Dija na ishte një Afërditë e rrallë e shkollës sonë…
Gjilan – Ishte viti 1983. Vit i fillimeve të kthesave të mëdha. Në shkollë vinin shkollarë me dije. Vinin dhe hapëronin drejt ditëve të reja. Pse jo? Ishte një gjendje “tjetër”. Atë kohë, në Gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit regjistroheshin shkollarë të profileve të ndryshme. Unë aty jepja mësim. Isha kujdestar i klasës IV-6 – drejtimi arsimor. Si sot më kujtohet klasa me filizat e parë të dijes.
Sikur këta (këto) filiza përgatiteshin të bëhen mësues, arsimtarë e pedagogë. E adhuronin profesionin e arsimit. Këto ishin shkollaret para të dijes. I gëzohesha shkollimit të tyre. Ishin shkollare fort të “pjekura”, të cilat i përcillja çdo vit si fëmijët e mi. E dija si sot, në ditarin e klasës sime u regjistruan: Fatmire Ramadani, Lindita Shabani, Merita Salihu, Dije Berisha, Barie Kërqeli, Violeta Haziri, Zijavere Ahmeti, Fatime Xhemaili, Fatime …, Mikereme.. , Hakile Ahmeti, Ramize Fazliu, Havushe…, Fetije Ismajli.
Ishin katërmbëdhjetë sosh. Katërmbëdhjetë, si një. I përcillja dhe u bëra prindi i dytë i tyre. Fillova t’i përcillja në çdo aktivitet shkollor. Punoja me ta pa u lodhur. Nxirrja revistën “Gjimnazisti”. Një revistë modeste e të rinjve shkollarë. Jo vetëm kjo. Herë pas here organizoja orë letrare. E, shkollarët e klasës sime bashkëpunonin me revistën s vinin edhe në orët letrare. Lindita Shabani e Dija e të tjera, vinin dhe lexonin punimet e tyre letrare. U bëra i “afërm” i tyre.
Kaluan tri vite. Por, erdhi edhe fundi i vitit të katërt. Kjo klasë imja ka një histori në vete. Kur u flisja për lekturën shkollore: “Afërdita” e Sterjo Spasses, “Sikur t’isha djalë” të Haki Stërmillit, “Nita” të J. V. Rela, “Një lindje e vështirë” të Elena Kadare etj., sikur shkollarët e klasës sime bëheshin sy e vesh për orën mësimore. Bënim vlerësime e analiza. Këto ishin mësime për jetë. Por, akoma shkollarët pa i marrë dëftesat e dokumentet tjera, u doli pak “punë”. Ishte viti 1987. Atë kohë, drejtor i përgjithshëm shkollave të mesme ishte, Ismail Kadriu.
Ky i parë i shkollave, papritur, autorit të këtij shkrimi iu pat drejtuar: “T, ndonëse shkollarët i kanë kryer mësimet, ata na nevojiten në një aksion pune në vjeljen e vishjnjeve në Kravaricë. Nuk guxon asnjë të mungojë…” Nuk fola. U gjenda para një “akti” jo të mirë. Unë sapo fillova t’ua rregullojë dëftesat shkollarëve të mi, tash më duhet t’i ftoj. Ata tash janë maturantë, vetëm sa nuk i kanë marrë dëftesat. Ata janë të lirë dhe kanë obligime të tjera. Filluan të fotografohen. Mora adresat dhe shkoj në çdo shtëpi për t’i ftuar shkollarët e mi për aksionin vullnetar për vjeljen e vishnjeve. Së pari trokita në derën e Merita Salihut, e cila ishte afër shkollës. E pata vështirë. Nuk dija si t’ju them prindërve se fëmijët e tyre, edhe pas kryerjes së mësimeve, të vijnë në aksionin e organizaur nga shkolla. Kur trokita, doli prindi i Meritës: Burhan Salihu, arsimtar.
“Urdhëroni, profesor! Urdhëroni brenda…” Jo, i them. S’kam kohë. Më kanë obliguar të vij gjer te ju e të tjerët për t’i tubuar shkollarët për një aksion. Ai ma priti: “S’ka problem, kujdestar…” Por, mu lut, t’i flisja vajzës së tij, Meritës që ajo të orientohet në profesionin e arsimit. “Dëshira ime është ajo të bëhet arsimtare. Ju kisha lutur, t’i flisni që ajo ta adhurojë arsimin…” Pas dy a tri trokitjeve në dyer të prindërve, të nesërmen erdhën afro 20 shkollarë të klasës sime për në aksion.
Erdhi Dije Berisha, Merita Salihu, Lindita Shabani, Zijavere Ahmeti, Fatime Xhemajli, Barie Kërqeli e shumë të tjera. Dija dhe Merita dalloheshin në shkollë. Por, edhe të tjerat, si Lindita Shabani, e cila i bënte hartimet plot figura fjalësh e figura mendimesh. Pasi kryen aksionin, shkollarët e klasës sime i tubova në klasë. I falënderova shumë. E, ata më pyetën se a kam ndonjë ide për pllakatin e maturantëve.
