ARKATANA

Bizneset shqiptare të mbështesin Kosovën Lindore

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Në panairin e bujqësisë dhe të potencialeve investive në Bujanoc, ka marr pjesë edhe delegacioni i Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe i Dhomës Kombëtare Tregtare, i kryesuar nga kryetari Agim Shahini.

Ky panair është organizuar për të shtatën herë nga Komuna e Bujanocit në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të rrethit të Jabllanicës e Peinjës dhe është mbështetur nga Ambasada e Austrisë në Serbi. Në këtë panair për tre ditë do të prezantojnë prodhimet e tyre para konsumatorëve dhjetëra kompani nga Kosova Lindore, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Serbia.

Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanocit, tha se qëllimi i panairit është që investitorëve potencial t’iu prezantohen potencialet e kësaj komune e më gjerë, planet investive, projektet e subjekteve afariste si dhe mundësinë që ekspozuesit nga pesë shtete përreth në biseda të drejtpërdrejta me partnerët e interesuar të diskutojnë format e mundshme të bashkëpunimit dhe investimeve.

“Bizneset duhet të bashkohen e jo të ndahen, në mënyrë që të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të këtyre trevave dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, tha kryetari i Bujanocit.

Nagip Arifi, tregoi se sot kanë festë të madhe për arsye se jo vetëm që kanë ditën e komunës, por edhe atë të shkollës dhe panairin ndërkombëtar të bujqësisë.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se bizneset nga të gjitha viset shqiptare duhet që të vijnë e investojnë edhe në Kosovën Lindore, me qëllim që edhe kjo anë të zhvillohet ekonomikisht.

“Kosova dhe Serbia, duhet të eliminojnë barrierat për shkëmbime tregtare dhe të krijojnë lehtësira për lëvizje më të lira dhe më të shpejta. Kosova Lindore, duhet të ketë mbështetje edhe me të madhe në mënyrë që të ketë zhvillimin ekonomik, vende të reja pune dhe jetë më të mirë për qytetarët”, tha Shahini.

Uji Dea

Johannes Eigner, ambasador i Austrisë në Serbi, tha se vendi i tij vazhdon të përkrah fuqishëm këtë regjion për zhvillimin ekonomik dhe secila iniciativë do të ketë mbështetje.

“Bujqësia është prioritet dhe duhet që të ketë prodhime të shëndosha ku edhe investitorët austriak do të vijnë e marrin këto prodhime”, tha ambasadori austriak.

Goran Joviç, kryetar i Odës Ekonomike të Leskocit, tha se me këtë panair tregohet përkushtimi për të përmirësuar ekonominë e këtij regjioni, bashkëpunimin ndërmjet bizneseve dhe zhvillimin ekonomik.

Brunilda Paskali, zëvendësministre e Zhvillimit Ekonomik nga Shqipëria, tha se potencialet e dëshira për të investuar nuk mungojnë, në mënyrë që kjo trevë të zhvillohet ekonomikisht.

“Kemi nevojë që të thithim investimet e huaja, në mënyrë që rinia të punësohet, të ulet papunësia dhe të rritet mirëqenia e qytetarëve. Për të arritur këto duhet të bashkëpunojmë të gjithë dhe të zhvillojmë trevat shqiptare”, tha zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik e Shqipërisë.

Ajo ofroi mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, për zhvillimin e këtyre zonave dhe premtoi lehtësira.

Nazmi Ejupi, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, tha se ky panair është mundësi e mirë për bashkëpunim dhe zhvillimin ekonomik. Ai ofroi përkrahjen nga institucionet e vendit të tij. /Telegrafi/