UBT

Peshku i Artë

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Imer Mushkolaj – Hashim Thaçi po shfaqet si një peshk i artë, duke plotësuar dëshira gjithandej. Për vite me radhë u ka plotësuar dëshira miqve e bashkëpartiakëve, duke i veshur me pushtet e privilegje, ndërkaq tash i ka ra ndërmend se për përkujdesje e ndihmë kanë nevojë edhe fëmijët e sëmurë, që përpiqet t’i rehatojë me shtesat e rrogave astronomike të deputetëve.

Wikipedia thotë se peshku i parë i artë është shfaqur në Europë para më shumë se 250 vjetësh dhe pronare e tij ka qenë Madamede Pompadour, mikja e ngushtë e mbretit frëng Luigji XV dhe zyrtare e lartë e mbretërisë. Tash këta peshq janë në krye të listës së më të dashurve për fëmijë dhe zakonisht mbahen në akuariumë të vegjël, gjë që ndikon që edhe të mos jetojnë gjatë. Në të tilla kushte, peshqit mund të jetojnë deri në tetë vjet.

Një lloj i këtyre peshqve e kanë të mbështjellë shpinën me njëfarë kocke, për t’u mbrojtur nga grabitçarët, por nga kjo kockë ata edhe mund të ngulfaten dhe të ngordhin pas vuajtjeve të mëdha.

Ekzistojnë përralla të panumërta për peshkun e artë që plotëson dëshira. Zakonisht tri dëshira. Por, ata që e kapin peshkun dhe kërkojnë nga ai këtë të mirë duhet të kenë kujdes çfarë kërkojnë. Sepse, një gabim i vogël mund t’iu kushtojë shtrenjtë. Përrallat na mësojnë kështu.

E historia më e re na mëson se një peshk i artë po bën kërdi ditët e fundit në Kosovë, duke plotësuar dëshira e dëshira. Kryeministri Hashim Thaçi po shfaqet si i tillë, teksa po rrit paga e po ndihmon gjithandej vendit, pa e pasur fort dert mundësinë e destabilizimit financiar. Dhe nuk po i plotëson vetëm tri dëshira, por shumë më shumë.

Njësoj si peshqit e artë që jetojnë në akuariumë të vegjël, edhe Thaçi dhe kosovarët jetojnë në njëfarë akuariumi, në një vend të izoluar. Ai lëviz ku të dojë, por jo edhe qytetarët që i udhëheq, të cilët bëjnë jetë si në burg. Mungesa e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar po e zgjat pafund liberalizimin e vizave.

Në akuariume peshqit e artë mund të jetojnë deri në tetë vjet. Thaçi është në vitin e shtatë të qeverisjes dhe po po punon seriozisht të vazhdojë edhe katër vjet të tjera. Pjesa për kockën që ua mbështjell shpinën për t’i mbrojtur nga grabitçarët nuk është se i përshtatet shumë. Një lëkurë gjarpri që ndërrohet disa herë gjatë vitit është më e pranueshme.

* * *

Për vite me radhë Hashim Thaçi ka bërë peshkun e artë me të vetët, duke plotësuar dëshira të miqve e bashkëpartiakëve të tij, duke i veshur me pushtet e privilegje dhe, më pas, duke mos i lëvizur nga pozitat as atëherë kur ata mbërtheheshin nga skandalet.

Eco Higjiena

Për vite me radhë ai nuk është kujtuar që pak para t’i ndajë për fëmijët e sëmurë, shumë nga të cilët edhe kanë ikur nga kjo botë pa e pritur mëshirën e kryeministrit. Por këtë po e bën tash, bash para zgjedhjeve, me shtesa të pagave të zyrtarëve të lartë. Ashtu siç, po bash para zgjedhjeve nuk po heziton të përpiqet të tregojë se edhe ai është “njëri nga ne” dhe bashkëjeton me hallet e njerëzve të zakonshëm.

Për vite me radhë ai ka blinduar qeverinë dhe ka mbytur transparencën, duke mos caktuar një zëdhënës, ndërkaq javët e fundit na bombardon me statuse Facebooku duke na treguar madje edhe çfarë ka blerë në pazar për drekë.

Për vite me radhë qeveria e udhëhequr nga ai vazhdon të jetë sinonim keqpërdorimi, keqmenaxhimi e korrupsioni, e javët e fundit luan rolin e ëngjullit shpëtimtar, në krahët e të cilit do të gjejnë shpëtim të gjithë.

Për vite me radhë Hashim Thaçi është parë si peshk i artë edhe nga një pjesë e opozitës, që ka shpresuar se do t’ia plotësojë ndonjë dëshirë. Disa besojnë edhe tash në përrallën me peshk.

* * *

Dëshirat Thaçi premtoi t’ua plotësojë edhe gati një mijë punëtorëve të një fabrike në Ferizaj, duke bërë të krijohet një presedan që mund të shkaktojë të tjera reagime. Për më tepër, pavarësisht se ata festuan me daulle se do t’i marrin 25 milionë, duket se kjo nuk do të jetë e lehtë. Qeveria nuk do të ndajë asnje cent për kompensimin e tyre. Për kujtim mund ta mbajnë premtimin e kryeministrit dhe një “selfie” me të ku shihen të lumtur, pas kërkesës së “shefit” që të qeshin për t’u dukur më “hepi”.

Por, duket se Hashim Thaçi nuk do të mbetet i vetmi që e ka gjetur recetën e lumturisë për qytetarët – shumica të varfër e të papunë.

Të enjten, në Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë, Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës shpërndau falas pesë këshilla se si të rinjtë kosovarë ta kthejnë lumturinë në atdheun e tyre. Sipas kësaj organizate të të rinjve, formula magjike është vota për LDK’në dhe Isa Mustafën kryeministër në zgjedhjet e këtij viti. Vetëm se nuk është fort e qartë nëse Mustafa dhe të tjerë në opozitë, me qasjen ndaj Thaçit dhe qeverisë e kanë seriozisht të na bëjnë të lumtur. Apo, sërish, do të presin që Thaçi t’ua plotësojë dëshirat dhe t’i marrë për të qeverisur bashkë – në akuariumin ku zakonisht fitues del peshku më i madh. Dhe më dinaku.