Interpretimi i Ramë Lahajt në Sydney cilësohet brilant
Interpretimi i tenorit kosovar në rolin e Alfredo Germontit në operën “La Traviata” me të cilin që debutoj në “Sydney Opera House”, nga kritika është vlerësuar si më entuziasti i parë ndonjëherë në skenën prestigjoze të këtij vendi.
Pas shfaqjes së operës së njohur të Verdit para audiencës në shtëpinë operistike australiane, kritika e ka vlerësuar Lahajn për tonin e interpretimin e veçantë në skenën e institucionit që është njëri prej më të njohurve të muzikës klasike në botë.
Ky debutim i tij ishte paralajmëruar edhe nga prestigjiozja britanike “The Guardian”, në një artikull nëpërmjet të cilit paralajmëronte shfaqjen.
“Opera shfaq Lorina Goren e tenorin ndërkombëtar Ramë Lahaj në debutimin australian, të dirigjuar nga Renato Palumbo”, kishte shkruar gazeta britanike. Në një vështrim për shfaqjen, të publikuar në “simonparrismaninchair.com”, thuhet se megjithëse “La Traviata”- opera treaktëshe e Guiseppe Verdit që ishte inskenuar për herë të parë në mars të vitit 1853 në shtëpinë operistike “La Fenice” në Venecie – është një produksion i mirënjohur dhe i dashur përderisa rolet debutuese të sopranos Lorina Gore (që interpreton Violettan) dhe tenorit Ramë Lahaj, e bëjnë mbrëmjen brilante.
Në hapësirën që i ka kushtuar këtij produksioni, mediumi australian po ashtu thekson se regjisori Tama Matheson ka punuar ngushtë dhe kujdesshëm me kastën e tij për përpunimin e tekstit dhe ndikimin e tij dramatik. Një pjesë e madhe e artikullit i dedikohet interpretimit të Lahajt, në shfaqjen e cila u dha premierë të premten mbrëma.
“Nga Kosova, Lahaj është Alfredo më entuziast i parë në nivel lokal që nga koha e Gianluca Terranovës në inaugurimin e Operës Handa në Portin e Sydneyt. Me aktrim të jashtëzakonshëm, Lahaj paraqet udhëtimin përplot emocion të Alfredos, nga adhuruesi i zjarrtë deri te dashnori përplot pasion përmes zemërimit të tij të pamend, turp e pikëllim të mëvonshëm”, shkruan sot më gjerësisht Koha Ditore.
http://koha.net/?id=4&l=65349


