Ilazi: Serbia nuk e ka dhënë asnjë cent në krijimin e Ujmanit
Pretendimet e Serbisë ndaj Liqenit të Ujmanit janë të padrejta pasi ky shtet nuk ka investuar asnjë cent në ndërtimin e tij, ka thënë ish-ministri i Financave për kohën kur është ndërtuar ky liqen, Ilaz Ilazi.
Në një intervistë për “Kohën Ditore” Ilazi ,që ka shërbyer edhe si drejtor i Bankës së Kosovës, ka treguar se atëbotë 45 milionë dollarë i pati siguruar Kosova nëpërmjet fondit të federatës derisa 45 milionë të tjera i ka dhënë Banka Botërore.
Ilazi ka deklaruar se edhe udhëheqja e atëhershme e Serbisë pati pranuar se kjo pasuri i takon Kosovës. Duke folur për pretendimet e tashme të Serbisë, Ilazi ka thënë se synimi i tyre është që Ujmanin bashkë me pasuritë përcjellëse ta fusë nën Asociacionin e Komunave Serbe, për të cilin po kërkohen kompetenca ekzekutive.
Projekti
KD: Cila është historia e Liqenit të Ujmanit, pasi ju keni qenë i përfshirë në këtë projekt, si ish-ministër i Financave?
Ilazi: Projekti për Ujmanin është bërë më herët dhe ka qenë integral, ku janë përfshirë edhe Lepenci edhe Ibri. Por Lepenci është lënë për fazën e dytë. Faza e parë u përcaktua për shkak të industrisë. Kjo ka zgjatur shumë dhe qeveria e vitit 1969 pati marrë vendim që fillimisht të përfundojnë punët në Ibër.
Përgatitjet janë kryer më herët dhe është dashur që kontrata me Bankën Botërore të vendoset në qeverinë e Jugosllavisë dhe kontratat në Bankë Botërore të ratifikohen me të gjitha republikat, duke përfshirë Vojvodinën e Kosovën.
Kontratat po ashtu kanë kaluar nëpër kuvendet e republikave e të krahinave, para se të bëhet ratifikimi në Kuvend. Në Ibër është dashur të financoheshin 28 mijë hektarë tokë. Në këtë projekt përfshihej edhe financimi i ujit për Mitrovicë, Vushtrri dhe fshatrat përreth Sitnicës.
http://koha.net/?id=27&l=65091


