Uji Dea

Objekti i komunës në Gjilan është institucional e jo partiak

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Nga Fehmi Sylejmani – Pavarësisht se qyteti i Gjilani njihet si një nga qytetet më të qeta dhe më mirëpritëse në Kosovë për të gjithë mysafirët ngado që ngarendin dhe të çfarëdo fushe qofshin, megjithatë vizita e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës, të premten në selinë e kryetarit të komunës, Lutfi Hazirit, ka zemëruar në masë të madhe qytetarët gjilanas.

E kuptojmë dëshirën dhe entuziazmin e kryetarit Haziri, pikërisht për 100 ditshin e qeverisjes së tij, por nuk mund ta kuptojmë kinse zemërgjerësinë e tij për të hapur dyert e komunës për kryetarin e tij të partisë. Komuna nuk është objekt për të promovuar dhe ekspozuar lider partiakë dhe aktivitete partiake. Po të ishte Isa Mustafa në ndonjë post të qeverisë do të ishte shumë normale të vizitonte objektet e komunës dhe vetë selinë e kryetarit Lutfi Haziri.

Prezenca e Mustafës dhe fotoja e përbashkët e tij me të gjithë drejtorët e drejtorive përkatëse të Gjilanit në selinë e kryetarit të komunës përkatësisht në objektin e komunës ka irrituar shumë qytetarë dhe përfaqësues të subjekteve opozitare në Gjilan. Prandaj publikisht kërkojmë nga kryetari i komunës Lutfi Haziri t’ju kërkojë falje të gjithë qytetarëve gjilanas për këtë gjest të tij.

Nuk do të kishte asnjë gjë të keqe, nëse kryetari i LDK, Isa Mustafa të vizitonte selinë e kësaj partie, apo edhe ndonjë nëndegë të saj kudo që është, por një parti e cila e quan veten institucionale dhe me shumë përvojë të bëj këso gafe, vërtetë është e pajustifikueshme. Madje ky gafë është ekskluziv i kryetarit të komunës Lutfi Hazirit, dhe i pretedentit për kryeministër Mustafës.

Fundamenti

Haziri nuk ka të drejtë në asnjë mënyrë të veprojë në këtë formë, për faktin se po e përsërisim edhe një herë, se objekti i komunës është institucion komunal – shtetëror dhe jo partiak e aq më pak i LDK dhe çfarëdo justifikimi i tij për këtë veprim infantil, mbase mund të jetë edhe i qëllimshëm, nuk është i pranueshëm për askënd dhe dashtë Zoti të mos përsëritet më kurrë.

Në anën tjetër i kuptojmë edhe drejtorët e partive që janë në koalicion më LDK në qeverisjen lokale në Gjilan, ngaqë ka të tillë që me padurim kanë dëshiruar ta shijojnë pushtetin, dhe mirë që janë dhe kanë pranuar, mirëpo nuk mund t’i kuptojmë assesi për veprimin e fotos së përbashkët me kryetarin e LDK në zyrën e kryetarit të komunës. Para se gjithash është deshtë t’ia bëjnë vetes një pyetje të vetme, nëse ky person është nga institucionet shtetërore apo nga një subjekt politik.

Si do t’ju arsyetohen anëtarësisë dhe votuesve të tyre si kundër edhe liderëve të partive përkatëse, të cilat i përfaqësojnë ?! Puna e mirë nuk bëhet vetëm duke ju nënshtruar eprorit, por përkundrazi duke i kryer punët me nderë, përkushtim, seriozitet dhe profesionalizëm, duke dhënë ide, po pse jo edhe kritika në aspektin pozitiv dhe sa më shumë me qene kreativ e jo servil.

Fehmi Sylejmani, anëtar i Kuvendit Komunal në Gjilan nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!