënë Teuta, duke shtuar se ky subjekt politik për popullim është synim i lirisë dhe i pavarësisë.

“Tani që e kam mbaruar universitetin, mendoj që është më se e nevojshme për rininë dhe popullin e Kosovës, që të ketë një përfaqësues të denjë në Kuvendin e Kosovës, sepse segmenti i shoqërisë shpesh edhe është anashkaluar në planin e brendshëm, dhe i harruar i izoluar në planin ndërkombëtar. Të rinjtë tanë duan të jenë krahë për krahë me moshatarët e tyre evropian, t’i ndajnë dhe t’i gëzojnë vlerat e tyre të civilizimit evropian”, ka thënë ajo.

E pyetur për vëllanë, Ukë Rugovën, ajo tha se rasti tij i fundit, është një keqkuptim dhe tha se ata kanë besim të plotë se shumë shpejtë ai do të dëshmojë pafajësinë e tij.

UBT

Në anën tjetër, lideri i LDK-së, Mustafa, ka përkujtuat kohërat e mëparshme të shtëpisë së Rugovës, ku sipas tij, në këtë vend janë themeluar bazat e shtetëndërtimit të Republikës së Kosovës.

Kurse, sa i përket Teutës, ai ka thënë se ajo e ka mbështetjen e plotë të LDK-së, pasi që ajo do ta prezantojë gjeneratën e saj të re.

“Teuta do ta ketë hapësirën e saj për t’i mbrojtur interesat e gjeneratës së saj, ku më pas ata do të jenë më aktiv në vendimmarrje, në mënyrë që të rinjtë të jenë pjesë aktive e shoqërisë”, ka thënë Mustafa.

Duke folur për zgjedhjet e 8 qershorit, Mustafa tha, se LDK do të angazhohen tek Komisioni Qendror Zgjedhor që të ketë një numërim të dyfishtë të votave, për të siguruar që votat t’i shkojnë çdo njërit që i merr nga qytetarët.

Sipas Mustafës, votat për partitë do të numërohen në vendvotime, ndërsa në Qendrën kryesore të numërimit në Prishtinë do të behët rinumërimi i plotë i të gjitha votave për individë dhe për parti. /Telegrafi/