Mustafa e njoftoi gjeneralin amerikan për ligjet kundër terrorizmit
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti të enjten në takim gjeneralin Amerikan John Allen, i Dërguar Special Presidencial në Koalicionin Global Kundër ISIS-it
Gjenerali Allen e vlerësoi lart dhe e falënderoi kryeministrin Mustafa për kontributin e çmuar të Qeverisë së Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit dhe terrorizmit.
Kryeministri Mustafa e njoftoi gjeneralin Allen për angazhimet konkrete të Qeverisë së Kosovës, duke theksuar hapat konkret që janë ndërmarrë në këtë luftë, siç janë Ligji për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit, për hartimin e Strategjisë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit, që shpie në Terrorizëm, që udhëhiqet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, si dhe përkrahjen e plotë të ofruar për mekanizmat e rendit dhe drejtësisë që të kryejnë detyrat e tyre në këtë drejtim.
Mustafa e falënderoi gjeneralin Allen për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në të gjitha fushat e jetës, përfshirë edhe në angazhimet e Qeverisë së Kosovës në këtë proces. /Telegrafi/


