ARKATANA

Shteti në bllokadë

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Nga Enis Veliu – Shumë premtime që janë dhënë gjatë fushatës parazgjedhore në zgjedhjet e fundit nacionale, që u mbajtën në qershor të vitit të kaluar, thuajse janë harruar krejtësisht.

Si kryeministri Isa Mustafa, ashtu edhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi, si liderë të partive kishin premtuar hapjen e dhjetëra-mijërave vendeve të reja të punës. Por, fatkeqësisht në vitin e parë të qeverisjes, gjërat po shkojnë krejt ndryshe.

Jo që nuk po hapen vende të reja pune, por po rrezikohen edhe shumë nga ato ekzistuese.

Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj prej kur është formuar Qeveria, mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), por edhe më tutje partnerët e koalicionit qeverisës nuk po arrijnë të kompletojnë institucionet në vend.

Deri më tash Qeveria ka emëruar një numër të zëvendësministrave, por edhe shumë pozita të tjera kanë mbetur të zbrazëta për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme të dy partive që ndajnë përgjysmë drejtimin e institucioneve të larta të vendit.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka muaj që është jashtë funksionit në mungesë të anëtarëve të bordit. Por, në situatë të tillë si kjo, janë edhe shumë ndërmarrje, por edhe institucione të pavarura në vend.

Që nga skadimi i mandatit të anëtarëve të bordit të kaluar, privatizimi thuajse është bllokuar tërësisht. Nga ajo kohë, nuk ka pasur valë të re të privatizimit, por janë bllokuar edhe shumë procese të rëndësishme për vendin.

ARKATANA

Një shumë e konsiderueshme e mjeteve që kanë mbetur nga likuidimi, nuk po mund të derdhen në buxhet në mungesë të bordit.

Situatë si kjo që janë bllokuar së funksionuari janë edhe disa ndërmarrje qendrore publike, por edhe shumë lokale, e ku situata aktuale bie ndesh me premtimet e shumta që janë dhënë sidomos gjatë fushatës parazgjedhore. Po ashtu gjatë kësaj kohe kishte pasur edhe shumë akuza për politizim të bordeve, por deri më tash në bordet që kanë arritur të kompletohen kryesisht janë njerëz politikë të dërguar nga politika.

Zhvillimi i sektorit të bujqësisë në vend, edhe më tutje mbetet e vetmja mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës, por fatkeqësisht ky sektor edhe më tutje mbetet në harresë institucionale. Nga subvencionet që kryesisht po ndahen viteve të fundit kanë fituar njerëzit e lidhur fort me politikën që kanë arritur të privatizojnë tokat shoqërore, ndërkaq ata që kanë nevojë nuk janë gjendur në këto lista për shkak të kritereve të vendosura.

Deri më tash, por edhe aktualisht, shumica e investitorëve të huaj në vend kanë investuar në sektorin bankar, apo edhe në tregti, ndërsa ata që kanë investuar në prodhim janë shumë pak të dukshëm.

Në mungesë të prodhimeve vendore për çdo vit Kosova po eksporton në Serbi qindra miliona euro. Ndërkaq, prodhuesit e paktë që janë në vend, edhe më tutje nuk po arrijnë të ekspertojnë prodhimet e tyre në vende të rajonit por edhe më gjerë.

Përfundimisht Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një ambient më të favorshëm për biznes, e sidomos kur bëhet fjalë për prodhues vendorë, sepse vetëm përmes rritjes së eksportit Kosova mund të dalë nga kriza ekonomike që ka goditur vendin tash e sa vite.