Refuzimi…!
Nga Nexhat Buzuku – Ese meditativo-filozofik. Mikut tim, qendrestarit e veprimtarit Mehmetali Rexhepi, i cili gjithmonë e në çdo kohë manifestoi e përçoi mendimin intelektual ndërtues ndaj e për të mirën, e refuzues ndaj të keqes.
Mendim refuzues e ndryshues, antikonformist, qëndresë logjike. Me virtytin tonë të lartë dikush ngrihet e bërtet, çirret i dëshpëruar, nuk e përballon fuqinë e mendjes, arsyen dhe gërthet e mbytet brenda vetes në mjerimin mendor, ulërinë me egërsi, po nuk mund të shkëputet nga ankthi e makthi.
Është i pafuqishëm përpara zërit njerëzor. Papritmas një ulurim çjerrëse brenda vetes së tij:”Ndihmë!”. Kush bërtiti? I duket se të gjithë janë kundër tij. Jo! I mungon arsyeja. Vazhdon në mjerimin e tij. Nuk mund të dal jashtë të keqes.
Mbytet përditë brenda mjegullës mendore që nuk i dritësohet nga e keqja brenda vetes, nga energjia negative. Ky është fataliteti i njeriut që as jeton as vdes, as është i gjallë as i vdekur.
Drita nuk kap errësirën mendore të njeriut, sepse te ai ekziston ana e erret e mendjes. Ekzistenca te ky soj i njeriut është vetëm një fiksion ne konceptin filozofik të kohës dhe hapësirës.
A është jeta një lojë në skenën e një teatri komedie? “Nuk njoh pasha, nuk njoh masa inerte, nuk përshtatem!” Kërkoj, rikerkoj duke shkundur kaosin. Para se të më shkelin, dua të hap sytë një çast dhe t’i shoh mjeranet, aktoret, lojtaret e komedisë, të vorbullës, të kaosit. T’`i mohoj e kundërshtoj. Jetës nuk i jap qellim tjetër./rajonipress/


