Eko Higjiena

Ekonomiksi i Kosovës

/ 10 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Lumir Abdixhiku – Jo shumë larg nga sot, ekonomiksi i Kosovës – përkatësisht qëndrueshmëria ekonomike e saj – ka qenë një nga çështjet kryesore që është ngritur në kontekstin e statusit final të vendit; sidomos nga ata që kanë kundërshtuar drejtpërsëdrejti fizibilitetin e pavarësisë së Kosovës.

Ku jemi, nga po shkojmë

-1-

Jo shumë larg nga sot, ekonomiksi i Kosovës – përkatësisht qëndrueshmëria ekonomike e saj – ka qenë një nga çështjet kryesore që është ngritur në kontekstin e statusit final të vendit; sidomos nga ata që kanë kundërshtuar drejtpërsëdrejti fizibilitetin e pavarësisë së Kosovës.

Pyetja, në radhë të parë, është adresuar në vijë me madhësinë e Kosovës – përkatësisht popullsinë dhe sipërfaqen; resurset natyrore dhe nivelin potencial të zhvillimit. E njëjta kishte neglizhuar natyrisht evidencën konsistente se madhësia dhe pasja ose jo e resurseve natyrore ka pak ndikim në qëndrueshmërinë ekonomike. Mikroshtetet e zhvilluara kishin provuar një gjë të tillë.

Sot, shtatë vjet pas Pavarësisë, viabiliteti ekonomik i Kosovës nuk dyshohet më. Ani pse e vogël, trendët megjithatë pozitivë të rritjes ekonomike dhe stabilitetet financiare të treguara nëpër vite kanë vënë bazën e prospekteve të ardhme të vendit.

Kosova sot vazhdon të jetë e pasur me resurse natyrore dhe me një pjesë të konsiderueshme të popullsisë në moshë të re e mjaft vibrante. Ajo ka secilin parakusht për të ushtruar zhvillimin e dëshiruar ekonomik. Megjithatë, dhe fatkeqësisht, kualitetet e politikave qeverisëse, aftësimet e fuqisë punëtore dhe mungesa e inovacionit kanë vendosur Kosovën në trendë e nivele larg nga të dëshiruarat.

-2-

Që nga Pavarësia Kosova ka shënuar progres relativ në ndërtimin e institucioneve dhe kornizës ligjore. Mbi të gjitha, vendi ka arritur të mirëmbajë norma të rritjes pozitive e të qëndrojë imun ndaj krizës evropiane të viteve 2008-2010. Kjo për shkak se vendi ishte më pak i integruar në sistemin financiar botëror, dhe rrjedhimisht më pak i ekspozuar ndaj tij. Pavarësisht kësaj, kriza ishte ndier më shumë në rritjen më të ngadalshme të remitencave, në eksportet e Kosovës – ashtu kështu të pakta – dhe në investimet e huaja direkte.

Sot, e ardhura për kokë banori në Kosovë është vetëm sa dy të tretat e një vendi rajonal, dhe sa një e dhjeta e një vendi në BE. Kosova sot ka një bruto produkt vendor prej 5.4 miliardë eurosh, dhe të ardhura për kokë banori prej rreth 3.100 eurosh.

Norma mesatare e rritjes ekonomike në Kosovë, përgjatë dekadës së fundit, qëndron në 4.03%, krahasuar me 4.1% në Shqipëri, 3.1% në Maqedoni, 3.5% në Mal të Zi dhe 2% në Serbi. Për më tepër, në tre vjetët e fundit rritja ekonomike mesatare është vetëm rreth 2.93%, ndërkaq projeksionet për vitin e tanishëm nuk kalojnë nivelin prej 3.3%.

Pavarësisht trendëve ekonomikë pozitivë, rritja nuk është përkthyer mjaftueshëm për të adresuar çështjet më emergjente ekonomike në vend; siç është punësimi. Kështu, Kosova vazhdon t’i ketë – sipas të dhënave zyrtare – plot 30% të papunë. Papunësia vazhdon të jetë dhe më e lartë për gratë – plot 40% – dhe në nivele tërësisht alarmante për të rinjtë – plot 55%. Në kushte të tilla, rreth 35% e qytetarëve kosovarë jetojnë në varfëri, përderisa mbi 12% jetojnë në varfëri të skajshme me më pak se 1 euro në ditë.

