ARKATANA

Fëmijët e “Shotës” i falin ngjyrat shqiptare festës së Cyrihut

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Ka më shumë se dhjetë vjet qyshkur fëmijët e Shkollës së Vallëzimit “Shota” nga Aarau marrin pjesë rregullisht në parakalimin rrugëve të qytetit të Cyrihut, në kuadrin e festës tradicionale “Sechseläute”.

Krahas qindra grupeve të fëmijëve që të dielën parakaluan me kostume dhe rekuizita nga më të ndryshmet, edhe grupi shqiptar i fali kësaj feste ngjyrat e bukura të kostumeve dhe të flamurit kombëtar e atij të Kosovës.

Shiu që e shoqëroi aktivitetin pothuajse nga fillimi deri në fund, nuk zbehu vullnetin dhe gazin fëmijëror të grupit të SHVSH “Shota”. Ata, sikur edhe viteve tjera, nën drejtimin e Agron Bajramit, udhëheqësit të “Shotës” përfaqësuan me dinjitet dhe me një sharm të veçantë shqiptarët dhe Kosovën, gjegjësisht komunitetin shqiptar që jeton në Zvicër.

Këtë vit në nisje të parakalimit, fëmijët i ka shoqëruar dhe përgëzuar ushtruesja e detyrës së udhëheqëses së Qendrës Kulturore Shqiptare në Cyrih, Shukrije Ramadani.

Hidromorava

Festa “Sechseläute” i ka rrënjët në mesjetë dhe me kohë ka evoluuar duke marrë elemente të reja. Por, fillimisht ajo organizohej nga grupet e zejtarëve të qytetit (Zünfte) të cilat kanë pasur rol të ngjashëm me “esnafet” te ne. Gjatë dy ditëve “zünfte” të ndryshme parakalojnë, këmbë ose me kuaj, duke prezantuar në mënyrë simbolike dhe të dekoruar mjetet e punës dhe rekuizita të tjera. Meqë në një “Zunft” tradicionalisht kane marrë pjesë vetëm meshkujt, edhe pjesëmarrja në manifestim ka qenë deri vonë e rezervuar vetëm për meshkuj.

Me kalimin e kohës, “Sechseläute” ka marrë përmasat e një feste gjithëpopullore. Parakalimi përcillet nga mijëra qytetarë dhe turistë. Gjatë kohës sa mbahet ajo, në stendat e shumta në rrugët e qytetit ofrohen ushqime dhe pije, ndërsa e gjithë kjo atmosferë ngjyrash e tingujsh shoqërohet nga muzika që luhet nga orkestra të shumta lëvizëse.

Kurorëzimi i festës është djegia e “Boog”-ut, një lloj dordoleci nga druri dhe tekstili dhe një sasie mase shpërthyese. Ai vendoset në një pirg të lartë ndërsa përfund i vihet një stivë drurësh, të cilës i vihet zjarri. Koha që merr djegia dhe shpërthimi i “Boog”-ut, sipas besimit popullor përcakton motin që do të mbajë gjatë verës në vijim./albinfo.ch/