Uji Dea

Politika e simbolikave në Viti

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Arton Musliu – Kosova, e edhe qyteti ynë, Vitia, është vend në të cilin ndodhin patologji politike nga më të ndryshmet. Në këtë kontekst padyshim njëra ndër devijimet kryesore të politikës lokale në Viti është edhe orientimi në politika simbolike të cilat mëtojnë të amortizojnë mungesën e politikave të investimeve kapitale, respektivisht ikja nga përgjegjësia institucionale dhe shtetërore.

Përgjithësisht ekziston një përpjekje stereotipe e pushtetit aktual në Viti për krijimin e përshtypjes se kinse ky pushtet është duke bërë diçka. E në fakt kjo diçka është asgjë. Kjo për shkak të dy arsyeve.

E para, zyrtarët komunal të komunës së Vitisë, që qeveriset nga LDK, prej fillimit të mandatit të tyre nuk kanë bërë asgjë, ama asgjë, në drejtim të materializimit të politikave investive kapitale, të cilat do të ndikonin direkt në përmirësimin e standardit jetësorë të qytetarëve të komunës së Vitisë.

Në përjashtim të zotimit të mjeteve për fillimin e ndërtimit të Palestrës Sportive, që është kryesisht suport financiar i Qeverisë së Republikës së Kosovës, ky pushtet aktual, që me gjasë po del të jetë i lodhtë qysh në fillim, nuk është duke bërë asgjë kapitale në këtë drejtim. Kjo është shumë keq. Keq sepse së pari investimet kapitale janë detyrime ligjore të parapara me dispozitat juridike të sistemit juridik pozitiv të Kosovës, dhe së dyti, Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Viti duhet ta dijë se ka bërë një mal premtimesh karshi qytetarëve të kësaj komune.

Prandaj ky pushtet duhet të jetë më i përgjegjshëm. Për më keq, komuna e Vitisë mungesën e këtyre investimeve të shumëpritura është duke e kompensuar me politika simbolike të cilat nuk mund të prodhojnë tjetër gjë pos rezultate simbolike. Pothuajse për çdo ditë qytetarët e komunës së Vitisë shohin dhe lexojnë lajme se si kryetari aktual i Vitisë mbolli një pemë, se si morri pjesë në një aksion pastrimi, se si u dekorua nga një organizatë që duke e lexuar e njohim, e kështu me radhë. Padyshim se këto veprime simbolike nuk i bëjnë dëm shoqërisë e as shtetit.

Fundamenti

Ama duhet pas parasysh se pritjet janë shumë më të mëdha në raport me kërkesat e qytetarëve dhe premtimet e qeverisë aktuale lokale. Tek e fundit LDK ka marrë besimin e qytetarëve pikërisht në saje të premtimeve enorme elektorale.

E dyta, që është fenomen edhe në nivelin qendrorë, pushteti aktual lokal në raste të konsiderueshme, duke u munduar të ikë nga përgjegjësia, vepron dhe reflekton sikurse të jetë shoqëri civile. Zyrtarë komunal, duke përfshi edhe kryetarin, në plotë raste thonë se nuk mundemi, nuk kemi kapacitete, duhet pritur për respektimin e procedurave, japin rekomandime, veprime këto të cilat për një çast të krijojnë përcepcionin e një prononcimi të një aktivisti të shoqërisë civile. Edhe kjo është shumë keq për shkak se zyrtari shtetërorë duhet të jetë në krye të detyrës zyrtare dhe jo të fshehët nga pasiguria e padituria.

Sidoqoftë ky fillim mandat i qeverisë së LDK-së nuk është mbresëlënës, për më keq është sinjal serioz i një dështimi total qeverisës. Këtij kaosi politik në mënyrë indirekte po i kontribuojnë edhe partitë opozitare të cilat bëjnë nga një deklaratë për medie sa për të thënë dhe duke mos thënë pothuajse asgjë, e në rastin më zhgënjyes tregohen totalisht indiferente në raport me përgjegjësitë e tyre, nëse kanë përgjegjësi të tillë.

Shprehur në mënyrë koncize Vitisë është duke i munguar debati politik dhe mendimi objektiv ndryshe. E kur këto dy elemente imanente të demokracisë liberale nuk duken në horizontin politik të një shoqërie atëherë stagnimi, e ndoshta edhe mbrapanumërimi, do të trokasin fuqishëm në ecjen tonë të mëtutjeshme si shoqëri./rajonipress/