Sipas parashikimeve të Bankës Botërore e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova duhet të dyfishojë normat e tanishme të rritjes për të adresuar – në rastin se rritja është gjithsesi proporcionale – të 25.000 punëkërkuesit e përvitshëm në vend. Prandaj, është e nevojshme një rritje prej 7-8% për të adresuar disbalancat ekonomike që vendi ka, dhe për të shëruar kështu një nga sëmundjet më kronike të vendit – papunësinë.

-3-

Disbalanca e parë është se rritja ekonomike e Kosovës është e mbivarur nga konsumi; shumë pak nga investimet. Kështu, proporcioni i konsumit në bruto produktin vendor është plot 107%; dhe në trend rritës madje. Vetëm tre vjet më parë, pjesëmarrja e konsumit në bruto produktin vendor ishte 91%. E gjatë vitit 2014, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, përderisa konsumi ka shënuar rritje, niveli i investimeve të gjithëmbarshme – publike e private – ka rënë për 11%.

Varësia ekonomike e Kosovës në konsum dhe investime publike ka bërë që edhe potenciali i rritjes ekonomike të Kosovës të kufizohet në normat mesatare të tre vjetëve të fundit – përkatësisht tek 3%. Sepse, në pamundësi të rritjes së mëtutjeshme të investimeve publike – të cilat pra kanë arritur kufirin e lartë të ngopjes – janë investimet private që shpërfaqen me potencial; ato do të duhej të merrnin primat.

E investimet private, fatkeqësisht, vazhdojnë të mbesin në nivele të pavërejtshme për të dërguar normën e rritjes në nivelet e dëshiruara. Madje, investimet e huaja të jashtme – si pjesë e tyre – gjatë vitit të fundit kanë shënuar nivelin më të ulët të regjistruar që nga viti 2007. Ato, vetëm brenda vitit 2014 janë zvogëluar për plot 25%.

Disbalanca e dytë është se Kosova vazhdon të ketë varësi të madhe në import – dhe rrjedhimisht deficit të lartë tregtar. Sipas Doganave të Kosovës, në vitin 2014 niveli i deficitit tregtar ka arritur në 2.1 miliardë euro, përderisa importet kanë arritur në 2.5 miliardë euro. Rrjedhimisht, proporcioni i deficitit tregtar në bruto produktin vendor është plot 41%.

FIDANISHTJA

Me nivelin e tanishëm të varësisë, ajo pak vlerë e krijuar në Kosovë vazhdon të eksportohet si para e gatshme jashtë – në këmbim të mallrave e shërbimeve që mund – në rrethana normale, të zëvendësoheshin lehtë këtu.

Disbalanca e tretë ndërlidhet me kompozicionin sektorial të outputit kombëtar. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (2014), aktivitetet e sektorëve ekonomikë – si proporcion në bruto produktin kombëtar – kanë mbetur të pandryshueshme. Agrikultura, prodhimi e shitja me pakicë vazhdojnë të mbesin në stade të njëjta që nga viti 2008 deri më sot.

Në këtë vijë, niveli i prodhimit në 2014, si pjesëmarrje në bruto produkt vendor është po i njëjti me nivelin e vitit 2008; vetëm 11%. Ky mosndryshim e stagnim – veçanërisht në prodhim – por njëtrajtësisht dhe në sektorët e tjerë, provon pandryshueshmërinë e një disbalance të kompozicionit sektorial që nuk mund të sjellë zhvillim – siç ka ndodhur deri më tani.

-4-

Në anën tjetër të politikave ekonomike, atyre financiare pra, menaxhimi dhe stabiliteti buxhetor kanë shënuar dy ecje të kundërta. Përderisa stabiliteti buxhetor është realizuar në të mirë, menaxhimi financiar i ka ngjarë më tepër barazimit të librave. Politikat e deritanishme fiskale nuk kanë arritur të promovojnë nisjen e bizneseve të reja, sjelljen e investimeve të jashtme e ngritjen e prodhimit vendor. Reformat e fundit fiskale, ndërsa, sidomos ato në drejtim të heqjes së barrës për investimet në prodhim, mund të krijojnë ambient më të favorshëm ekonomik.

