ARKATANA

Bankat, 20 milionë euro fitim për 3 muaj

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Profiti i sektorit bankar edhe gjatë tremujorit të parë 2015 shënoi rritje rekorde, krahasuar me vitet paraprake. Neto profiti i realizuar deri në mars 2015 shënoi vlerën 19.9 milionë euro, krahasuar me vlerën prej 9.8 milionë eurosh të regjistruar deri në mars 2014.

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) thuhet se rritja e profitit është kryesisht rezultat i zvogëlimit të shpenzimeve, përderisa të hyrat shënuan rritje të lehtë.

“Të hyrat e sektorit bankar deri në mars 2015 arritën vlerën 59.7 milionë euro dhe shënuan rritje vjetore prej 0,4 për qind. Struktura e të hyrave vazhdon të dominohet nga të hyrat nga interesi me 79,2 për qind, pasuar nga të hyrat nga jointeresi me pjesëmarrje prej 20,1 për qind dhe pjesa e mbetur nga të hyrat nga rivlerësimi. Deri në mars 2015, të hyrat nga interesi shënuan rënie vjetore prej 1,0 për qind. Kjo rënie i atribuohet zvogëlimit të hyrave nga interesi në kredi kryesisht si rrjedhojë e rënies së normave të interesit në kredi. Të hyrat nga jointeresi deri në mars 2015 shënuan rritje vjetore prej 3,1 për qind dhe kishin kontributin kryesor në rritjen e gjithsej të hyrave”, thuhet në raportin e fundit të BQK-së.

Shpenzimet ulen për 20%

Më tej thuhet se në kuadër të të hyrave nga jointeresi, të hyrat nga tarifat dhe komisionet dhe të ardhurat tjera operative shënuan rritje vjetore prej 3,3 për qind, përkatësisht 0,6 për qind.

Në raport thuhet se vlera e gjithsejtë e shpenzimeve të sektorit bankar deri në mars 2015 arriti në 39.7 milionë euro, e cila është për 20,0 për qind më e ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

“Zvogëlimi i gjithsejtë i shpenzimeve në masë të madhe ishte rezultat i reduktimit të shpenzimeve të interesit, që shënuan rënie vjetore prej 53,3 për qind. Në kuadër të shpenzimeve të interesit, shpenzimet për interesin në depozita shënuan rënie vjetore prej 59,5 për qind, që kryesisht reflekton zvogëlimin e normës së interesit në depozita. Gjithashtu, kontribut në zvogëlimin e gjithsejtë të shpenzimeve kishte edhe reduktimi i shpenzimeve të jointeresit, të cilat shënuan rënie vjetore prej 37,1 për qind. Në kuadër të tyre, rënien më të madhe vjetore prej 45,9 për qind shënuan shpenzimet për provizione. Rënia e vlerës së gjithsejtë të kredive joperformuese ka ndikuar në ndarjen më të ulët të provizioneve për humbjet e mundshme nga kreditë. Ndërsa, shpenzimet e përgjithshme dhe administrative, që përfaqësojnë pjesën më të madhe të gjithsejtë të shpenzimeve shënuan një rritje vjetore prej 2,2 për qind deri në mars 2015”, thuhet në raport.

Kreditë, 1.9 miliard euro

Mobi Casa

Gjatë tremujorit të parë 2015, kreditë vazhduan të përshpejtojnë ritmin e rritjes. Në mars 2015, gjithsej kreditë arritën vlerën 1.9 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore prej 4,3 për qind.

“Duke arritur vlerën prej 216.3 milionë eurosh, gjithsej kreditë e reja të lëshuara gjatë tremujorit të parë 2015 u karakterizuan me rritje vjetore prej 8,4 përqind. Rritja e aktivitetit kreditor, sipas anketës për kreditimin bankar, i atribuohet kryesisht ofertës më të lehtësuar bankare gjatë periudhës shtator 2014 – mars 2015, përderisa kërkesa për kredi vlerësohet të ketë mbetur përgjithësisht e pandryshuar gjatë kësaj periudhe. Bankat deklaruan standarde më të lehtësuara kreditore për ndërmarrjet dhe për kreditë konsumuese gjatë kësaj periudhe. Sa i përket shkallës së aprovimit të kredive, bankat deklaruan të kenë mbajtur një qasje më të lehtësuar përgjithësisht për NVM-të”, thuhet në raportin e BQK-së.

Më tej thuhet se në gjashtë muajt e ardhshëm (mars – shtator 2015), oferta kredituese e bankave, shprehur përmes standardeve të aplikuara kreditore, pritet të mbetet përgjithësisht e pandryshuar.

“Megjithatë, një numër i bankave kanë deklaruar se presin lehtësim të standardeve kreditore për NVM-të, përderisa pothuajse të gjitha bankat deklaruan se presin lehtësim deri në një masë të standardeve kreditore që do të aplikojnë për ekonomitë familjare (kredi konsumuese dhe kredi për blerje të shtëpive)”, thuhet në raport.

Sektori mikrofinanciar, 113.5 milionë euro

Më tej në raportin e fundit të BQK-së thuhet se gjithsej asetet e sektorit mikrofinanciar në mars 2015 arritën vlerën prej 113.5 milionë eurosh, që paraqet një rritje vjetore prej 1,9 për qind krahasuar me rënien prej 1,5 për qind në mars 2014.

“Vlera e gjithsejtë e kredive arriti në 75.2 milionë euro në mars 2015, duke shënuar rritje vjetore prej 1,3 për qind (rënie vjetore prej 2,0 për qind në mars 2014). Rritja e gjithsejtë e kredive ishte rezultat i rritjes së kredive për ndërmarrjet, në cilat në mars 2015 ishin për 8,0 për qind më të larta krahasuar me mars 2014. Ndërsa, kreditë ndaj ekonomive familjare shënuan rënie vjetore prej 1,8 përqind. Rënia e kreditimit ndaj ekonomive familjare mund të jetë ndikuar nga konkurrenca prej sektorit bankar, duke marrë parasysh që kreditimi bankar për ekonomitë familjare gjatë kësaj periudhë ka shënuar rritje të theksuar. Sipas sektorëve ekonomikë, pothuajse të gjitha kategoritë e kreditimit në mars 2015 u karakterizuan me rritje. Kreditë ndaj sektorit të shërbimeve, të cilat përbëjnë 45,8 për qind të gjithsejtë strukturës, u karakterizuan me rritje vjetore prej 5,8 për qind (rënie vjetore prej 1,7 për qind në mars 2014)”, thuhet në raport./zeri/