FIDANISHTJA

“Miqësia” sllovene

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Milaim Shefkiu – Republika e Sllovenisë edhe një herë ra nga provimi. Ajo nuk reflektoi miqësi me Kosovën, ashtu siç kishte reflektuar dikur në ish-Jugosllavi, kur bashkë me shqiptarët, kroatët, boshnjakët… sfiduan regjimin e dhunshëm serb, që mori hov me të akuzuarin për gjenocid, Sllobodan Milloshevqin.

Sllovenia për herë të dytë ra pre e politikës serbe, duke arrestuar ish-kryeministrin dhe komandantin më të dalluar të luftës për liri, Ramush Haradinajn.

Sinjali që erdhi nga Lubjana nuk e reflektoi miqësinë e dikurshme, as të tashmen, por apriori krijon një dozë urrejtjesh drejt alpeve.

Arrestimi i Ramushit tregon se në Slloveni ka ende gjykatës, politikanë e intelektualë që kohën e matin me sahatin e “Shokut Tito”. Ndërsa, ajo që është më irrituese në gjithë këtë tregim, është arsyeja e arrestimit të Haradinajt, që bazohet në një urdhërarrest lëshuar 11 vjet më parë nga Qeveria në Beograd.

Ky arrestim, madje, befasoi edhe vetë prokurorin serb për krime të luftës, Vlladimir Vukçeviq, i cili i pyetur nga gazetarët tha se “jam i befasuar… nuk ka koment”.

Mirëpo, çudia e Vukçeviqit nxjerr në pah mediokritetin e zyrtarëve dhe gjyqtarëve sllovenë, se si këta nuk kanë informacione se Ramush Haradinaj brenda 10 vjetësh dy herë është ballafaquar me Tribunalin Penal të Hagës dhe pas dy procesesh ka dalë i pafajshëm.

Epilogu i sagës së Ramushit nxjerr në pah ftohjen e raporteve ndërmjet dy vendeve. Këtë e vërtetoi Kuvendi i Kosovës, i cili miratoi një rezolutë, që mes tjerash kërkon nga Qeveria e Isa Mustafës t’i dërgohet notë proteste Qeverisë së Sllovenisë.

Dikush e konsideroi të pakuptimtë që të ftohen raportet ndërshtetërore për ndalimin e një politikani, duke arsyetuar këtë se – marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve tejkalojnë barrën e një njeriu.

Eco Higjiena

Mirëpo, objektivisht reagimi i Kuvendit të Kosovës konsiderohet i drejtë, pasi që kjo është hera e dytë që Lubjana zyrtare luan me ndjenjat e popullit shqiptar në Kosovë.

Herën e kaluar, më 2003, në Slloveni është arrestuar gjeneral, Agim Çeku, atëbotë ish-komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Edhe atëherë u zhvillua e njëjta lojë, si tash me Ramushin, duke e ndaluar, konfiskuar pasaportën dhe duke sjellë para gjykatës sllovene, sikur një të kërkuar kriminel.

Sikurse arrestimi i Haradinajt të kishte ndodhur në ndonjë shtet tjetër do të kapërdihej më lehtë, siç ka ndodhur rasti tjetër me gjeneral Çekun në Bullgari e Hungari. Por, kur kjo ndodh në shtetin e Janez Janshes e Janez Drnovshekut, që kanë përjetuar gati sikurse Ramushi tmerrin e Serbisë, kjo të “mbetet në fyt”.

Pas arrestimit të gjeneral Çekut, disa qytetarë në shenjë revolte atëbotë patën derdhur demonstrativisht qumështin “Alpsko” në qendër të Prishtinës dhe apeluan që të refuzohen të gjitha produktet sllovene. Ky reagim qytetar irritoi sllovenët, të cilët në ballina të revistave të tyre na quajtën “njerëz të fiseve”, madje metaforikisht na kthyen në kohën e “njerëzve me bishta” …

E arrestimi i fundit, natyrisht, që prekin ndjenjat humane fillimisht e më pas edhe shtetërore, sidomos kur përsëritet i njëjti “gabim”.

Megjithatë, reagimi vandal i një grupi huliganësh, duke sulmuar bizneset sllovene, kompaninë e telefonisë mobile IPKO dhe bankën “NLB Prishtina” janë të papranueshme, të panevojshme, të pajustifikueshme dhe si të tilla duhet të dënohen. Fundi i fundit, fletarrestin e ka lëshuar Serbia, ndërsa malli serb shkon flakë në Kosovë.

Kjo ndalesë e Ramushit në Lubjanë, megjithatë, duhet të merret si leksion nga lidershipi i Kosovës, që çështja e “poternicave” duhet të diskutohet në kuadër të bisedimeve Kosovë – Serbi në Bruksel. E gjithashtu duhet të punohet intensivisht që inkuadrimi i Kosovës në INTERPOL dhe në EUROPOL të mbetet prioritet. Në të kundërtën, fatin e Ramush Haradinajt do ta përjetojnë edhe liderët e tjerë që kanë bagazh luftën, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Rexhep Selimi…

Madje, është thënë disa herë se janë rreth 200 ish-guerilë të UÇK-së që kanë fletarreste nga Serbia e që potencialisht janë të rrezikuar nëse kalojnë kufijtë…