Në anën e mbledhjes së të hyrave buxhetore, kufizimet në Administratën Tatimore të Kosovës dhe mekanizmave mbledhës të tjerë kanë bërë që niveli i evazionit fiskal të arrijë në plot 34% të të gjitha shitjeve të realizuara në vend. Mbledhja joproporcionale e të hyrave ka ushqyer gjithashtu konkurrencën e pabarabartë.

Kjo konkurrencë e pabarabartë është ushqyer edhe nga ana e shpenzimeve të parasë publike – përkatësisht nga sistemi i prokurimit publik, shpeshherë i asociuar me nivele të larta të korrupsionit e keqpërdorimeve. Për një vend ku shpenzimet qeveritare përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të bruto produktit vendor – rreth 30% – anomalitë, sikurse korrupsioni në prokurimin publik – jo vetëm që rrisin koston e biznesbërjes, por edhe parandalojnë rrjedhën normale të parasë tek bizneset efiçiente. Në tre vjetët e fundit, vlera e kontratave të dhëna nga prokurimi publik ka arritur – në mesatare – rreth 15% të bruto produktit vendor.

Në përgjithësi, parametrat e qëndrueshmërisë buxhetore janë luhatur me shpenzime enorme në projekte të vetme – siç është rasti i dy autostradave të fundit – dhe me rritje të paplanifikuar e artificiale të pagave në sektorin publik nëpër ciklet zgjedhore. Rritjet e tilla, në një notë të veçantë, kishin bërë që sektori publik të paguante në mesatare gati dyfishin e pagës mesatare në sektorin privat.

Deficitet buxhetore të shtatë vjetëve të fundit janë mbuluar fillimisht nga akumulimet e mosekzekutimit të buxheteve të periudhave paraprake, dhe më pas me ngritjen e borxhit qeveritar. Ndonëse niveli i borxhit qeveritar – në proporcion me bruto produktin vendor – është ende në limitet e lejuara ligjore, rritja e vazhdueshme e tij ngre shqetësimet e para të qëndrueshmërisë afatgjate fillimisht, por dhe të efiçiencës së marrjes së borxheve për financimin e shpenzimeve publike që nuk nxisin vende pune.

-5-

Atëherë cilat janë barrierat kryesore të rritjes së investimeve private në Kosovë? Sipas percepsioneve të sektorit privat, ato mund të grupohen në tri kategori.

Në të parën bëjnë pjesë kostot e larta të financimit. Ndonëse normat e interesit në Kosovë kanë shënuar rënie nëpër vite – duke mbajtur konstant nivelin e kredive joperformuese, financimi i projekteve investive në vend mbetet megjithatë i pamjaftueshëm. Ambienti i pasigurt biznesor dhe mungesa e aftësive planifikuese të bizneseve kanë krijuar një hendek në mes të financuesve dhe kërkuesve për financim. Në këtë vijë, idetë dhe nismat e reja mbesin më të disfavorizuarat.

Në grupin e dytë bëjnë pjesë pengesat e mosefikasitetit të institucioneve publike. Informaliteti, evazioni, korrupsioni e mosfunksionimi i gjyqësorit kanë shndërruar ambientin e gjithëmbarshëm ekonomik në fushë të pabarabartë konkurrimi dhe në prekondita të kushtueshme e të pasigurta ekzistimi e investimi.

Në grupin e tretë, gjithmonë sipas përshtypjeve të marra nga sektori privat, bën pjesë inekzistenca e politikave mbështetëse e favorizuese publike – horizontale pra – që do të ndihmonin zhvillimin e do të rrisnin konkurrueshmërinë e bizneseve vendore përballë atyre të jashtme.

Për fund, mosndryshueshmëria e këtyre pengesave investive nëpër vite, shpjegon dhe stagnimin e investimeve private, rrjedhimisht mosndryshimin e strukturës së aktiviteteve ekonomike, e cila më pas shkakton rritjen modeste ekonomike dhe përfundimisht mospërkthimin e saj në vende të reja pune. Është një cikël që duhet zhbërë nga fillimi.

http://koha.net/?id=31&o=687

abdixhiku@facebook.com

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.