Fundamenti

Testi i maturës ose vetëmashtrimi, tallja me vetëvetën

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Sinan Sadiku – Edhe kësaj here pjesa më e madhe e nxënësve në testin e maturës me telefona, aifona… i kanë fotografuar pyetjet , i kanë përcjell jashtë dhe pastaj përgjigjet e ardhura nga jashtë i kanë vendos në test. Mjafton që i kanë ditë nga 4 shkronja A,B,C dhe D! Edhe ata nxënës që janë përpjekur të bëjnë vet diçka nuk kanë pasur mundës të punojnë, sepse nuk ka pas kushte për punë, por zhurmë, kaos, tollovi.. Pra nga mbikëqyrësit janë lejuar t`i fotografojnë pyetjet, t`i përcjellin jashtë, të bisedojnë në telefon t`i shikojnë dhe t`i shënojnë pyetjet e ardhura nga jashtë etj.

Pra aty nuk ka pas kurrfarë rendi as rregulli. Ka qenë anarki e plotë dhe rezultatet e testit të maturës nuk do të jenë pasqyrim i dijes së nxënësve, por i dijes së profesorëve, familjarëve , i përgjigjeve të kopjuara nga librat nga interneti. Pra i të gjithave së bashku. Kështu testi i maturës është farsë, vetëmashtrim, tallje me vetveten, tallje me të rinjtë tanë, tallje me kombin tonë me “shtetin” tonë, të cilin kështu siç ja kemi filluar kurrë nuk do të mund ta krijojmë. Sjelljet tona, veprimet tona nuk janë racionale, nuk janë serioze, nuk janë të sinqerta dhe të gjitha këto janë për të zezën tonë.

Nga zemra e plastë po them se ne nuk ishim për asgjë dhe kam filluar të mendoj se ne nuk jemi të aftë për ta kryer siç duhet, siç i ka hije, asnjë punë. Nuk jemi të aftë të ndërtojmë institucione, të vendosim dhe t`u përmbahemi ligjeve, rregullave, parimeve. Njësoj kemi qenë edhe në të kaluarën . Institucionet, ashtu siç kanë qenë tek ne, i kanë krijuar pushtuesit. Edhe ato institucione, ato fabrika, ato spitale, ato shkolla, që i kemi pas ashtu si i kemi pas gjatë periudhës së autonomisë, nuk e kanë pas autorësinë shqiptare. Nëse vazhdojmë kështu nuk do të kemi shtet, nuk do të kemi ekonomi, nuk do të kemi zhvillim, nuk do të kemi shkolla, spitale… dhe vetes do t`ia bëjmë jetën të padurueshme. Do të na duhet të shpërngulemi, të ikim…

ARKATANA

Testi i maturës edhe kësaj here ishte më shumë se dështim, dhe po të kishte vetëm pak moral në shoqërinë tonë, do të duhej që të jepte dorëheqje ministri i arsimit, e bashkë me të edhe shumë njerëz të tjerë që e kanë organizuar. Ne jemi treguar të pazot në fushën e drejtësisë dhe miqtë tanë po na e imponojnë Gjykatën Speciale. Ku do të ishte e mira që të njëjtit të na e impononin edhe një organ mbikëqyrës në fushën e arsimit, të shëndetësisë etj.

Pra që në çdo klasë ku mbahet testi i maturës të kishim nga një gjerman. Normalisht gjermanëve së pari do t`ju duhej ta shkyçnin ose pasivizonin internetin në çdo objekt ku organizohet testi, do të vendosnin disiplinë, do të krijonin atmosferë pune për ata nxënës që kanë mësuar … Në ato rrethana ne do ta shihnim ku jemi (edhe pse bukur mirë e dimë) dhe pastaj do të hiqnim dorë nga rrenat, mashtrimet e vetmashtrimet dhe do të mësonim, do të punonim e do të zhvilloheshim si popujt e tjerë. Kuptohet këtë vit testin e maturës do ta kryenin deri në 10% të gjimnazistëve dhe deri në 2 % të nxënësve që i kanë kryer shkollat “profesionale”./rajonipress/