Ministria e Arsimit premton çanta më të lehta për nxënës
Problemeve me çantat e rënda të nxënësve, të cilat prej kohësh janë parë si rrezik për shëndetin e fëmijëve, do t’u bëhet zgjidhje.
Do të rishikohen librat shkollorë, kryesisht ata të lëndëve shoqërore. Mësimet në këta libra do të jenë më të konceptuara, më të shkurtra dhe të kapshme për moshën e fëmijëve, ka thënë për gazetën, Drita Kadriu, këshilltare e ministrit të Arsimit, Ramë Buja, shkruan sot “Koha Ditore”.
Problemi i peshës së çantave, që vjen si rezultat i numrit të madh të teksteve shkollore dhe pajisjeve tjera shtesë, ka qenë shqetësim i vazhdueshëm i prindërve të fëmijëve, i ekspertëve të arsimit, e për këtë kanë alarmuar edhe mjekët.


