Imer Beka: Sami Kurteshi është nën hetime!
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka reaguar ndaj deklaratave të avokatit të popullit, Sami Kurteshi. Kurteshi, që është në fundin e mandatit të tij si avokat i popullit, e pati quajtur institucionin që e udhëheq Beka si çerdhe të krimit, ndërsa Beka këto i konsideron si të pavërteta dhe shpifje.
“Pretendimet e tij janë tendencioze, të pabazuara në fakte dhe prova dhe si të tilla burojnë nga personaliteti i tij. Ish avokati i popullit Sami Kurteshi që nga viti 2012 është duke u hetuar në bazë të një raporti informues të Policisë së Kosovës – Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të datës 17.09.2012.
Në ndërkohë po i njëjti me qëllim të ndërhyrjes dhe intervenimit për rastin e tij, në muajt e pare të vitit 2013 ka vizituar zyrën e ish Kryeprokurorit të Shtetit, Ismet Kabashi, dhe në këtë takim ka parashtruar pyetjen në kuptimin se ‘kush jeni ju që mund të më hetoni mua, a e dini ju se çfarë pozite të rëndësishme ushtrojë unë në këtë shtet’…
Përgjigja e jonë ka qenë se ne do t’i zhvillojmë hetimet dhe pas përfundimit të hetimeve, nëse ka elemente të kryerjes së veprës penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit nga neni 339 të KPK-së, ne do të paraqesim akuzë”, thuhet në reagimin e Bekës.
Beka, përmes komunikatës shton se Kurteshi po krijon hutim në opinion që të “ushtrojë ndikim në organet e drejtësisë e në rastin konkret në Prokurorinë Themelore të Prishtinës dhe të kryeprokurorit të saj”.
“Prandaj, frustrimet e ish drejtuesit të institucionit të Avokatit të Popullit nuk duhet t’i adresohen Prokurorisë Themelore të Prishtinës”, thuhet në reagim./telegrafi/


