Eko Higjiena

I paguajmë për t’na gënjyer

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Imer Mushkolaj – Ata që thoshin se zgjedhjet e ardhshme do të organizohen me ligj të ri dhe do të jenë ndryshe nga ato të vitit 2010, thjesht na kanë gënjyer. Siç vazhdojnë të na gënjejnë çdo ditë për premtimet e papërmbushura, madje paguajnë edhe të tjerë për të na gënjyer duke thënë se Kosova nuk është ajo që ne e jetojmë, por krejt tjetër. Dhe të gjithë këta i paguajmë me paratë tona.

U befasova me këmbënguljen e një këshilltari të kryeministrit të Kosovës i cili, në një debat televiziv, përpiqej të na mbushte mendjen se ne jetojmë në një vend që nuk është ashtu siç e paraqesin një pjesë e mediave dhe e shoqërisë civile. Tipi nga Tirana po këmbëngulte me çdo kusht se Kosova ishte krejt tjetër, me një imazh krejt tjetërfare nga ai qysh bota e sheh.

Duke e dëgjuar teksa fliste, të krijohej përshtypja se nuk e kishte fjalën për këtë Kosovën tonë, por për ndonjë vend krejt tjetër, vend model, me imazh për lakmi. Të krijohej përshtypja se ai e jo ne jetojmë në Kosovë, se ai e jo ne përballej çdo ditë me probleme e probleme dhe se vuante ai, e jo ne shkaku i kapriçove dhe dëshirave të lloj-lloj politikani, banditi e krimineli që këtë vend e kanë kthyer në një plaçkë për t’i plotësuar epshet e tyre.

Përpiqej burri i botës të na bindte se Kosova nuk ishte ajo çfarë e njohim dhe e përjetojmë çdo ditë, por ishte krejt ndryshe. Përpiqej të na mbushte mendjen se është një grup njerëzish që po dëshiruaka me çdo kusht ta paraqesë vendin ashtu siç nuk është, që po ia nxika imazhin kundrejt parave që po i merrka nga dikush. Fliste kështu një person, i cili për të thënë broçkullat e tij paguhet me paratë tona. E paguajmë për të na gënjyer.

* * *

E për të na gënjyer gjithë këto vite kemi paguar me para të majme një armatë politikanësh – liderë subjektesh politike, deputetë e qeveritarë të cilët pa fije turpi janë tallur me ne, duke mos i realizuar premtimet e dhëna. Ata, e jo të tjerët që kritikoheshin nga mendjendrituri i Tiranës janë fajtorët kryesorë për imazhin e nxirë të Kosovës në botë.

Të paktën gjatë tri viteve të fundit i kemi dëgjuar tek thoshin se në zgjedhjet e ardhshme, presidenti i vendit do të zgjedhej direkt nga vota e popullit.

Mobi Casa

I kemi parë teksa kanë formuar komisione për reforma kushtetuese e zgjedhore, kanë marrë mëditje të majme për “punën” që kanë bërë, e rezultati final është më tepër se zhgënjyes.

I kemi dëgjuar tek thonë se listat e votuesve do të pastrohen, e defektet tjera do të riparohen, në mënyrë që zgjedhjet të mbahen ashtu siç duhet. Por, asnjëra nga këto nuk ka ndodhur. Thjeshtë e qartë: na kanë gënjyer!

Zgjedhjet e qershorit do të organizohen, respektivisht improvizohen sipas ligjit ekzistues, ngase reforma zgjedhore nuk është përfunduar. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i duhet të përgatitet shpejt e shpejt, ashtu siç shpejt e shpejt u kryen muhabetet e fundit të mërkurën në Kuvend, kur në një maskaradë të paparë deputetët shkarkuan veten “për të mirën e të gjithëve”. Pra, ata që na gënjyen se zgjedhjet tjera do të jenë “ndryshe”, ndonëse shumë nga ta zunë ulëset në legjislativ duke vjedhur vota, nuk ngurruan të na gënjejnë edhe ditën e fundit, duke thënë se gjithçka po e bënin për të mirën tonë. Për të mirën e neve, njerëzve të zakonshëm, që me skamjen tonë u paguajmë rroga e mëditje nga më të lartat në rajon. Për të mirën e neve që i paguajmë jo për të na shërbyer, por për të na gënjyer. Njësoj siç i paguajmë për të na gënjyer gjithë ata të tjerët, qeveritarë e çqeveritarë, që premtimet e dhëna i harrojnë sapo t’i marrin votat dhe, përpos rrogave marramendëse, shumë nga ta vjedhin e keqpërdorin gjithandej e çfarëdoqoftë.

* * *

Do të përpiqen gjatë fushatës zgjedhore politikanë e të ashtuquajtur politikanë të na bindin për t’i votuar, duke përdorur si argumente ato që i kemi dëgjuar dhjetëra herë përpërparimin që paska ndodhur në Kosovë. Do të përpiqen të na bindin se duhet të ndihemi krenarë pse jetojmë në një vend të tillë, me alamet mirëqenie e rehatie. Varet nga ne se sa do t’i kapërdijmë rrenat e tyre, në këmbim të votës.

Natyrisht, nuk është gjithçka zi e terr, por fatkeqësisht nuk është se kemi për çka të lavdërohemi fort se është arritur për përmirësimin e jetëve tona. Nga kafazi i mbyllur ku na ka lënë pikërisht keqqeverisja e shumicës së politikanëve që tash shiten si alternativa, do të kemi rastin të dëgjojmë të tjera premtime, të zbukuruara e të kuruara që ua kalojnë disa herë atyre të tipit nga Tirana. E vetmja që mund të bëjmë është të vendosim me kokë të ftohtë dhe në mënyrë racionale për ata që do të mund të na qeverisin më me dinjitet.

Nëse deri tash i kemi paguar për të na gënjyer, mos t’i paguajmë me sakrifikimin e të ardhmes tonë dëshirat e atyre që fetish e kanë pushtetin dhe gënjeshtrën.