Vërejtjet e Kosovës nuk përfshihen në Draftligjin final për Specialen
Fare pak vërejtje të palës kosovare kanë zënë vend në draftin final të Projektligjit për Gjykatën Speciale. Më esencialja është mosndërlidhja e mandatit të EULEX-it me atë të Speciales, shkruan sot Koha Ditore.
Në versionin e fundit të Projektligjit 48-faqesh, një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta, është marrë në konsideratë edhe kundërshtimi që ka nxitur në publik listimi i gjenocidit në veprat penale, për të cilat Specialja do të ketë juridiksion.
Megjithëkëtë, kanë ngelur të definuara në detaje krimet e luftës dhe nuk është përfillur kërkesa që thirrja në të drejtën ndërkombëtare zakonore për krimet ndërkombëtare të jetë e mjaftueshme.
Projektligj nuk saktëson kohëzgjatjen e mandatit të Speciales dhe as periudhën kohore brenda së cilës do të lëshohen aktakuzat, përcjell koha.net. Ka mbetur që vuajtja e paraburgimit dhe e dënimit të mbahen jashtë Kosovës, sikur që do të mbahen jashtë edhe arkivat.
Pas procesit të dytë të negociatave me një delegacion të Bashkimit Evropian, Ekipi Teknik që e drejton ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, kishte listuar 11 çështje që duhej të prekeshin në Projektligj.
http://koha.net/?id=27&l=60388


