Eko Higjiena

Kuvendi si TMK-ja, nga shpërbërja te shuarja

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Nga Albin Kurti – I janë sulur Kuvendit të Kosovës, Thaçi dhe Mustafa. Nuk merren me kufizimet e padrejta që i ka sjellë Plani i Ahtisaarit e i cili paraqet edhe dyshemenë, edhe tavanin, edhe frymën e Kushtetutës së Kosovës. Nuk merren as me deputetët serbë që shkojnë në Beograd për të marrë instruksione e të cilët Thaçi i ka në qeverinë e tij si partnerë. Pra, nuk duan të merren me problemin dhe po na e dëshmojnë që vetë ata janë problemi. Mënyra e padrejtë e tyre ndaj shtetit gjithsesi vjen nga motivi personal për pushtet.

Nuk ka faj Kuvendi si institucion që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk po arrin të transformohet në Forcat e Armatosura të Kosovës. Privilegjet për deputetët serbë deri në të drejtën e tyre të vetos siç i ka kodifikuar Plani i Ahtisaarit nuk po përdoren për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serbë në Kosovë, por për mbrojtjen e aspiratave të shtetit të Serbisë mbi Kosovën. U vërtetua ajo që e kemi thënë qëmoti: së pari, Plani i Ahtisaarit është aty pikërisht për t’u keqpërdorur; së dyti, ai është kompromis në thelb të shtetësisë andaj nuk mund të jetë kompromisi i mbramë; dhe, së treti, Plani i Ahtisaarit bëhet platformë për koncesione të njëanshme ku Kosova jep e Serbia merr.

Cilit qytetar të Kosovës ia ka marrë mendja që atëherë kur do të jemi në vigjilje të 15 vjetorit të çlirimit të Kosovës, Qeveria e Kosovës do të mbetet në pritje të lejes nga Beogradi për ushtrinë e Kosovës e cila edhe nuk quhet e tillë?! UÇK-ja u lind në konfrontim radikal me Serbinë, jo duke e respektuar atë. Mirëpo, Kryeministri aktual i Kosovës e pat nënshkruar çarmatosjen dhe demilitarizimin e UÇK-së dhe më pas edhe shpërbërjen e shuarjen e TMK- së. Ky kryeministër nuk e bën dot Kosovën me ushtri. Ai është njeriu i cili Kosovës ia heq ushtrinë kur a ka atë, e jo njeriu i cili e pajis Kosovën me ushtri.

Ashtu, qysh në vitin 2007 u vendos të shpërbëhej TMK-ja e pastaj u tha se duhet të shuhet ajo, njësoj, edhe tani po thuhet se duhet të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës, por, në fakt, ai po shuhet. Thaçi e Mustafa po duan ta lënë nesër Republikën pa kuvend sepse ata dje e lanë Kosovën pa Republikë (atëherë kur ratifikuan pazarin me Serbinë). Kësisoj, përveçse Kosova nuk po bëhet me ushtri ajo po mbetet edhe pa kuvend.

Është interesante qysh gjithçka ka filluar me marrëveshjen Pacolli-Thaçi -Mustafa të 6 prillit të vitit 2011. Atëbotë këta të tre u morën vesh, përveç tjerash, që Kosova të mos jetë më një zonë zgjedhore por të përbëhet prej shumë distrikteve zgjedhore. Natyrisht që kjo i konvenonte Serbisë e cila besonte që asisoj do ta ketë një zonë të veçantë zgjedhore për serbët në Kosovë, të përbërë prej veriut dhe enklavave (pak a shumë territori i Asociacionit a Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe).

Hidromorava

Mirëpo, Thaçi, Mustafa e Haradinaj nuk u morën vesh për numrin e zonave: Thaçi donte 6 ose 7 zona (d.m.th.. 6+1, pra gjashtë zona plus serbët), Mustafa i donte 24 apo 26, ndërkaq Haradinaj 100. Meqenëse koha po kalonte dhe s’kishte marrëveshje, Serbia kaloi në planin B: të vazhdoheshin ulëset e rezervuara edhe për një a dy mandate për deputetët serbë. Natyrisht, ka edhe deputetë të pakicave të tjera që e duan vazhdimin e ulëseve të rezervuara dhe s’është aspak e thënë që kjo të ketë lidhje me Beogradin por veçse me interesat e tyre të ngushta, mirëpo problemi i këtyre ulëseve e ka origjinën në kompensimin për Serbinë në situatën kur Kosova nuk u bë me shumë zona zgjedhore.

Ky problem do të kishte zgjidhje të kollajshme sikur kryeministri aktual të mos i kishte premtuar ish-kryeministrit të Serbisë, Daçiq, në Bruksel, se do t’ia plotësojë atij dëshirën për vazhdimin e ulëseve të rezervuara. Premtimet që Thaçi ua bën qytetarëve të Kosovës ai mundet të mos iu përmbahet, mirëpo jo edhe atyre premtimeve që i bën në zyrën e Baroneshës Ashton. Sot, Thaçi orvatet që në të njëjtin premtim të tij ndaj Daçiqit t’i fusë edhe Mustafën e Haradinajn. Orvatja e tij nuk është e paarsyeshme: edhe kur u bë ratifikimi i marrëveshjes me Serbinë, edhe kur u miratua amnistimi i kriminelëve serbë nga veriu, edhe kur u aprovua Gjykata Speciale që do të merret me ndjekjen e pjesëtarëve të UÇK-së, këta të tre ishin bashkë, apo jo?

Pra, nuk është çështja që Thaçi kërkonte e angazhohej për ushtrinë e Kosovës por i paska dalë pengesë vetoja e deputetëve serbë që duan ulëse përtej Planit të Ahtisaarit. Saktësisht e kundërta është e vërtetë: Thaçi njëherë i ka premtuar mandatet shtesë për ulëse të rezervuara dhe tani kur ai duhet ta përmbush premtimin, po përpiqet ta nxjerrë një ushtri për Kosovën që nuk e ka emrin ushtri ndërkohë që dihet se asaj do t’i shtohet më parë numri i pjesëtarëve sesa armatimi e përgatitja. Kjo është arsyeja pse Thaçi deklaron që nëse nuk e miratojmë tash ushtrinë këtë do të mund ta bëjmë vetëm pas katër vjetëve, thjesht, ai po tregon që duhet pritur zgjedhjet e tjera në vitin 2018 për ta hapur çështjen e ushtrisë sepse atëherë sërish do të riaktualizohet vazhdimi i ulëseve të rezervuara.

Ushtria e Kosovës u shfaq si aneks i temës së vazhdimit të ulëseve të rezervuara e jo anasjelltas. Një kërkesë këso fare për ushtrinë nuk kishte se si të përfundonte mirë.