Fundamenti

Jasharajt

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Albin Kurti – Në njërën anë, UÇK-ja, dhe, në anën tjetër, Adem, Hamëz e Shaban Jashari me familjen e gjerë të tyre, nuk mund të paramendohen pa njëra-tjetrën. Në fakt, s’ka vend këtu për formim fjalie me ‘në njërën anë e në anën tjetër’ dhe ‘njëra-tjetrën’ sepse s’ka këtu as dy anë e as ‘tjetër’.

Rënia heroike e 58 shqiptarëve të bashkuar, e që iu përkisnin tre brezave, të gjitha moshave dhe të dy gjinive, nuk ishte vetëm luftë për liri por edhe liri për luftë. Ata e shpallën veten të lirë individualisht e familjarisht për të luftuar për lirinë tonë kolektive e kombëtare.

Me Jasharajt nis lufta çlirimtare dhe ushtria çlirimtare. Ata filluan ushtrinë që do të luftonte dhe luftuan për ushtrinë tonë. Forcat e shumta policore e ushtarake të Serbisë po i luftonin ata tre ditë rresht në marsin e vitit 1998 sepse luftonin ushtrinë tonë çlirimtare që po lindte në luftë me ushtrinë okupatore.

Vetëmohimi ishte edhe i paparë edhe i paimagjinueshëm, andaj beteja treditore quhet Epope kurse Adem Jashari quhet Komandant Legjendar, thua se ishte personazh e karakter legjendash të pabesueshme që u rrëfehen si përralla fëmijëve. Mbase edhe sot e kësaj dite vazhdon disi të mos besohet Adem Jashari, porsi një e kaluar e pakapërthyeshme mendërisht që i thërret në ndihmë imagjinatës përkundër logjikës.

Rrëfimi për Adem Jasharin i shndërron të gjithë në fëmijë që dëgjojnë përrallën për të fjetur por ja që pikërisht për shkak të përrallës bëhen edhe më të zgjuar seç ishin më parë.

UÇK-ja është momenti kur e drejta politike pajiset me forcë të zbatimit. Të gjitha ato që mendoheshin të kenë qenë qëllime politike në vitet e ’90-ta u rikuptimësuan si dëshira shoqërore. Nëpërmjet UÇK-së politika u zhvesh në naivitetin e saj për ta tejkaluar atë një çast më pas. UÇK-ja shënon momentin kur vetëdijesohesh për fëmijërinë dhe njëkohësisht e tejkalon atë. Ajo na ktheu në realitet për ta transformuar atë realitet (e i cili tashmë kishte ndryshuar me vetë kthimin tek ai).

FIDANISHTJA

Sot, institucionet zyrtare të shtetit të Kosovës e përkujtojnë Epopenë e UÇK-së së 5, 6 e 7 marsit 1998, sikurse edhe vetë UÇK-në, me një distancë të sforcuar. Ceremonitë e ndryshme shtetërore dhe qeveritare shërbejnë për të kujtuar atë që është harruar por pa nxjerrë mësim dhe që të mos nxirret mësim.

Përkujtohet e kaluara në mënyrën dhe masën që të mos mbahet mend ajo. Mbi të gjitha, ajo sillet në të tashmen si një e kaluar e shkuar përgjithmonë: e depolitizuar sepse pa aktualitetin e saj. Këso përkujtimesh konfirmojnë harresën.

Institucionet e Republikës së Kosovës realisht nuk e njohin UÇK-në. Ajo s’përmendet në Deklaratën e Pavarësisë dhe as në Kushtetutën e shtetit. Në emër të çlirimit, Kosovës iu mor UÇK-ja, ndërkaq në emër të pavarësisë, edhe TMK-ja. Ushtrinë që e krijuan dëshmorët nën pushtim, e zhbënë disa politikanë në liri. Por, liria pa ushtri është liri në rrezik, është liri e brishtë, gjithnjë e më e brishtë, deri atëherë kur nga brishtësia as nuk shihet e as nuk ndjehet liria.

Sot, nga Policia e Kosovës dhe nga Forcat e Sigurisë së Kosovës është përjashtuar fryma dhe simbolet e UÇK-së, trashëgimia dhe misioni i saj. Nuk është e rastësishme që shpallja e pavarësisë pa UÇK-në dhe ligji i shtetit pa UÇK-në kanë rezultuar me pavarësi pa sovranitet dhe me shtet pa integritet. Edhe kur (nuk) përmenden nga Qeveria, luftëtarët e UÇK-së konsiderohen si pjesë e problemit (social) në Kosovë e jo si ata që sakrifikuan për zgjidhje (politike).

Dëshmorët janë njerëz të jashtëzakonshëm; Jasharajt janë dëshmorë të jashtëzakonshëm. Dëshmorët me në krye Jasharajt gjithçka që bënë, asgjë s’e kishin për vete. Çkado që ne bëjmë për dëshmorët e bëjmë për vete si komb e si shoqëri. E, mbase, çkado që ne bëjmë për vete individualisht e veçmas, më shumë bëjmë për armiqtë tanë.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.