Gjysma e maturantëve ngelin në provim
Provimin Shtetëror të Maturës e kanë kaluar 53,9 për qind e maturantëve kosovarë. Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQSHM) ka publikuar të martën rezultatet e këtij Testi për afatin e qershorit, duke e vlerësuar mbarëvajtjen e Testit në mënyrë të rregullt dhe sipas planeve të parapara.
Në konferencën për media, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit, udhëheqës të KQSHM-së kanë bërë të ditur se krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit ka rritje të kalueshmërisë për 1,4 për qind.
“Nga rreth 32 mijë maturantë, sa i janë nënshtruar Provimit Shtetëror të Maturës, në afatin e qershorit 53,9 për qind prej tyre e kanë kaluar provimin”, ka thënë Azem Guri, kryetar i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës. Ai ka vlerësuar se i gjithë procesi i Provimit Shtetëror të Maturës ka shkuar mirë dhe sipas planit. Kryetari Guri tha se kalueshmëria ka qenë më e madhe në gjimnaze.
“Kanë kaluar 17 mijë e 255 ose 53,9 për qind. Kalueshmërinë e kemi sipas kësaj radhitjeje: në gjimnaze kemi 81 për qind kalueshmëri, ndërsa në shkollat e mesme profesionale kalueshmërinë e kemi 31 për qind. Nëse e bëjmë krahasimin me qershorin e vitit të kaluar kemi një rritje të kalueshmërisë për 1,4 për qind”. Komisioni Qendror Shtetëror të Maturës, sipas tij, këtë rritje të kalueshmërisë e vlerëson me krijimin e kushteve më të mira për maturantët.
“Rezultati është i kënaqshëm dhe i pritshëm”, ka thënë Guri, i cili ka folur edhe për rezultatin e ulët të kalueshmërisë në shkollat profesionale. Sipas tij, ky rezultat e obligon Komisionin që të merret më shumë me përmbajtjen e testeve. Ai nuk ka mohuar se edhe në pjesën e dytë të Testit janë identifikuar problemet gjatë procesit. Por, ka thënë se do të pasojnë sanksione për administruesit. Maturantët kosovarë të pakënaqur me rezultatet e Testit të Maturës do të kenë mundësi që të paraqesin ankesat e tyre pranë drejtorive komunale të arsimit, prej ditës së martë kur u publikuan rezultatet e deri të premten (tri ditët në vazhdim). Ndërsa, ata të cilët janë të bindur për ngeljen në këtë provim, MASHT-i ka konfirmuar se do të kenë mundësi t’i nënshtrohen këtij provimi dhe në afatin e gushtit. /Zëri/