Kisha përvojë. Doja edhe këtu të ndikoj në drejtimin që kanë. U dhashë ide dhe e përkrahën. Lindi ideja se, në mesin e pllakatës së tyre të jetë ballina e librit të Sterjo Spasses “Afërdita”. Fort e pëlqyen. Edhe u gëzuan. Afërdita, si portret i librit, ishte një femër e bukur. Ky ishte botim i parë i romanit në fjalë. Një figurë e madhe e arsimit shqip. Kjo ishte mësuesja Afërditë. Afërdita e idealizuar e Grykasit të asaj kohe. E pëlqye Dija, Merita, Lindita e shumë të tjera. Pa një, pa dy, Dije Berisha, e cila sot na mungon, ma bëri një pyetje: “O kujdestar, po ku e gjete këtë foto që shumë e dua? E dua pa masë… Besoni, tërë natën nuk bëra gjumë duke menduar për profesion tim. E pyesja vetën: a mund të bëhem edhe unë mësuese si Afërdita e S. Spasses?! Po, pse jo?! E adhuroj ditarin me shkollarë. E dua Afërditën. Sa shumë profesor na ke folur për mësuesen e Grykasit, Afërditën. Ajo, si personazhe, na ka hyrë në zemër. Edhe ne do të bëhemi mësuese e ditëve të ardhme…! Do t’ju japim fëmijëve lapsa, goma, fletore e libra, por mbi të gjitha, fëmijëve do t’ua falim shpirtin tonë, por edhe dashurinë! Meditoj pak: “A ka më mirë se puna me fëmijë shkollarë? Ja si ua rrëfeva shkollarëve të mi rrugën e Afërditës së Grykasit. Edhe kjo “punë” gjason sikur gjyshi kur u rrëfen përralla fëmijëve, ai atë “kulm” të ngjarjes ua rrëfen fëmijëve për ta mbajtur gjatë në mend. Sa herë hyja në klasë, shkollarëve u thosha se unë nuk kam ëmbëlsira, por u jap libra, lapsa dhe fletore… Pse jo, kështu më ka mësuar e madhja mësuese, Afërditë, e jo si z. Remko, i cili shkollarëve u merrte gjëra të ndryshme pa u skukuqur fare. Afërdita ishte një pishtare e madhe e arsimit.
Ajo arsimoi vajzat e fshatrave të Grykasitn. E largoi injorancën e fanatizmin e mykur të kësaj kohe…” Pas sa vitesh, dëgjoj se shumë prej vajzave të klasës sime IV-6 janë regjistruar për mësuese. Zemra mu bë mal. I gëzohesha punës sime. Ua mishërova atyre drejtimin arsimor. Pas sa e sa vitesh, mësosva se nga kjo klasë imja ishin dalë mësuese, edukatore e arsimtare, si: Lindita, Fatimja, Dija, Merita, Fatmirja e disa të tjera. Para një viti, u gjenda në Shkollën fillore “Thimi Mitko”, në Gjilan. E shpërndaja veprën time poetike “Lule prilli”. Kur hyra në sallën e kësaj shkolle, e gjeta me mantil blu Dijen, Syzanën, Gëzimen etj. Dija, si erdhi nga ora mësimore, e la ditarin e punës dhe erdhi e më përshëndeti. “O kujdestar, sa më paska marrë malli për ju! Ju faleminderit prej jush. Ja puna e juaj. Po, shumë na ke folur për Afërditën e për shumë vepra të tjera. Edhe ne u bëmë Afërdita të kësaj shkolle që ka emër…” Unë s’dija çka të flisja, kur Dija, (Afërdita e shkollës së Gjilanit) i tha të gjitha. Arsimtarët, që ishin në sallë, e kthyen kokën ka ne.
Ajo u afrua dhe bëri një foto. Ishte fotoja e fundit e saj. Një foto kujtim. Ishte Dija me mantil blu. Ajo që sot po na mungon. Por, puna e saj mbeti shembull e shkollës ku punoi. O, Zot, ajo iku para kohe. Na mungon Afërdita e shkollës sonë. Ajo ishte gjithmonë e buzëqeshur, e urtë, e fytyra e saj qeshte si nuri i kësaj jete. Ajo ishte e afërme me të gjithë. Thanë, kur kanë dëgjuar shkollarët për vdekjen e saj, janë tmerruar. Kanë mbetur gojëhapur. S’kanë ditur kah t’ia mbajnë. Lotët u kanë shkuan zvarrë për mësuesen e tyre Dijen, Afërditën e shkollës së tyre. Por, ja vdekja, ajo i merr njerëzi para kohe. Ajo dhe vetëm ajo nuk ka mëshirë. I lehtë i qoftë dheu mësueses Dije, e cila ishte një Afërditë e vërtetë e shkollës më të madhe të qytetit tonë! /Tefik Selimi/rajonipress/


