Blatter gëzon Kosovën
Sepp Blatter ka gjasa ta udhëheqë FIFA-n edhe gjatë katër viteve tjera të ardhshme. Kjo pasi zvicerani më në fund ka bërë të ditur se planifikon të kandidojë edhe për një tjetër mandat në krye të FIFA-s, në të cilën organizatë do të mbahen zgjedhjet në vitin e ardhshëm.
Ky paralajmërim i Blatterit është mirëpritur në Kosovë, përkatësisht në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), e cila krenohet me raportet që i ka ndërtuar deri më tani me njeriun numër një të FIFA-s.
Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, beson se Blatter do ta fitojë edhe një tjetër mandat në postin e presidentit të FIFA-s, nëse edhe zyrtarisht merr pjesë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
E, me fitoren eventuale të Blatterit, Vokrri thotë se do të fitojë edhe futbolli kosovar, i cili qe shumë vite intensivisht bën përpjekje për t’u bërë anëtar i familjes botërore të futbollit.
“Shkaku i shëndetit Blatteri ka qenë i pavendosur për t’u kandiduar apo jo. Por, tani kur me shëndet është mirë, ai ka vendosur të kandidohet. Kandidatura e Blatterit është e mirëseardhur për ne, sepse dihet kontributi i tij që e ka dhënë në shtyrjen përpara tëprocesit të Kosovës. Ndihma e tij nuk ka nevojë të komentohet, sepse ajo dihet botërisht”, ka deklaruar Vokrri për “Zërin”.
Ai është i bindur se Blatter do t’i fitojë zgjedhjet e vitit të ardhshëm që mbahen në FIFA, pavarësisht kundër-kandidatëve të tij, kushdo qofshin ata.
“Edhe pse e mban postin e presidentit, Blatter ka dalë plotësisht i pastër prej të gjitha aferave në FIFA rreth çështjes ‘Katari’. Kështu që ai sigurisht se do ta fitojë edhe një mandat të ri. Nën mandatin e tij të ri, besoj se FIFA shpejt do të bëhet edhe me një anëtare të re, me Kosovën, edhe atë në një të ardhme jo të largët, sepse procesi po ecën përpara”, theksoi Vokrri, i cili e konsideron zviceranin se njeriun më meritor që FIFA e ka lejuar Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare, me disa modalitete, të cilat FFK-ja beson se do të hiqen shpejt. Vokrri dhe FFK-ja thonë se komunikimi i vazhdueshëm me Blatterin nuk është punë e vogël, prej të cilit komunikim presin fryte shumë të shëndosha në një të ardhme të afërt.
“Avokati i Kosovës” mund të tërhiqet
Para Sepp Blatterit, Jerome Champagne, pati bërë të ditur se do të kandidojë për president të FIFA-s. Francezi njihet nëpër botë si një mbështetës shumë i madh i çështjes së futbollit kosovar, e madje e ka marrë nofkën “avokati i Kosovës”.
Simpatinë për futbollin kosovar ai e kishte konfirmuar edhe me prezencën e tij në miqësoren e parë të Kosovës me Haitin, e zhvilluar më 5 mars në Mitrovicë. Përndryshe, Champagne për shumë vite ka qenë bashkëpunëtor shumë i afërt i Blatterit. Por, tani gjasat janë të mëdha që francezi ta tërheqë kandidaturën, dhe t’i hapë rrugë fitores së re të Blatterit.
“Jerome Champagne pati thënë se nuk do të kandidojë, nëse kandidohet Sepp Blatter. Kështu që nuk e di nëse ai do të tërhiqet, apo do të vazhdojë. Por, edhe nëse kandidohen të dy, atëherë ne sërish do të jemi shumë komodë, sepse dihet afërsia e Champagne me Kosovën”, thotë kreu i FFK-së, Fadil Vokrri.
Duhet theksuar se kandidat i mundshëm për president të FIFA-s përmendet shumë edhe kreu aktual i UEFA-s, Michel Platini. Por, ky i fundit ende nuk është deklaruar./zeri/


